Këtë herë Alketa kishte vendosur që pyetjet t’I bënin fansat dhe ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Dhe e vetmja sfidë ishte të ndalje kureshtjen…për familjen, televizionin, për recetat sekrete, që nga ato për formën trupore te ato të suksesit në biznes. Sepse Alketa nuk kufizohet vetëm te një aktivitet. Është duke drejtuar një nga spektaklet më të ndjekur të sezonit në TV Klan, “Dance with me” dhe njëkohësisht drejton biznesin e saj të organizimit të eventeve “Class by AV” bashkë me revistën online Class. Duket si një çmenduri, por jeta e Alketës kështu ka qenë që në adoleshencë, kur nisi të punonte paralelisht me shkollën, kështu funksionon ajo, duke u marrë me shumë gjëra njëkohësisht dhe duke i bërë njëlloj mirë. Përjashtim nga rregulli? Edhe quajeni! Rëndësi ka që ia del. Sigurisht nuk harron të karikojë bateritë. Nuk është e thënë të shkojë larg për të gjetur qetësinë, mund ta gjejë edhe në shtëpi, me lodrat që sajon me fëmijët, aq më tepër që në këto kohë festash ka shumë më tepër për të bërë, është bredhi, janë biskotat, dhuratat…Ky rrëfim i përmban të gjitha ngjyrat dhe aromat, që nga ato të skenës, të festave që organizon, të fëmijërisë dhe të ditëve të veçanta që po afrojnë.
Alketa dhe Media
Ç’ profesion tjetër do doje t’i shtoje koleksionit tënd? Cili do ishte profesioni që do bëje përveç atij që bën tani?
Do të kisha qenë mjeke me siguri! Më shumë e imagjinoj veten pediatre, të kujdesesha për fëmijët. Madje kam ndjesinë që në një jetë tjetër kam qenë mjeke:-) Megjithatë në art jam e kompletuar dhe e përmbushur!
Ëndrra jote është të punosh gjithmonë në TV apo ke dhe ëndrra të tjera? Në qoftë se po, cilat janë ato?
Më pëlqen adrenalina e biznesit. Kam një forcë kreative që nuk resht asnjëherë, fantazi që është mbrujtur mirë dhe pasuruar me librat që më blinin nëna dhe babai që fëmijë! Kam shumë projekte dhe ide në kokë për sa i takon biznesit. Ka edhe një të veçantë në të gjithë këtë: dëshira ime për biznes lidhet me dëshirën time për të gëzuar njerëzit, për t’u dhënë shërbimin që meritojnë në këmbim të besimit, lidhet gjithmonë fort me atë që unë “e dua fort atë që bëj”, nuk sforcohem ta dua. Nëse s’më lëviz diçka në zemër, le të jetë biznes fitimprurës, nuk do ta bëja dot…Ky është një 10 vjeçar i rëndësishëm për mua!
Çfarë mendimi keni për mënyrën se si funksionon media në Shqipëri?
Në kontekstin ekonomik e shoh në vështirësi të madhe, por nuk do të ndalem këtu. Ndërsa konteksti socio-politik i medias lë vërtet për të dëshiruar në Shqipëri...gazetarët vihen vazhdimisht nën presion e censurohen nga pronarët e tyre, nga biznesmenë të cilëve u preken interesat, nga politikanë të cilët duan sa më shumë aleatë në rrugën e tyre pa qenë të interferuar, por edhe nga artistë e njerëz publikë që për të paketuar sa më mirë imazhin e tyre (editojnë pafund artikujt dhe duan kontroll të plotë mbi atë që shkruhet duke cenuar këndvështrimet e gazerarit)...Media duhet të jetë e lirë, gazetarët të raportojnë vërtetësisht lajmin për të informuar qytetarët e tyre, qeveritë e tyre, ekonomitë e tyre dhe mediat e huaja. Madje as blogger-ët dhe analistët që janë “të pavarur” nuk janë mjaftueshëm të lirë dhe objektivë me ndonjë përjashtim të vogël! Dua vërtet ta përdor mirë si medium komunikimi revistën Class online. Kjo revistë nuk është imja, është e të gjithëve që duhet të shohin reflektimin e tyre si në një pasqyrë…
Vazhdimisht shohim blogger-a dhe njerëz që duan të bëjnë polemikë me personazhin tuaj. I sheh profilet e tyre online dhe si reagon?
