Një ndër simbolet më tipike të kësaj stine apo qoftë edhe të gjinisë femërore në përgjithësi janë pa dyshim lulet…Të bukurat, shumëngjyrëshet, aromatiket lule, qofshin ato në stampime veshjesh, në tryezat e tavolinave, apo edhe në duart tona në ditë festash dhe jofestash. Ekzistenca e tyre gjithmonë do të na sjellë humor dhe një ndjesi delikatese që kaq fort e duam. E si mund t’i rezistosh një dashurië të tillë, ku edhe vetë simbolika e tyre përputhet më së miri me natyrën femërore?! Nuk e dimë për ju, por ne, i duam kaq shumë, si në të veshur ashtu edhe në tufa të mëdha a të vogla, s’ka rëndësi, mjafton të jenë dhuruar me shumë dashuri. E ndërsa për dhuratat a për vetëllastimin tonë me buqetat e mëdha të luleve është vështirë të gjesh dicka për të treguar…duke ju uruar që të merrni sa më shumë të tilla gjatë jetës suaj, ne do ju flasim për këtë simbol femëror, të sjellë në një formë tjetër, po aq të dashur nga të gjitha ne. E kapët? Po sigurisht që po, lulet i kuptojnë lulet, dhe stili floral është i gjithi lule, duke qenë kështu, stili që përfaqëson denjësisht jetën tonë të përditshme, në pranverë dhe në verë…

Hidhini për një moment sytë nga dritarja dhe shihni sa bukur harmonizohen lulet me natyrën, a nuk është e adhurueshme?! Pse mos ta sjellim këtë harmoni më afër vetes dhe të ndihemi “të çelura” çdo mëngjes?! Nuk humbasim gjë nëse e provojmë…

Livia

Po ja nisim me lulet më të famshme, trëndafilat, lulëkuqet, luledelet, lulet e diellit e një mori lulesh të tjera të cilat duhet të jenë refreni për veshjet tona këtë vit. Imagjinoni pak sa bukur…komplet fashion! Me to mund ta gjeni veten si te ngjyrat e forta ashtu edhe tek ato të pastelit, lulet ofrojnë shumë për stilin tonë dhe pavarësisht preferencave tona, ato kokëforta futen kudo, te vajzat Chic, te street style, gjerësisht te vajzat boho dhe sigurisht edhe te princeshat glamour.

Ne sugjerojmë për vajzat që kategorizohen te stili Chic, trëndafilat e mëdhenj me ngjyra të forta, pink blooms për glamourin, lulet e vogla për bohemianet e vërteta dhe sigurisht që gjithë lulet e botës për gocat “street”… Huh, sa të ndërlikuara jemi me stilet e të veshurit! Por, sado të ndryshme jemi nga njëra-tjetra, tek floral mund ta gjejmë veten të gjitha.

Ina

E dimë, po lodhemi kot duke ua stërthënë sepse edhe ju e dini shumë mirë që lulet nuk dalin kurrë nga moda dhe në një mënyrë a në një tjetër bëhen gjithnjë protagoniste në rrugën tonë drejt stilit të veshjes. Për këtë arsye nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë, e vetmja këshillë që mund të japim është: rrëmbeni të parën gjë flourish që shihni teksa jeni duke bërë shoping, nuk do të pendoheni!