E imagjinoni dot sesi mund të jetë një shtëpi mode me tiparet “e tyre”? E themeluar nga “ata” dhe e drejtuar po nga “ata”? Ju me të drejtë do të na pyesni kush janë ata dhe ne do t’ju përgjigjemi se “ata” jeni vetë ju, shqiptarët e vitit 2016! Ju që përqafoni ekstravaganten dhe të thjeshtën në të njëjtin hark kohor, ju që ju duket e bukur edhe ajo “rrëmuja” e konceptuar vetëm me xixa dhe temina dhe sigurisht, ju që nuk e konceptoni dot një veshje nëse s’ka ngjyra, printe ose gurë. Hë, a ju duket shumë ballkanase kjo imagjinatë?! Ne na duket një gjellë alla shqiptare ku bashkëjetojnë me njëri-tjetrin një qind stile të të veshurit, njëmijë lloje copash dhe sigurisht 1 milion kolore, ngjyra dhe vetëm ngjyra për të tërë! Po ju prezantojmë me shtëpinë e modës Made in Albania, një modë që i zien gjaku përbrenda, që është gjithmonë në kërkim të asaj “që bie në sy” dhe që nuk resht kurrë së kërkuari të bukurën. Kjo shtëpi nuk do të na kanalizojë kurrë në një frymë të vetme sepse ne kemi lindur të ndryshëm dhe do të kërkojmë përherë të tregojmë se e pranojmë diversitetin në të gjitha format me të cilat na shfaqet.

Fustani me dekoltenë e hapur, me një të çarë të madhe te këmba e majtë dhe me kurrizin përjashtë do të ishte me siguri fustani më i kërkuar i kësaj marke! Për të mos lënë pa përmendur sandalet super të larta me gurë të shtrenjtë dhe çantën e dorës që duhet të jetë e kombinuar bukur me fustanin. Ju tingëllon pak keq? Në fakt edhe neve, por ja që ky është realiteti i shumicës prej nesh dhe dominon bindshëm ndër gjithë të tjerët.

 

Livia

Dominon mbi stilin casual e të përditshëm, dominon mbi stilin minimalist, por të mbushur me klas dhe sigurisht, dominon mbi të bukurën që shfaqet me thjeshtësi, sepse ne nuk mund ta konceptojmë që të shkojmë në një dasmë pa u dukur si “dasmore” dhe njëkohësisht as nuk e çojmë në mend të shkojmë në një party me xhinse, atlete dhe një t-shirt, edhe pse ato mund të jenë super “in”.

Ina

Na pëlqen ose jo, këto janë tiparet tona dalluese dhe sigurisht që mbi këto baza do të ndërtohej edhe marka që do të përcillte kjo “fashion house”. Nuk po kritikojmë dhe as po ironizojmë atë që ne si popull na karakterizon kur vjen puna te mënyra e të mbajturit, thjesht do të dëshironim që kjo shtëpi mode të kishte një shije më të rafinuar, të ishte vetë Parisi i Ballkanit dhe të përcillte vetëm finesë për vajzat më të bukura në botë!