Jam shumë e lidhur me teknologjinë.E adhuroj dhe e përthith rrufeshëm informacionin dhe transformimet e teknologjisë. E falenderoj Steve Jobsin për revolucionet që ka sjellë, sepse na e ka bërë më të thjeshtë punën. Por nuk kam kohë të ndjek njerëzit që bëjnë polemikë me personazhin tim edhe pse ndonjëherë miq të mi “alert” gjithmonë, më nisin ndonjë screenshot statusesh banale, por jam vajzë e rritur dhe e vaksinuar tani, s’më bën përshtypje. Kjo është edhe krejt normale kur je në këtë industri dhe je “faktor”. S’kam kohë ti ndjek zhvillimet rreth personazhit tim…Unë mendoj “big”, dhe kam shumë gjëra dhe projekte të mëdha përpara.
Mendoni që një eksperiencë ndërkombëtare në prezantim ose gazetari, do të ishte një stoli në karrierën tuaj të stuhishme? Ka mundësi të ndodhë?
Është globalizuar tani media. Sidomos kur i përket patentave ndërkombëtare ke ndjesinë që je në çdo kontinent sepse je pjesë e markave që konceptohen si një familje e madhe ndërkombëtare!

Cili është emisioni që ju ka pëlqyer dhe ju ka përfshirë më tepër?
Emocionalisht “Më shumë dashuri”. Nga pikëpamja spektakolare X Factor-i dhe Dance With Me!
Alketa dikur dhe sot
Ku i kalonit pushimet verore gjatë fëmijërisë suaj?Çfarë kujtoni nga fëmijria juaj?
Në rrugët me kalldrëm të Korçës i kaloja. Me gjyshen që më bënte petanik që në mëngjes, që më sillte një tas me qumësht me përshesh buke pranë sobës ku flija, që për “zemër” më zbriste në oborr pak bukë me gjalpë të rrahur dhe domate Korçe, ndërsa në pushimet e Vitit të Ri, petkat e ngrohta dhe bakllavatë me peta të holla si fletë gazete. Tërë jetën do më ndjekin sensacionet e asaj fëmijërie të bukur, të lirë, e të shpenguar. Për emrat… jam pak keq me kujtesën, por i përshëndes të gjithë ata që më kujtojnë nga ajo kohë.
Cili është misioni që i ke vënë vetes?
Të mos humbas njeriun që është tek unë! Të mbetem njeri i mirë!
Sa keq të vjen për njerëzit e varfër ? A dhuron për bamirësi?
Oh do të doja vetëm me filantropi të merresha një ditë!

Cili është sekreti që jeni gjithmonë kaq në formë? Koha duket sikur nuk kalon për ju…
Ushqehem me kujdes dhe bëj jetë sportive. Genet kanë bërë punën e tyre, por Perëndia dhe natyra kanë qenë bujare me mua. Zoti të më lërë kështu siç jam lutem. Nuk dua asgjë më tepër veç shëndetit!
A ka pasur raste kur bota është përmbysur për ju? Ku e keni gjetur motivin për të vazhduar më tej?
Fatmirësisht jo deri tani!Është përmbysur për mirë.Nga një fëmijëri me sakrifica, në një jetë të bukur harmonike.
A keni arritur gjithçka që keni ëndërruar në jetë deri tani? A ndiheni e realizuar?
