Nëse këtë verë dëshironi të shmangni destinacionet e mbipopulluara dhe të zbuloni vende më pak të njohura, këta pesë ishuj evropianë ofrojnë natyrë të paprekur, histori, aventura dhe qetësi. Këto destinacione janë zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një përvojë ndryshe.

1. Pantelleria, Itali

E vendosur mes Siçilisë dhe brigjeve të Tunizisë, Pantelleria njihet si "Perla e Zezë e Mesdheut" falë peizazhit të saj vullkanik. Pantelleria është e famshme për verërat e saj, të prodhuara nga rrushi aromatik Zibibbo, i kultivuar sipas një metode tradicionale të mbrojtur nga UNESCO. Vizitorët mund të marrin pjesë në vjeljen e rrushit gjatë gushtit dhe shtatorit, si edhe të vizitojnë kantinat e verës.

2. Barra, Skoci

Vetëm mbërritja në Barra është një eksperiencë më vete. Edhe pse brigjet me ujëra të kaltër të kujtojnë Karaibet, klima e freskët të kujton menjëherë se ndodhesh në Hebridet e Jashtme të Skocisë. Ishulli është një parajsë për adhuruesit e natyrës. Këtu mund të shihen shqiponja, delfinë, foka, zogj detarë dhe balena që kalojnë përgjatë brigjeve gjatë muajve të verës.

3. Serifos, Greqi

Pa aeroporte dhe pa komplekse të mëdha turistike, Serifos mbetet një nga ishujt më autentikë të Cikladeve. Plazhet me rërë, tavernat tradicionale dhe rrugicat e bardha të qytetit Hora krijojnë atmosferën tipike greke. Mbrëmjet në tarracat panoramike të Horës, ndërsa dielli perëndon mbi Detin Egje, janë ndër momentet më të bukura që ofron ishulli.

4. El Hierro, Spanjë

I konsideruar një nga vendet më të egra të Evropës, El Hierro është ishulli më i vogël i Kanarieve pas La Gomerës dhe një Rezervë Botërore e Biosferës e UNESCO-s. Peizazhet e krijuara nga shpërthimet vullkanike përfshijnë pyje me dafinë, fusha llave dhe pemë dëllinje të përkulura nga era. Për adhuruesit e zhytjes, rezervati detar Mar de las Calmas ofron një botë nënujore spektakolare me breshka deti, peshq tropikalë dhe rreze detare.

5. Fasta Aland, Finlandë

I vendosur në Detin Baltik, arkipelagu Aland përbëhet nga rreth 6.700 ishuj me pyje halore, gjire shkëmbore dhe fshatra të qetë. Ishulli kryesor, Fasta Aland, është pika ideale për të eksploruar zonën. Vizitorët mund të provojnë sauna tradicionale finlandeze, të lundrojnë me kajak mes ishujve ose të kalojnë një natë në një kasolle pa energji elektrike, duke shijuar qetësinë absolute dhe perëndimin e diellit buzë detit.