
Shpesh i pyesim personat që kanë përjetuar dhunë në familje: “Pse nuk u largove?”. Sipas Kaytee Gillis psikoterapiste e njohur për punën me të mbijetuarit e dhunës në marrëdhënie dhe traumave familjare pyetja nuk duhet të jetë vetëm “Pse nuk u largove?”, por edhe “Kush të tha të qëndroje?”, pasi presioni nga familja, kultura dhe shoqëria shpesh i mban viktimat të bllokuara në marrëdhënie abuzive.
Autorja tregon rastin e Rosës, një gruaje të dhunuar, e cila më në fund vendosi të largohej pas vitesh abuzimi psikologjik dhe fizik nga bashkëshorti i saj.
Ajo mori një çantë dhe udhëtoi drejt shtëpisë së nënës së saj në një shtet fqinj. Por në vend që të gjente siguri, u përball me zhgënjim. Kur mbërriti, nëna e saj nuk e mirëpriti. “Ti nuk mund të largohesh thjesht kështu, je e martuar. Çfarë do të mendojnë njerëzit?”, i tha ajo. “Martesa është e vështirë, por duhet ta bësh të funksionojë.” i tha nëna.
Dhe ajo u kthye te bashkëshorti i saj, sepse nuk kishte ku të shkonte tjetër. Historia e Rosës nuk është e pazakontë. Sipas autores shumë prej pacienteve të saj kanë treguar se u janë drejtuar njerëzve të afërt, vetëm për t’u nxitur ndonjëherë me butësi, ndonjëherë me forcë që të qëndrojnë.
Shumë kanë përshkruar familjarë dhe miq që i kanë këshilluar të mos largohen kur kanë folur për situatën e tyre: “Do të përmirësohet, mendo për fëmijët.” “Ndoshta nuk e kishte me atë qëllim.” “Ndoshta duhet të provoni këshillim në çift.”
Këto komente, edhe kur bëhen me qëllim të mirë, mund të forcojnë dyshimet që abuzimi ka krijuar tashmë te viktimat. Ato mund t’i bëjnë të pyesin veten nëse po reagojnë më shumë seç duhet apo nëse po kërkojnë shumë.
Ndërsa njerëzit e të gjitha gjinive mund të përjetojnë këto presione, gratë shpesh edukohen nga shoqëria që të mbajnë më shumë përgjegjësi për ruajtjen e marrëdhënieve, duke i bërë veçanërisht të prekshme ndaj turpit dhe fajit.
Që në moshë të vogël, shumë gra marrin mesazhe se vlera e tyre matet nga aftësia për ta mbajtur një marrëdhënie bashkë. Ato mësohen të bëjnë kompromise, të falin, të kujdesen dhe të durojnë. Kur një marrëdhënie përfundon, pyetja shpesh bëhet: “Çfarë mund të kishte bërë ajo ndryshe?” në vend që të pyetet: “Çfarë i ndodhi asaj?”
Feja dhe kultura gjithashtu kanë ndikuar për një kohë të gjatë në idenë se vlera e një gruaje lidhet me aftësinë e saj për të ruajtur një marrëdhënie. Përgjegjësia për kompromisin shpesh i vendoset në mënyrë jo të barabartë gruas dhe, kur një marrëdhënie përfundon, prirja është të mendohet se si gruaja nuk i përmbushi pritshmëritë.
Disa prej nesh janë rritur me prindër dhe familjarë që na kanë mësuar ta shohim ndarjen si një turp për gruan. Si të rritur, mund të marrim vendime më të informuara, por sfidimi i këtyre bindjeve të rrënjosura kërkon punë dhe shpesh sjell pasoja.
Kur njerëzit pyesin pse të mbijetuarit nuk largohen nga marrëdhëniet abuzive, shpesh fokusohen vetëm te partneri abuzues. Por shumë viktima të dhunës përballen gjithashtu me mesazhe nga familja, kultura, feja dhe shoqëria që u thonë se largimi është një dështim. Shumë prej tyre përballen me dhimbjen e pritshme të zhgënjimit të të tjerëve dhe me humbjen e një jete për të cilën kanë punuar shumë.
Largimi shpesh do të thotë të humbasësh jo vetëm marrëdhënien, por edhe të ardhmen që kishe imagjinuar, identitetin që kishe ndërtuar, familjen që shpresoje të ruaje dhe ndonjëherë edhe lidhjen me njerëzit dhe komunitetet që do më shumë. Derisa t’i njohim këto presione, do të vazhdojmë të bëjmë pyetjen e gabuar.