Jeta është një përpjekje e pafund për të zbuluar dhe arritur gjëra. Them që 30- vjetorin e festova e plotësuar dhe e përmbushur!
A je e lumtur siç dukesh në TV?
Gjithmonë jam e lumtur, por kurrë s’do të isha e gëzuar në skenë nëse s’do të isha e lumtur në jetë. Do ish teatër i vështirë për mua...Tjetër gjë është pastaj profesionalizmi për të maskuar diçka që nuk shkon në një ditë pa diell kur ti duhet të jesh në një transmetim live. Këto, pastaj, janë ligjet e profesionit dhe televizionit!
Cila është arsyeja më e madhe e buzëqeshjes suaj?
Fakti që jetoj jetën që dua!
Të gjithë kemi bërë në jetë gjëra për të cilat jemi penduar, apo le te themi nuk ndihemi krenarë që i kemi bërë. Ju cfarë do ndanit me ne lexuesit?
Nuk kam pengje dhe e vë kokën e qetë në jastëk çdo natë para se të fle dhe ëndërroj si fëmijë akoma...Ëndrrat janë dëshira; kur ti fle s’ke kohë të mendosh, por lumturinë duhet ta gjurmosh atje ku dëshirat drejtojnë.
Cfarë do të doje të ndryshoje në jetën tënde?
Do të doja të kisha më shumë kohë për të lexuar.
Një femër e bën të bukur bukuria që ka apo me para mund të zgjidhet gjithçka?
Paratë janë thjesht mjeti që ndihmon në realizimin e një vizioni. Shkurtojnë kohë e zgjidhin pengesa, por nuk e blejnë dot as jetën, as lumturinë, as suksesin! Duket si klishe kjo, por është kështu...Paratë vijnë gjithmonë me punën. Kush punon do të shpërblehet! Bukuria pastaj, është një nivel i lartë ndërgjegjësimi për t’u kuruar; femrat mbërrijnë në një stad të caktuar pjekurie mendore dhe emocionale dhe pastaj shndërrohen në ato që meritojnë të jenë (thotë një mikja ime e mençur).
Ke shumë frymëzim në punën tënde dhe ke korur sukses, por meqënëse përflitet, pyetja ime është: merita mos u takon edhe operacioneve që ke bërë edhe pse je shumë e talentuar?
Operacioni i hundës 11 vjet më parë nuk është kriter suksesi:-). Suksesi varet nga talenti: talenti është një dritë që o e ka, ose nuk e ka të dhuruar nga natyra njeriu, sado të lodhet. Dikush lind me talent dhe punon “të bëhet”, dikush s’arrin dot e ngelet në tenativë. Puna ekzalton talentin!
Sa operacione plastike ke bërë?
Një dhe vetëm një, hundën:-), por është pyetje shumë e lodhur kjo tani. Besoj është hera e fundit që i përgjigjem! Suksesi nuk është tek hunda, ju siguroj!
Çfarë mendoni për femrat që bëjnë ndërhyrje?Ju a keni ndërhyrë në gjoksin tuaj?
Unë e di që vajzat kanë shumë kureshtje për këto pyetje. Nuk po hezitoj të përgjigjem.Mendoj që është e drejta e çdo njeriu të bëjë atë që e bën të ndihet më mirë, sidomos kur shërimi i një kompleksi ndihmon sigurinë dhe të vetëndjerën e një femre.
Unë jam për gruan natyrale kur ajo është e bukur nga natyra dhe jam për ndonjë ndërhyrje të vogël kur kjo përmirson. Por nuk jam për ekzagjerimin e tipareve të prekur nga bisturia apo botoxi edhe kur mosha bëhet një kërcenim.Duhet finesë dhe profesionalizëm i madh i mjekëve që bëjnë këto lloj ndërhyrjesh, një pjesë e mirë e vajzave duken si maskë.Kjo nuk më pëlqen.
