Krijimi i albumit të dasmës është një proces i lodhshëm, megjithatë është një nga pjesët më të bukura dhe më emocionuese për të ngrirë brenda çdo fotoje momentet magjike të ditës suaj më të rëndësishme. Fotot janë ato që shumë vite më vonë do të krijojnë gjithë historinë tuaj të dashurisë dhe do të mbledhin bashkë të gjitha planifikimit e dasmës. Ja disa këshilla që brenda fotove të keni gjithmonë një ngjarje për të treguar.

Mendoni me kujdes, që në fillim, se si doni ta ndërtoni albumin dhe cilat janë fotografitë që dëshironi të jenë pjesë e tij. Fotografitë mund të shoqërohen me dedikime që ju lidhin si çift ose shprehje të personalizuara, të cilat, sa herë t’i kujtoni, t’ju risjellin të njëjtat emocione dhe kujtime të bukura.

Në fotografi nuk duhet të përfshini vetëm drekën apo darkën e dasmës, por edhe ceremoninë e celebrimit, pra momentin kur secili nga ju është duke u bërë gati. Natyrisht, këtu nuk duhet harruar seti artistik i realizuar në natyrë, në det apo në mal. Ai do jetë një nga kujtimet me të bukura që do ta shfletoni gjatë gjithë jetës.

Impenjohuni të dy si çift për të bërë foto interesante dhe të veçanta. Një shprehje thotë: “Fotografia nuk është vetëm për fotografin. Gatishmëria e çiftit për të kaluar mirë dhe për të shijuar momentin, e çon fotografinë në një tjetër nivel, përtej një çasti të ngrirë, në një sekuencë të shkurtër kujtimesh, që të ngjallin emocione dhe ka brenda shumë dashuri.”

Ndërtoni magji me fotografitë e një ditë të tillë, që shumë vite më vonë t’ua transmetoni fëmijëve apo nipërve tuaj.