Media britanike sugjeron disa vende që duhen vizituar nga udhëtarët e huaj.
Jo vetëm riviera shqiptare po tërheq vëmendjen e mediave të huaja, por edhe qyteti i Tiranës, i cili po rekomandohet gjithnjë e më shumë si destinacion pushimesh.
Këtë herë është media britanike 'iNews' që sugjeron kryeqytetin e Shqipërisë, i cili sa vjen e po zhvillohet më shumë. Nisur nga xhamia e shekullit të XVIII e Et’hem Beut, e cila ndodhet në cepin juglindor të sheshit Skënderbej.
Kjo xhami gjatë komunizmit ishte e mbyllur, por u rihap në vitin 1991 dhe u rinovua në 2021.
Artikulli ndalet edhe te Kalaja e Tiranës. Brenda mureve të restauruara prej guri të shekullit të VI, të ngritura nga perandori Justiniani i Madh, ndodhet një vendkalim i bukur, në qiell të hapur, i stilit italian, me bare dhe restorante elegante që shërbejnë kuzhinën bashkëkohore shqiptare.
Gjithashtu, sugjeron edhe malin e Dajtit. Përmes teleferikut 'Dajti Express' vizitorët mund të shkojnë në majën e malit. Në malin e Dajtit ka restorante të shumta ku udhëtarët e huaj mund të provojnë gastronominë shqiptare.