Unë fëmijët i kam ushqyer me qumësht gjiri dhe jam shumë e kënaqur që kam mundur ta jetoj këtë emocion. Asnjë operacion ne gjoks.

Alketa dhe familja
Si i keni lindur fëmijët?
Të dy me operacion, por ka shkuar shumë mirë.
Alketa, pse nuk e prezanton bashkëshortin dhe fëmijët?
Sepse i kam shumë të shtrenjtë për t’i ndarë me publikun që s’ka lidhje me ta përveç kureshtjes njerëzore. Që ne jemi bashkë të lumtur edhe pas 12 vitesh, është edhe sepse kemi ditur të mos kufizojmë njeri-tjetrin në gjëra që cenojnë lirinë e zgjedhjeve! Bashkëshorti im ushtron një profesion tjetër jashtë kamerave, unë thjesht e respektoj!
Po fëmijët pse nuk i njohim?
Sepse jam supersticioze dhe mendoj se i mbroj duke mos i ekspozuar. Pse duhet t’i nxjerr kopertinave? Çfarë të mire sjell kjo? Ata nuk janë instrumente që t’i përdor për famën dhe egoizmin tim. Kur të rriten mund ta vendosin vetë me koshiencë të plotë nëse emri dhe portreti i tyre do të jetë për konsum publik apo jo. Diskrecioni im është edhe një mënyrë për të mbrojtur gjërat e shtrenjta në vendin më të sigurt: në zemrën dhe shpirtin tim!
Mendon që jeni një nënë e mirë?
Mendoj që jemi një model i mirë, pratik më shumë se sa teorik. E jetojmë bukur familjen. Nuk i shmangem asnjë detyrimi prindëror. Shkoj rregullisht në shkollat e kopshtet e fëmijëve, bëj bredhin e Vitit të Ri me ta, i shoqëroj në ditëlindje, rri gjithë natën zgjuar kur kanë temperaturë, u lexoj libra, kërcej me ta me flokët e pakrehur duke u hedhur në krevat sapo zgjohem, iu bëj pasta shumë të mira, bisedoj me ta sikur janë të rritur, udhëtojmë gjithmonë të katërt për pushime. Jam si gjithë mamatë e tjera të kësaj botë, që adhurojnë krijesat e tyre.
Definicioni juaj i lumturisë?
Pak bukë e thekur me djathë dhe një gotë verë pranë zjarrit, me fëmijët që hapin dhuratat poshtë pemës për Krishtlindje dhe me “dashurinë time” duke i dhuruar një pulovër kashmiriâ¤.
Është e vështirë të jesh një femër në karrierë dhe njëkohësisht të kesh një familje të shëndetshme?
E thjeshtë nuk është! Kërkon në radhë të parë kompatibilitet në çift. Njerëzit kur duhen, duhet ta ndihmojnë njeri-tjetrin të rriten, jo të pengohen. Duhen dhe ndihma. Unë kam qenë shumë e ndihmuar. Të dyja gjyshet biologjike të fëmijëve, por edhe “nënat e ardhura”, më kanë ndihmuar pa fund. Pa to, nuk di si do të bëja. Kërkon dhe një aftësi të mirë organizimi. Është provë e vështirë, e bukur por edhe më kuptimplota, familja. E kam kaluar me sukses, e gëzoj dhe jam e bekuar!
Alketa dhe biznesi
Prej disa kohësh i jeni përkushtuar një biznesi mjaft të suksesshëm. Kjo ka ndodhur sepse keni kuptuar në kohë që bota e televizionit është e përkohshme apo kjo ka ardhur natyrshëm duke realizuar në këtë mënyrë një tjetër ëndërr tënden?
“Emri dhe puna ime duhet të kthehen në një brand garancie dhe suksesi përtej TV”. Kështu mendoja që 14 vjeçe! Njerëzit duhet thjesht që këtë emër ta lidhin me gjëra të bukura, të garantuara, të bëra mirë dhe me dashuri… të suksesshme! "Class by AV" është provë e kësaj filozofie të thjeshtë!
