Thuajini “po” shkëlqimit këtë verë dhe futuni zyrtarisht në garë me Diellin…Si mendoni ju, kush shkëlqen më shumë, vetë “babai i dritës” apo një vajzë e armatosur me aksesorë që ndriçojnë nën efektin e tij?! Ne do e konsiderojmë këtë pyetje retorike dhe do t’ju themi me bindje se jo vetëm betejën, por gjithë luftën e fitojmë ne, vajzat “e aksesorizuara”! Jo pa qëllim thonë lart e poshtë, se asnjëra nga ne nuk ka arritur në përfundimin se duhet t’i thotë stop blerjes së aksesorëve, pasi ato nuk janë kurrë tepër, sa më shumë të kesh aq më shumë të shtohet dëshira për të pasur të tjerë, sepse në fund të fundit, një veshje e pashoqëruar me aksesorë qëndron si peshku pa ujë, e zhgënjyer dhe pa jetë.

Le t’i quajmë varëset, byzylykët, vëthët, aksesorët e flokëve, syzet, rripat dhe kapelet si vitamina të look-ut tonë të përditshëm, në mëngjes ose në darkë. A nuk ngjan super girlish një vajzë që mban gjithmonë me vete atë serinë e byzylykëve simbol që e kanë me çdo kusht një kuptim? Apo një tjetër që fsheh me zgjuarësi makeup-in e munguar pas syzeve të kombinuara bukur me veshjen?!

Livia Myftari

Sigurisht pra, ngjajmë vërtet vajza, sepse nëpërmjet aksesorëve shprehim modën, stilin madje edhe gjendjen e momentit. Ja na thoni tani, a nuk ngjan si i ri ai fustani që bletë vjet vetëm e vetëm sepse i shtuat një rrip, një shall të lidhur pas qafe dhe një kombinim të cilin nuk e kishit eksperimentuar më parë? Eh, pikërisht për këtë po flasim, për fuqinë që kanë aksesorët kur bëhen bashkë me njëri-tjetrin.

Ina Haxhiaj

Ndërsa ecim në rrugët e Tiranës, gjatë shëtitjeve në bregun e detit apo edhe nëpër ambientet e tjera, shohim qartë se edhe ne, këtë vit jemi të vendosura të ndriçojmë bukur në diell. Disa prej nesh kanë zgjedhur ta bëjnë këtë nëpërmjet varëseve/ byzylykëve/ vëthëve shumëngjyrësh, me gurë apo pa gurë, me shkëlqim metalik apo me shkëlqim nëpërmjet xixave, fosforeshente ose jo, disa të tjera kanë zgjedhur tatuazhet e përkohshme të florinjta, si trend këto dy vitet e fundit. Por jo vetëm këto, kapelet e qëndisura me lule, syzet e frymëzuara nga D&G, aksesorët e kokës që janë “on top” apo 1001 gjëra të tjera që na pjell mendja ne gocave në sezonin e verës.

Eh, sikur të mund t’i listonim këtu të gjitha benefitet e përdorimit të aksesorëve nuk do të na mjaftonte një artikull, as një rubrikë dhe për më tepër as një revistë e tërë sepse magjia e tyre është e papërshkrueshme dhe ështe e aftë të shkojë gjithmonë e më tepër drejt fantazisë. Çfarë thatë ju, çfarë? Exercise? Bohh ne menduam se po thonit accessorize…