
Të plakemi është e pashmangshme, por kjo nuk do të thotë se është gjithmonë e lehtë. Të gjithë kalojmë situata që, në momentin kur i përjetojmë, na bëjnë të ndihemi sikur jeta jonë ka ndaluar papritur.
Mund të kalojmë periudha ankthi ose depresioni dhe të mendojmë se nuk do ta përjetojmë më kurrë lumturinë. Por, mendoni për herën e fundit kur u ndjetë sikur kishit arritur pikën më të ulët të jetës. E kaluat, apo jo?
Mund të ketë qenë e vështirë, por ju ia dolët. Gjatë rrugëtimit drejt lumturisë do të hasni pengesa, por mos i lejoni ato t’ju ndalojnë plotësisht. Çdo gjë që kaloni do t’ju bëjë një person më të fortë dhe më të mirë në planin afatgjatë.
Ja disa momente kur mund të mendoni se jeta juaj ka marrë fund, por në të vërtetë janë pikënisja e diçkaje shumë më të mirë.
1. Kur dikush ju thyen zemrën
Një ndarje ndonjëherë është një bekim i fshehur. Ajo ndodh ndonjëherë për të larguar nga jeta jonë diçka që nuk ishte menduar për ne dhe për t’i lënë vend asaj që është vërtet e duhura. Ajo ndarje që menduat se do t’ju shkatërronte mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri.
2. Kur ndryshon mendje për atë që do të bësh me jetën
E mbani mend atë moment kur planet tuaja ndryshuan plotësisht dhe e ardhmja filloi të dukej ndryshe nga ajo që kishit imagjinuar? Mund të ndiheni të pasigurt dhe në ankth. Por gjërat ndryshojnë. Planet ndryshojnë, ne ndryshojmë. Është në rregull të ndryshoni drejtim. Është në rregull të filloni nga e para, pavarësisht sa kohë do të marrë.
3. Kur humbët një mik
Sado e dhimbshme të jetë, miqësitë nuk zgjasin gjithmonë gjithë jetën, edhe pse shpesh mendojmë se do të jenë të tilla. Ndoshta keni humbur disa miq gjatë rrugës sepse jeta mori një kthesë të papritur. Ndoshta zbuluat karakterin e tyre të vërtetë. Në vend që të mbani pas vetes njerëz negativë vetëm për të shpëtuar një miqësi, lërini të ikin marrëdhëniet toksike.
4. Kur u refuzuat nga puna që e dëshironit shumë
Refuzimi dhemb, ju bën të ndiheni sikur nuk jeni mjaftueshëm të mirë. Por, e vërteta është se ajo punë që dëshironit aq shumë ndoshta thjesht nuk ishte e duhura për ju. Kjo do të thotë vetëm se diçka më e mirë është duke ardhur. Mund të mos e shihni tani, por besoni se mundësitë më të mira shpesh shfaqen kur nuk i prisni.
5. Kur të duket sikur të gjithë po ecin përpara, ndërsa ti ke mbetur në vend
Mund të filloni të krahasoni jetën tuaj me atë të të tjerëve dhe të ndiheni të pakënaqur me rrugëtimin tuaj. Por, e vërteta është se nëse duket sikur të gjithë po ecin përpara, kjo nuk do të thotë se ju po mbeteni pas. Martesa, fëmijët dhe blerja e një shtëpie janë arritje të mëdha, por kërkojnë kohë. Në fund, momentet që na duken si fundi i botës shpesh janë thjesht pika kthese që na çojnë drejt një versioni më të fortë dhe më të mirë të vetes.