Alketa ti je e kënaqur me çdo gjë që ke pasur në jetë apo kërkon gjithmonë më shumë nga vetja jote?
Mendoj që balanca është gjetja më e rëndësishme që dikush zbulon në jetë. Unë jam tek Balanca. Në harmoni të plotë me gjithçka. E kam gjetur atë pikë dhe nuk kam asnjë tundim për më shumë e për më tepër...
Përse vendosët të hapnit këtë biznes: për pasion, apo për më shumë fitime?
Për të parën më tepër, e dyta është rrjedhojë, por jo shkak....Por udhëhiqem edhe nga një dëshirë e zjarrtë për të përmirsuar ndjeshëm sektorin e shërbimeve në Shqipëri. Kam shumë respekt për klientin dhe për cdo qindarkë që paguan në adresë të biznesit tim. Dua më të vërtëtë të sjell një shërbim model në Shqipëri. Trajnoj vazhdimisht punojësit dhe nuk më shpëton asnjë detaj jo etik osëe jo estetik. Është një ritual pritjeje special, eskperienca që njerzit kalojnë në zyrat tona.
Përse duhet të zgjedhim Class?
Sepse Class është një zgjedhje e sigurtë përsa i përket cilësisë, produkti ofrohet me cmim të arsyeshëm, dhe shërbimi I shkëlqyer i klientit është bërthama e filozofisë tonë.
Sa je ti pjesë e punës së përditshme tek Class?
Punoj sistematikisht për të rritur biznesin. Jam një manaxhere e zellshme dhe merrem me cdo cështje të administrimit të biznesit siç duhet.
Marketingun dhe manaxhimin i kam dhunti, i kam studjuar, tani në praktikë po i perfeksionoj.
Shoh çdo ide, çdo dosje, di gjithçka për çdo klient.
Merresh vetë edhe me dekoret?
Class ka një drejtor të talentuar artistik, piktor dhe skenograf dhe një skuadër të rinjsh të talentuar. Produktet e dekoreve blihen me sqimë nga unë dhe kolëgët e departamentit.
Në përgjithësi merrem vetë me ide zhvilluese. Edhe në shtëpi që e vogël, trashëguar nga mami , kam pasur dobësi për t’i dekoruar tavolinat bukur, për të ndezur një qiri, për të vënë në vazo lulet e freskëta.
Cdo mëngjes në SHOWROOM, NËSE muzika nuk është on, gocat dëgjojnë një zë që thërret: muzikën.
Jeta ime është muzikë! Çelësi i solit: dashuria. Duket poeteske, por unë jam një romantike e paepur.
Revista Online ka qënë një sukses i menjëhershëm. Si ju lindi kjo ide?
Ka qënë një nevojë e brëndshme për të shkruar dhe për të frymëzuar njerzit me ide që e bëjnë jetën më të bukur. Class është një guidë për të jetuar mirë, shëndetshëm, me elgancë. Gjithçka po shkon drejt online-it dhe ky është një trend që e kam rrëmbyer menjëherë.
Punoj me një staf gazetarësh, dizajnerash dhe programuesish dhe revista në 2 muaj është një ndër 10 portalet më të klikuar.
Do të jemi shumë shpejt në Top 5 ëebsitet. Tani kam një tjetër medium alternativ komunikimi që u përket të gjithë njerëzve, jo vetëm interesave të mia.
Cila është filozofia juaj e suksesit?
Te bësh përpara si Sheryl Sandberg, CEO i Facebook librin e së cilës e lexova me një frymë....tamam si për të forcuar disa ide të mira.
Edhe kur rrugës del ndonjë pengesë, edhe kur has komente të çuditshme rreth punës dhe personit tënd, të dish të manaxhosh emocionet e tua dhe të hedhësh një hap më të madh, për te ecur përpara!
