Rrezikshmëria nga koronavirusi është ngjarja më e rëndësishme për momentin dhe nuk ka edicion informativ që nuk i kushton vëmendje. Kush mund ta parashikonte virusin që po përhapet me shpejtësi në shumë vende të botës? Ne do të thoshim askush, por shumë njerëz nuk mendojnë kështu.

Fansat e filmit të famshëm të animuar "The Simpsons" janë të bindur se filmi ka parashikuar koronavirusin dhe askush nuk ua heq nga mendja. E gjitha kjo nisi në rrjetet sociale, kur disa njerëz hodhën hipotezën se krijuesi i Simpsons, Matt Groening e parashikoi koronavirusin që në vitet`90.

Bëhet fjalë për një episod të 1993-shit, ku banorët e Springfield porositin blendera nga Japonia. Një prej punëtorëve të fabrikës në Japoni sëmuret dhe kollitet mbi gjithë blenderat para se t’i nisë për në Shtetet e Bashkuara. Si pasojë, gripi i quajtur Osaka mbërrin në Amerikë. Pasi mbërrijnë porositë të gjithë sëmuren dhe pas përhapjes së Osaka Flu, shkaktohet një kaos masiv.

Ky episod ka marrë një vëmendje të madhe dhe të gjithë në Twitter po diskutojnë mbi ngjashmërinë e situatës së krijuar në film, me atë që po ndodh sot në botë. Vetëm se ka një ndryshim, sipas Simpsons, Osaka Flu erdhi nga Japonia, ndërsa koronavirusi e ka prejardhjen nga Kina. Mirëpo njerëzit s’duan t’ia dinë, pasi janë të bindur se edhe kjo është një ndër ngjarjet e shumta të parashikuara nga The Simpsons.

Kjo nuk është hera e parë që përflitet për ngjarje të parashikuara nga seriali i animuar. Sulmet e 11 shtatorit, vdekja e gorillës Harambe, skandali i mishit të kalit, zgjedhja e presidentit Trump etj., janë disa prej ngjarjeve që mendohen të jenë parashikuar nga The Simpsons.