
Miliona ndjekës janë zhdukur brenda pak orësh nga profilet e famshme në Instagram dhe rrjeti po zien nga reagimet. Shumë përdorues raportuan rënie të menjëhershme të numrit të followers, ndërsa platforma duket se ka nisur një “spastrim” masiv të llogarive false, joaktive dhe spam.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Instagram ka ndërmarrë një operacion të gjerë për të eliminuar bot-et dhe profilet e dyshimta, duke prekur jo vetëm përdoruesit e zakonshëm, por edhe emra shumë të njohur të showbiz-it dhe sportit.
Mes personazheve që kanë humbur miliona ndjekës përmenden Kylie Jenner, Cristiano Ronaldo, Taylor Swift dhe anëtaret e BLACKPINK. Raportohet se disa profile kanë humbur deri në disa milionë followers brenda një dite.
Në rrjetet sociale, shumë përdorues thanë se panë rënie të menjëhershme edhe në profile personale apo faqe biznesi. Në Reddit, përdorues të shumtë raportuan se pothuajse të gjitha llogaritë e mëdha pësuan ulje të ngjashme në numrin e ndjekësve, duke e lidhur këtë me një pastrim global të profileve joautentike.
Sipas mediave të huaja, një zëdhënës i Meta ka sqaruar se bëhet fjalë për proces rutinë të heqjes së llogarive joaktive dhe profileve që shkelin politikat e platformës.
Ekspertët e rrjeteve sociale thonë se kjo lëvizje mund të ndikojë fort te influencerët dhe bizneset që janë mbështetur te ndjekësit e rremë për të rritur artificialisht popullaritetin e tyre. Ndërkohë, shumë përdorues e kanë cilësuar këtë si “pastrimi më i madh” që Instagram ka bërë vitet e fundit.
