Para disa vitesh, telefoni me fill, doli krejtësisht jashtë mode dhe duket sikur të njëjtën rrugë po ndjek edhe ai celular. Tani ndodh rrallë të na vijë një SMS normal në telefonin celular dhe zilja klasike e thirrjeve nuk dëgjohet si dikur. Arsyeja është shumë e qartë, janë aplikacionet që me anë të internetit mundësojnë komunikim të shpejtë. Dhe duket sikur nuk do themi më “Më merr në telefon”, por do e zëvendësojmë me “Më merr në Viber” ose “WhatsApp”.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, sipas Top Channel, raporton se për vitin 2016, përdorimi i internetit nga rrjetet e telefonisë së lëvizshme është rritur me 110%, krahasuar me një vit më parë. Për një periudhë trevjeçare nga viti 2013 deri në 2016-n, rritja është më shumë se 10 herë.

Nga ana tjetër, sipas të njëjtit burim, sasia totale e thirrjeve telefonike të gjeneruara nga përdoruesit e celularëve gjatë vitit 2016 u reduktua me 8%, në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që numri i mesazheve “SMS” të dërguara nga përdoruesit celularë rezultoi me një rritje modeste prej 1%.

AKEP nënvizon se ndryshimi i tendencave të shërbimeve tradicionale nga rrjete celulare, si thirrjet dhe “SMS”-të, vjen nga përdorimi i aplikacioneve “Over The Top”, siç jane “WhatsApp”, “Viber”, apo edhe përdorimi i rrjeteve sociale, si “Facebook” dhe “Instagram”, përmes “smartphone”-ve.

Numri i përdoruesve aktivë të celularëve në fund të vitit 2016 ishte 3.4 milionë vetë, me një rënie vjetore 2.1%, kurse numri i përdoruesve aktivë të internetit nga rrjetet celulare 3G dhe 4G, në vitin 2016 ishte rreth 1.7 milionë vetë, me një rritje prej 30% krahasuar me 2015-n.