Eh jo, përfundimisht nuk jemi gjenerata e të menduarit të gjërave dy herë! Përkundrazi, jemi shembulli më tipik i impulsivitetit. Të llastuar apo jo, na quani si të doni, por kur e duam një gjë…nuk na ndal njeri. Na dilni më mirë në krah, sesa kundër, sepse uragani “rini” nuk ndalet. Sa prej jush kanë dëgjuar shprehje të tilla si: “Të lumtë, tani s’ke për të gjetur kurrë punë”, “si e katandise veten kështu, e kush do të të marrë seriozisht tani?” ose “jo, s’ke për ta bërë kurrë, ç’është ky budallallëk”, vetëm dhe vetëm sepse një ditë të bukur me ose pa diell tu tek të kesh në trupin tënd simbolin më famëkeq të çdo gjysheje, makthin e çdo prindi, ëndrrën e çdo adoleshenti. Pikërisht! Për këtë e kemi fjalën, tatuazhet! Të bukurat tatuazhe! E sa më shumë një gjë na ndalohet, dihet ai muhabet, aq më shumë e duam!

Historia e tyre daton me mijëra vjet para Krishtit dhe ta kishe një të tillë në trup të quanin “i/e markuar”. Po, po, ky është kuptimi i fjalës tatuazh, e frikshme për disa, por shumë intriguese për disa të tjerë. Sa shumë vite kanë kaluar dhe përsëri magjia e kësaj pikture në trup mbetet ende enigmë. Në lashtësi “shenjoheshe” për arsye nga më të ndryshmet, për të treguar përkatësinë ndaj një fisi, për të poseduar fuqinë e ikonës së mbartur në trup e shumë të tjera, kurse sot, le të themi se i biem pak më shkurt, mjafton të kemi një të dashur, të vijë vera, të na pëlqejë një flutur, njëbrirësh, yll, hënë a çdo gjë tjetër dhe “shenjohemi” përgjithmonë…ok, i rënkemi ca si SHUMË shkurt. Por, mos u trishtoni, për të gjithë ju që intrigoheni nga ky “sport” ashtu sikurse edhe ne, ka disa arsye tejet të forta e pozitive se përse duhet të kemi një të tillë në trupin tonë. Ose dhe disa, me pak fjalë, sa të doni ju. Mjafton të jenë të bërë “me mend”, sepse ky është sekreti.

Ne hyjmë te grupi i njerëzve që besojnë se një tatuazh nuk duhet menduar gjatë dhe duhet të jetë më shumë rezultat i spontanitetit…por, i dashuri/ e dashura e gjimnazit? Seriozisht? Deri këtu mund të shkojë fantasia juaj? Apo ajo kafka, shkronjat kineze, e famshmja “only God can judge me”, tribalet apo stema e Juves…Ok, e kuptojmë që tatuazhet shprehin atë çka ju jeni në të vërtetë e atë çka besoni dhe absolutisht që mund të vizatoni mbi trupin tuaj çfarë t’ju dojë qejfi, por mbani në mend një gjë, sa më të lehtë ta keni për t’ia shpjeguar fëmijëve në të ardhmen, aq më me mend i bie që e keni bërë tattoo-n, dhe dashuritë e gjimnazit, eh jo, nuk kanë për ta kuptuar. Disa këshilla të fundit dhe e mbyllim sepse erdhi vera dhe duhet të ikim të bëjmë disa diej të vegjël nëpër këmbë…shakaa…

-  Mos i bëni kur jeni adoleshentë

-  Mos i bëni kur të jeni të pirë

-  Mos i bëni sepse e bëri shoku/shoqja, është trend cool apo stil

-  Dhe mbi të gjitha, mos i bëni pa i dhënë një kuptim.

Ndoshta sekreti i tatuazheve është vërtet të mos mendohemi gjatë, por once you do it, it’s forever! Njëherë e bërë, është përgjithmonë dhe më mirë sesa të pendohemi, ta duam atë çka bëmë, duke dashur atë çka simbolizon!