“Belle, c'est un mot qu'on dirait inventé pour Elle”… Edhe nëse mosnjohja e gjuhës frënge i tret kufijtë mes fjalëve, është muzika që na e kujton menjëherë këngën “Belle”…Dhe nëse, për eksperiment, do mbyllnim veshët me duar, muzika vazhdon në kokën tonë, madje me zërin gurgullues të Garou. Musical-i “Notre Dame de Paris”, ku bën pjesë dhe kjo këngë, është përkthyer në disa gjuhë dhe është luajtur në shumë shtete nga artistë të ndryshëm, por është varianti origjinal i kastit që e ka interpetuar për herë të parë në vitin 2008 në Paris kompozimin e Riccardo Cocciante-s, që ka mbetur në kujtesën e gjithë botës. Sepse është Parisi! Vendi ku ndodhet  Notre Dame. Katedralja që Victor Hugo e bëri edhe më të famshme. Vendi ku zhvillohen ngjarjet e romanit të përshtatur në musical. Është në frëngjisht! Në gjuhën që është shkruar në origjinal nga Luc Plamondon.

Dhe këtë nëntor, plot 15 vjet nga hera e fundit që është luajtur në Paris, Notre Dame de Paris rikthehet aty. Dhe kjo ngjarje e rëndësishme për musical-in, për artistët që e kanë krijuar, për ata që e intepretojnë dhe për Francën, do të jetë edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për këngëtaren shqiptare Elhaida Dani. Elhaida është Esmeralda e kastit të dytë të këtij musical-i.

Notre Dame me regji të Gille Maheu, do të nisë më 23 nëntor në Pallatin e Kongreseve të Parisit për të vijuar me rreth pesë shfaqje në javë deri më 8 janar. Do të jenë dy kaste artistësh dhe Elhaida është Esmeralda e njërit prej tyre, ndërsa Quasimodo do të interpretohet nga Angelo Del Vecchio dhe prifti, Frollo, nga Daniel Lavoie, që ka interpretuar edhe në premierën botërore me Garou dhe Patrick Fiori. Është një nga ngjarjet më të mëdha artistike dhe ndjesitë e rralla që ka nisur të përjetojë qysh tani, Elhaida, janë mëse të kuptueshme.  Do të lërë pas Triesten, ku ka jetuar vitin e fundit dhe Italinë ku jeton që prej vitit 2013, për t’u nisur drejt atij qyteti ku janë drejtuar në vite, piktorët më të mirë, artistët bohemë të gjithë botës. Ndoshta për të nisur një faqe të re të jetës dhe karrierës së saj sepse Elhaida, bashkë me përvojën e re të musical-it, po bëhet gati për të provuar edhe Parisin.

Elhaida, ndihesh gati?

Mendoj që po, edhe pse jam shumë e emocionuar. Kam kohë që përgatitem për këtë shfaqje, bëj çdo ditë 3 orë dance, 2 orë palestër, së fundmi edhe not. Kam humbur 10 kilogramë për të qenë në formë për rolin, por edhe vetë ndihem mirë kështu. Kam 4 muaj që marr mësime frëngjishteje. Nuk jam ende një frëngjishtfolëse shumë e zonja, por shpresoj që jetesa në Francë do më ndihmojë të përmirësohem. Prej kohësh bëj regjistrime këngësh, prova kostumesh, prova me regjisorin, koreografin dhe tani nuk ngelet veçse të provoj skenën.

Kur nisesh?

Më 3 tetor nisem për Paris. Do të vendosem atje, për provat dhe shfaqjen që nis më 23 nëntor e vazhdon deri më 8 janar dhe ku i dihet, për të qëndruar më gjatë.

Foto: Orsola Mema Class Photography

Do të interpretosh për herë të parë në Paris, apo jo? Dhe për herë të parë edhe në një musical. Si ndihesh?

Oh, kjo shfaqje ka shumë premiera. Kthehet në Paris, aty ku është luajtur për herë të parë, pas 15 vitesh dhe kjo e bën një ngjarje artistike të rëndësishme për Francën. Për mua, është musical-i parë. Dhe është e vërtetë, që është hera e parë që këndoj në një skenë të Parisit. Madje edhe në një skenë të këtij lloji. Në Pallatin e famshëm e të madh të Kongreseve. Për të gjitha këto arsye, kjo shfaqje është shumë e rëndësishme për mua.

