Ajo që në Spanjë është konsideruar dasma e vitit ka pasur edhe një faturë të majme. Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, dhe partnerja e tij, gazetarja Pilar Rubio, kanë kurorëzuar në martesë dashurinë e tyre disavjeçare. Ceremonia e mbajtur në katedralen "Seville", u ndoq nga 500 të ftuar dhe nga mijëra sy në të gjithë botën.

Ramos u shoqërua nga nëna e tij, ndërsa Rubio nga babai i saj. Në ceremoninë luksoze ishin të ftuar edhe shumë emra të njohur të showbiz-it ndërkombëtar, mes të cilëve David Beckham dhe bashkëshortja Victoria, Jordi Alba, Luka Modriç, Keylor Navas, Roberto Carlos, Alvaro Morata.

Megjithëse ishte një ceremoni private, pa reporterë, pa telefona dhe pa aparate, ishte e vështirë që gjithçka të ruhej në sekret të plotë.

Sot, mediat britanike kanë aluduar për shifrën e majme të dasmës, duke cituar burime të afërta pranë çiftit. Në dasmën e Ramos performoi grupi legjendar AC/DC, për të cilin mendohet se Ramos ka paguar më shumë se 1 milion euro.

Por mediat ndërkombëtare shkruajnë gjithashtu se damsa e Ramos, e cila ka kushtuar një djall e gjysmë, në fakt nuk do ta rëndojë aspak xhepin e tij.

Sipas mediave lokale në Seville, qyteti i lindjes së Ramos dhe vendi ku u mbajt ceremonia e celebrimit, shpenzimet e dasmës janë paguar nga "Amazon" dhe miliarderi Jeff Bezos. Nga burime të brendshme me organizatorët e eventit, mësohet se Jeff Bezos ka paguar eventin dhe arsyeja është mjaft e qartë.

Ylli i Realit të Madridit, aktualisht po bën një seri dokumentarësh me tetë pjesë me platformën Amazon, që do të tregojë jetën e përditshme të lojtarit, dasmën, si edhe detaje të tjera nga profesioni e jashtë tij.

Dokumentari do të rrëfejë më shumë për jetën e Ramos edhe jashtë fushës. Gjithçka brenda këtij realizimi do të përmblidhet në një episod të plotë me 30 minuta.

Ky serial nga "Amazon Prime" do të transmetohet në më shumë se 200 vende të botës këtë vit, duke dhënë më shumë detaje nga dasma e vitit, e cila përfshinte një ceremoni në katedralen mahnitëse të Seville-s, një darkë dhe një party vere me 500 mysafirë, por edhe një performancë fantastike nga AC/DC.

Ramos, 33 vjeç dhe Rubio, 41 vjeç, bashkëjetojnë prej 7-vjetësh. Ata janë prindër të tre djemve, Alejandro, Sergio dhe Marco.