Të gjithë ata që e kanë pritur, vetëm pas pak do të kenë mundësi ta shohin live nga ekrani i Tv Klan. E ftuara speciale e mbrëmjes së sotme në X Factor është triumfuesja e edicionit të dytë të këtij talent show, Arilena Ara. Pas këngëve të reja dhe sukseseve artistike, Arilena rikthehet te spektakli i cili i dha famën.

Praninë e saj si e ftuar speciale, Arilena e kishte lajmëruar para pak javësh (në natën e katërt të këtij edicioni), por për shkak të një incidenti të vogël, performanca e saj u shty për të ardhur sonte më energjike se kurrë.

Tashmë, jo më  si një konkurrente e fortë, por në kastin e të ftuarve VIP, Arilena do të sjellë një performancë, e cila është ruajtur surprizë në çdo detaj, ndonëse ca gjëra të vogla ne i kemi zbuluar. Kënga e re është një baladë e ndjerë, e punuar me mjeshtri nga Irkenc Hyka, të cilën këngëtarja ia ka kushtuar të atit të saj të ndjerë.

Kënga e re e Arilenës vjen pas suksesit të dy klipeve të saj, “Aeroplan” dhe “Business class”. Ky i fundit ishte një projekt i cili mban rekordin e skenave të xhiruara në Shqipëri, me plot 12 të tilla.