Kampionët janë gjithmonë vetëm…sa më larg të shkojnë dhe sa më gjatë të jenë të parët, por një kampion atletike në Shqipëri është edhe më shumë.
Kjo ndodh dhe me Luiza Gegën, që mban rekordet e 800, 1500, 3000 dhe 3000 metrave me pengesa, atleten që mbajti flamurin shqiptar në Lojërat Olimpike të Rio-s dhe nënkampionen aktuale të Evropës në garën 3000 metra me pengesa. Të gjitha këto nuk kanë ndryshuar asgjë në atë që i ofron vendi i saj. Kampionia merr vetëm 6500 lekë në muaj si sportiste e klubit të Tiranës dhe kaq. Nëse kthehet nga garat ndërkombëtare me medalje, shteti i jep një shpërblim 85000 lekë, por që gjithsesi janë shumë pak për shpenzimet e një atleteje, aq më tepër të nivelit të saj. Megjithatë kjo nuk është një histori numrash, si e tillë nuk do qëndronte dot në këmbë, por është shpirti i sportistes në qendër të saj që e bën të vazhdojë. Ky shpirt ka diçka të pandryshueshme edhe kur mbahet ndër dhëmbë.

Edhe pse nuk është aspak e lehtë. Luiza është pothuaj e lënë vetëm nga shteti i saj, ku mungojnë kushtet dhe mbështetja. Në Tiranë nuk ka një pistë me tartan, pas rrëzimit të “Qemal Stafës”. Më e afërta është në Elbasan, por, për Luizën, të shkojë e të kthehet çdo ditë nuk është aspak e favorshme, pavarësisht që është mësuar me sakrifica. Do të thotë të humbasë kohë rrugës, të lodhë trupin me udhëtimin, por edhe të shpenzojë. Sigurisht, të ishte për pagën dhe shpërblimet që merr nga vendi i saj, nuk do ia dilte kurrë, por me rezultatet që ka arritur merr një bursë të vazhdueshme nga Komiteti Olimpik Botëror me të cilën mbulon shpenzimet edhe pse, sërish, nuk mjafton për t’u stërvitur njëlloj si kolegët.
Në verë, kur atletët e nivelit të saj grumbullohen në fshatrat që funksionojnë si baza stërvitore për sportisë nga e gjithë bota, në Francë ose në Zvicër, ku sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme, ajo mund të shkojë vetëm deri në Korçë, një vend i freskët dhe i lartë, edhe pse jo mjaftueshëm, por ku mungojnë terrenet e përshtatshme. Luiza vrapon në shtigje natyrore, ku këmbët nuk mbështeten mbi një sipërfaqe të drejtë, gjë që nuk është e këshillueshme sepse tendinat tërhiqen dhe mund të dëmtohen, duke krijuar më pas probleme gjatë garave siç i ndodhi në Rio. Por edhe dëmtimet në periudha stërvitore, që në të tilla kushte janë më të shpeshta, janë gjithashtu penalizuese për atletët, sepse ata duhet të ndërpresin stërvitjen dhe kjo do të thotë kthim pas.

Ndërkaq, shumica e atletëve të niveleve të larta stërviten në lartësinë rreth 2000 metra, sepse duke vrapuar në ajër me pak oksigjen përmirësojnë parametrat truporë, për të dhënë rezultate më të mira kur zbresin në pistat e garave, ndërkaq Luiza, në Korçë, duhet të mjaftohet me lartësinë 1450 metër të Rrugës së Arëzit. Por nëse gjatë verës i bluan brenda vetes të gjithë mangësitë dhe kushtet e pabarabarta, në dimër i shfaqen të qarta para syve. Duke qenë që është e pamundur të stërvitet në Shqipëri, sepse stërvitja e vrapimit nuk mund të realizohet në mjedise të mbyllura dhe dimri këtu është me shira, niset për në Kenia. I vetmi që e shoqëron, me shpenzimet e tij, është trajneri Taulant Stërmasi, ndërsa koleget e huaja shoqërohen përveç trajnerit, nga mjeku, fizioterapisti etj., një staf i tërë që kujdeset për to. “Në nivele të larta, stërvitja është aq e detajuar sa nga jashtë nuk konceptohet dot. Në çdo lloj ushtrimi apo gare, sportistit i matet laktati, për të parë cili ushtrim e lodh më shumë dhe ku duhet të përqendrohet. Atleti ka shumë përkujdesje nga një staf i madh, për ushqimin, trupin, gjendjen psikologjike, që të mos ketë asnjë shqetësim dhe të përqendrohet vetëm te gara. Për ne nuk është kështu. Ne nisemi me shpenzimet tona dhe nuk kemi asnjë njeri tjetër. Ata janë një skuadër e vertetë, ndërsa unë shpesh nuk kam një njeri me të cilin mund të shkëmbej një fjalë”, thotë Luiza. Disa javë më vonë, ato atlete që i ka parë të rrethuara nga përkujdesjet e një stafi të tërë, i sheh ngjitur saj në të njëjtën garë. Dhe ne të gjithë mendojmë që starti është i barabartë…

