Tregu i punës është bërë më i vështirë për të rinjtë, por ata nuk duhet të humbasin shpresën për të ndërtuar një karrierë që i përmbush sipas fitues së çmimit Pulitzer, Jodi Kantor.

"Kushdo që ka punuar e di se brezi i ri është i domosdoshëm", tha ajo për CNBC Make It. Në librin e saj të ri "How to Start: Discovering Your Life's Work", Kantor shpjegon se njerëzit më të suksesshëm dhe më të lumtur nuk mbështeten vetëm te pasioni, por ndërtojnë karrierën mbi dy elementë kryesorë:

Së pari, ata ndërtojnë një mjeshtëri profesionale. Sipas saj, kjo nuk nënkupton vetëm njohuri teknike, por edhe aftësi njerëzore që zhvillohen me kalimin e kohës. Pikërisht këto aftësi i bëjnë profesionistët më të vlefshëm dhe më pak të zëvendësueshëm, edhe në epokën e inteligjencës artificiale.

Së dyti, ata përpiqen të plotësojnë një nevojë reale. Kantor thekson se njerëzit e suksesshëm identifikojnë probleme në komunitetin ose fushën ku punojnë dhe përdorin aftësitë e tyre për të ofruar zgjidhje.

Ajo këshillon të rinjtë të vëzhgojnë botën përreth dhe të pyesin veten se për çfarë kanë nevojë njerëzit dhe si mund të kontribuojnë me punën e tyre.

Megjithëse pranon se inteligjenca artificiale po ndryshon tregun e punës dhe ka shtuar pasigurinë për shumë profesionistë, Kantor këshillon që frika nga teknologjia të mos jetë faktori kryesor në zgjedhjen e karrierës.

"Nuk e dimë se si do të duket tregu i punës pas pesë apo dhjetë vitesh. Ka shumë parashikime, por e vërteta është se e ardhmja mbetet e pasigurt," thotë ajo.

Në vend të këshillës së njohur "ndiq pasionin", Kantor sugjeron një qasje më praktike: kombinoni interesat dhe aftësitë tuaja me atë që i nevojitet botës. Sipas saj, pikërisht ky është themeli i një karriere afatgjatë, të suksesshme dhe të përmbushur.