Si u bëre pjesë e këtij projekti?

Unë, kam shumë kohë që përgatitem për këtë projekt. Që të nesërmen e natës finale të The Voice, trajneri im, Riccardo Cocciante, gjatë një darke me të dhe bashkëshorten e tij, më tha që më mendonte në rolin e Esmeraldës. Ai është kompozitori i këtij musical-i dhe autor i shfaqjes që merr pjesë në audicionet që bëhen në Evropë, Amerikë e Azi, për të krijuar kastet që e interpretojnë në shtete të ndryshme në të gjithë botën. Që nga ajo mbrëmje edhe unë kam bërë audicione. Sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Në një musical nuk mjafton vetëm zëri, duhet intepretimi, aftësitë e duhura në vallëzim, fiziku. Megjithatë unë e desha shumë këtë projekt, kam punuar fort dhe tani ja ku jam, duke shpresuar që do shkojë gjithçka mirë.

Mendon që do përmendet gjatë muajve të shfaqjes që aty interpreton një vajzë nga Shqipëria?

Edhe nëse nuk e përmendin ata, do kujdesem unë që të përmendet. E di që kjo është kthyer në një frazë shabllon, por unë vërtet jam krenare që vij nga Shqipëria. Vendlindja është shumë e rëndësishme për mua. Më pëlqen shumë edhe si reagojnë njerëzit kur ua them… “Aah Albania”, janë të surprizuar dhe kështu që unë e them gjithmonë me shumë qejf.

Nuk e ke menduar që largimi nga Italia, apo dhe nga muzika bashkëkohore, mund të dëmtojë investimin e deritanishëm dhe njohjen tënde aty? Apo për ty, projektet serioze artistike vlejnë më shumë sesa fama komerciale?

Fama është me të vërtetë shumë relative. Unë, të them të drejtën, kam qëndruar gjithmonë në rrugën që mendoj që të çon te muzika e mirë dhe te projektet me vlerë. Sigurisht, çasti, ftesat për koncerte, festivalet, televizioni, janë tunduese, por tani që kam kuptuar deri diku si funksionon bota e muzikës nuk intrigohem shumë. Është e vështirë edhe për njerëzit më të afërt të më kuptojnë, por kjo është rruga ime. Mundohem të qëndroj me këmbë në tokë dhe t’i hedh hapat e matur. Edhe për musical-in kam dy vjet që përgatitem.

Po pas musical-it e ke menduar çfarë do të bësh?

Sigurisht që po. Unë e di që musical-i do të mbarojë një ditë. Është shumë i rëndësishëm, por rëndësia e tij nuk mund të mbushë gjithë jetën dhe karrierën time. Unë kam nisur ndërkaq punën për një album në Itali. Pesë këngë i kam përfunduar, do të punoj më vonë edhe për të tjerat. Mendoj ta përfundoj pas një viti e gjysmë.

Por ndërkohë, po mendon që të qëndrosh në Paris më gjatë sesa shfaqja?

Unë jam një njeri që nuk mund të rri gjatë në një vend. Më pëlqen të përjetoj provoja të ndryshme në vende të ndryshme që kanë ndikim në jetën dhe karrierën time. Dhe Parisi është një qytet që ofron shumë dhe do doja ta provoja. Nuk e di sa do ia dal. Disa miq më thonë që varet nga personaliteti i njeriut, të tjerë që do e kem të vështirë me natyrën time të mbyllur, edhe pse unë kam ndryshuar vitet e fundit, por mbetem natyrë e drojtur dhe ka edhe nga ata që thonë, që do e kem shumë të lehtë për t’u ndier mirë. Mbetet vetëm ta provoj. Tani më kanë gjetur një shtëpi atje, thonë që është shumë e bukur dhe mezi po pres të shkoj.

Ia ke marrë dorën të jetuarit vetëm? Është e lehtë për një person me axhendë si jotja, të kthehet në shtëpi e të përgatisë vetë darkën apo të merret me punë të tjera shtëpie? Ka raste kur të mungon një çaj apo një fjalë e ngrohtë?