Megjithatë, të gjitha këto vështirësi, mund të kishin lëkundur zgjedhjet e shumë njerëzve për profesionin, por jo Luizën. Për të, të vrapuarit nuk është thjesht një profesion, është mënyra e saj e të jetuarit. Që kur ishte e vogël, kujton të rriturit t’i thoshin “po rri moj, rri pak, në një vend”. Por ajo e kishte të vështirë të ndalej. Ndërsa sot, e ka të pamundur.

Luiza Gega ka lindur në Dibër dhe kur ishte fëmijë, familja e saj u zhvendos në Durrës. Është fëmija i dytë i një familjeje me pesë fëmijë dhe e vetmja që merret me sport. Shpejtësinë e saj e pikasi burri i tezes, i cili i sugjeroi familjes së Luizës ta çonin vajzën në shkollën “Mjeshtëria Sportive” ku ai jepte mësim. “Kur bënim gara rrotull fushës, ngaqë isha dhe më e vogla në moshë, kisha drojë të vendosesha në fillim. Ndodhte që dilja e para, ose e dyta, por ditën tjetër, kur kishim garë, unë përsëri rrija diku në mes të grupit. Ndryshimi ndodhi kur erdhëm në Tiranë për Krosin Kombëtar që zhvillohej nga Kodrat e Liqenit, një garë 3000 metra. Unë dola e para, edhe pse isha më e vogla në moshë mes nxënësve të ardhur nga Durrësi dhe pastaj u bëra në një farë mënyre e njohur në shkollë”.
Kur mbaroi shkollën e mesme, u regjistrua në Universitetin e Sporteve në Tiranë, por nuk ishte aspak e thjeshtë. “Edhe pse familja nuk më ka penguar kurrë për asgjë dhe nuk ma ka shprehur asnjëherë mungesën e mundësive, ishte e qartë që ishte e pamundur të përballonin shpenzimet e mia. Motra e madhe kishte filluar shkollën e lartë dhe punonte, ndërsa unë nuk mund të punoja, ndërkohë që vetëm një palë atlete me thumba, për vrap, kushtonin rreth 150 dollarë”. Duhej gjetur një zgjidhje që gjithsesi nuk do zgjidhte gjithçka.