Oh, unë kam zbuluar që jam shumë e zonja për të jetuar vetëm. Dhe madje e kam shumë të nevojshme atë lloj qetësie që të fal shtëpia në mbrëmje. Sigurisht, më mungon prania apo ndihma që kisha nga mami në shtëpi, mbështetja psikologjike që im atë më jepte, kur mblidheshim në darkë, vëllezërit që tani i kam shokë, megjithatë tani jam mësuar me jetën vetëm. Sigurisht me familjen vazhdoj të komunikoj shpesh për të marrë atë mbështetje që kam nevojë. Dhe meqë më pyetët për punët e shtëpisë, unë tani nuk e kam problem fare të vë lavatriçen, apo të gatuaj në darkë. Kam pak problem të laj enët pas saj, por nuk kam çfarë të bëj.

Dhe në shtëpi, çfarë muzike dëgjon?

Ahahah, më komercialen e mundshme. Po, po…Sigurisht pastaj nxjerr albumet e Etta James, Louis Armstrong, Michael Jackson, por ka dhe raste kur dëgjoj Justin Bieber. Muzika që më frymëzon është jazz-i, blouse-i, muzikë e vërtetë që e dëgjoj kur dua të hyj e të përqendrohem në botën e saj, të krijoj një atmosferë artistike rreth vetes, por në rastet e tjera, kur thjesht dua të argëtohem, apo të zgjohem nga gjumi në mëngjes, dëgjoj muzikë komerciale.

Gjatë këtyre muajve stërvitjeje intensive, leksionesh danci e të tjerë ke zbuluar ndonjë pasion tjetër tëndin, apo mendon që me të mbaruar musical-i do i lësh dhe ato, për t’u kthyer në ritmin e zakonshëm?

Oh, absolutisht jo. Jam dashuruar me ushtrimet fizike. Dikur kisha alergji nga palestra, ndërsa tani nuk mendoj që do ndaloj më. Gjithashtu, instruktorja më ka thënë që jam mirë në dance dhe më vjen mirë. Unë kërcimtare doja të bëhesha kur isha e vogël, por familja nuk më inkurajoi në atë kohë, sepse ashtu ishin dhe kohët dhe mentaliteti, kështu që tani ndihem shumë mirë që kam mundësi të kërcej.

Për çfarë të vjen keq që do lësh në Trieste?

Unë kam bërë miq shumë të mirë vitin e fundit në Trieste. Kam kaluar shumë mirë dhe më vjen pak keq që do largohem. Kam njohur një vajzë që është bërë shoqja ime e afërt këtu. Me të, madje bëra edhe një udhëtim në verë, ishin pushimet e para të vërteta në jetën time. Një javë në Barcelonë, kushtuar plotësisht vetes, që më shijoi shumë. Por tani më duhet të largohem nga ajo dhe gjithë miqtë këtu, edhe pse sigurisht, komunikimi do vazhdojë. Unë të tillë e kam jetën, me largime, por kjo nuk do të thotë që sa herë iki, shkëpus marrëdhëniet me njerëzit që lë pas. Këto marrëdhënie i marr gjithmonë me vete.

Cilët janë njerëzit që të njohin më mirë, jo vetëm dimensionin tënd artistik dhe publik, por Elhaidën e plotë, gjithçka je?

Familja sigurisht, e para, por mendoj që pas kaq vitesh bashkëpunimi intensiv, më njeh mirë edhe menaxherja ime në Itali, ashtu si edhe shoqja ime në Shqipëri, Orsola, autorja e këtyre fotove.

Dhe është për shkak të Orsolës, fotografes së Class Photography, që Elhaida zgjodhi për këtë intervistë ekskluzive, të parën si Esmeralda e Notre Dame de Paris, revistën Class. Edhe pak ditë dhe ajo niset në Francë. Një vajzë Shkodre në Katedralen e Parisit. Një artiste që nuk i pëlqen të qëndrojë gjatë në një vend, gjen, si me porosi, rolin e vajzës që jetonte me ciganët dhe shënon emrin e saj, emrin e një shqiptareje, pranë atyre që kanë luajtur Esmeraldën, të bukurën që gjithë meshkujt, i këndonin “Belle”. Ndërsa ajo, sërish si me porosi, do të këndojë “Vivre”, dëshirën e saj “për të vallëzuar, kënduar, qeshur”, dëshirën “për të qenë e lirë të zgjedhë jetën e saj”.