Luiza kishte nisur të vendoste rezultate shumë të mira kombëtare. Ajo mendoi dhe i këshilluan që duhej të punonte me Taulant Stërmasin, i cili në atë kohë stërviste Klodiana Shalën, rekordmenen në 100, 200 dhe 400 metra në Shqipëri.
Në atë kohë, ai nuk mund ta dinte që sportistja me të cilën do zgjeronte fashën e rekordeve si trajner, pikërisht aty ku i linte Klodi, me 800, 1500 dhe 3000 metra, ishte shfaqur. “Me rezultate të përgjithshme, edhe pse shumë më poshtë, unë vija direkt pas Klodiana Shalës, por sigurisht nuk isha në nivelin e duhur. Trajneri ka një hije shumë serioze dhe e kisha të pamundur t’i kërkoja vetë të më merrte në ekip. Më kujtohet që fillimisht i kam thënë Klodit. Më pas, Taulanti pranoi dhe nisa të stërvitesha me të. Kisha shumë punë për të bërë, por po ecja me hapa të mëdhenj, përmirësoja kohët e garave shumë shpejt”, kujton Luiza. Deri sa erdhi rekordi i parë shqiptar në 800 m, në Kampionatin Botëror në Kore në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ajo vazhdon monolugun e rekordeve, thyen dhe rithyen rekorde kombëtare në garat 800, 1500, 3000 dhe së fundmi edhe në garën e re që i ka shtuar karrierës, 3000 m me pengesa. Më i rëndësishmi ndër ta është rekordi në 1500 metra, i cili kishte 29 vjet në fuqi, i vendosur nga Pavlina Evro, kur Luiza e theu për herë të parë në 2012-ën, në një aktivitet të përvitshëm në Mal të Zi. Sigurisht, nuk mund të mos përmendë, meritat e trajnerit në të gjitha këto rezultate, i cili, për të ndjekur pasionin e sportit, që ka një ritëm që nuk të lejon të bësh një punë të dytë, e ka lënë punën për t’iu përkushtuar plotësisht trajnimit dhe luan shpesh, përveç rolit të trajnerit, edhe të njeriut që i mban ritmin duke e ndjekur me biçikletë, të këshilluesit, deri për ushqimet që duhet të hajë, apo të mbikëqyrësit të medikamenteve që ajo merr kur është pa qejf, qoftë edhe një spray, nëse ato kanë elementë që ndikojnë analizat e dopingut.
Është me të vërtetë e paimagjinueshme nga jashtë, sesi është e organizuar jeta e një atleteje profesioniste si Luiza. Viti ndahet në periudha stërvitjesh, garash dhe rekuperimi dhe ka periudha kur stërvitet deri në 6-7 orë në ditë. Shokët më të ngushtë janë ata të ekipit dhe rrobat që vesh më shpesh, edhe pse shopping-u është aktiviteti i preferuar jashtë pistave, mbeten ato sportive, përgjithësisht Nike, kompania që e sponsorizon me veshjet. Sigurisht ka edhe miq nga fëmijëria, konkretisht dy shoqe dhe dy shokë, por me ata takohet vetëm atëherë kur gjen kohë të lirë, të cilën gjithmonë e ka të paktë. Është mësuar tani me këtë fakt, siç është mësuar edhe familja e saj me mungesat e Luizës për festa e ditëlindje. Dhe sa kohë do të merret me atletikë, kështu ka për të qenë, pavarësisht që ndonjë edhe mund ta këshillojë 28-vjeçaren të mendojë për jetën jashtë sportit, të investojë në një marrëdhënie njerëzore, duke qenë që është single dhe të krijojë familje. Është interesante të dish si e mendon vetë ajo këtë…
“Sporti elitar për fat të keq kërkon sakrifica të mëdha pasi pjesën kryesore të kohës duhet të jesh nëpër grumbullime. Besoj që sporti elitar në Shqipëri është vështirë të kuptohet. Unë e kaloj pjesën më të madhe të kohës me meshkuj, shokë të ekipit, ne jemi si një familje e madhe me ekipin, gëzimet dhe çdo gjë e ndajmë bashkë, por jo të gjithë e kuptojnë këtë mënyrë jetese dhe pse, të them të drejtën mua s’më bën fare përshtypje. Por mendoj që jo, s’do ndërtoja familje për aq kohë sa bëj sport elitar. Sigurisht jeta ka disa ligje të vetat, por për momentin jam e lumtur kështu”, thotë ajo.
Por kjo kohë nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe, ndërsa marrëdhëniet jetësore nuk mund t’i llogarisë me laps e letër, për të tjerat ka bërë një farë llogarie. Bëhet fjalë për angazhimin me të cilin do mbajë gjallë shpirtin e mësuar me sport, por edhe financat, duke qenë që një kampion dhe rekordmen sporti në Shqipëri, përfshirë edhe Luizën, nuk ka të siguruar asgjë për kohën kur do të lërë garat. Ajo aktualisht jeton në një apartament me qira dhe e di që, kur nuk do të vrapojë më, duhet të nisë të punojë nga e para. “S’besoj se do shkëputem kurrë, në një mënyrë apo tjetrën së u marruri me aktivitet fizik. Besoj që do bëj disa gjëra që kanë lidhje me aktivitetin që kam ushtruar si kontributi në Federatë, mbështetur në eksperiencën time, pasi mendoj që e kam goxha të zgjeruar tashmë. Dua që ky sport të ecë përpara. Për fat të keq, masiviteti ka një nivel shumë të dobët. Do përpiqem shumë që kjo të ndryshojë, do përpiqem që gjithë ata fëmijë që kanë talent e pasion t’i afrohen këtij sporti, pasi jam e sigurt që në një të ardhme, emocionet që të jep "mbreteresha e sporteve" do t’i mbajnë mend gjatë, siç do t’i mbaj unë. Ndoshta do punoj dhe me tranjerin tim pasi ai ka hapur një klub atletike "Fortius Athletic Club". Është një klub jo vetëm për atletë, por për të gjithë ata që duan të rrisin performancën e tyre në sportet që ushtrojnë, edhe njerëz të thjeshtë të cilët duan të arrijnë rezultate si p.sh. humbje peshe apo njerëz me pasion maratonat etj.. Është diçka që unë e dua shumë dhe do ta bëj me kënaqësi e pasion.”

Por tani, është ende koha për të menduar për garat. Luiza mendon që ka ende potencial për rezultate të reja. Ajo pranon me çiltërsi pikat të dobëta, siç janë pengesat me të cilat ka nisur të punojë vonë, metrat e fundit, apo dalja nga grupi i atleteve, një “mjeshtëri” që një atlete që stërvitet përgjithësisht vetëm, e ka vështirë ta perfeksionojë, por ajo, bashkë me trajnerin, është e vendosur të punojë dhe është kjo që bën çdo ditë. Fjalët nuk i pëlqejnë shumë sidomos ato të deklaratave me pritshmëri të mëdha para garave. “Nuk më pëlqen të flas para garave dhe më pas të zhgënjej njerëzit”. Ajo ka qenë gjithmonë e prirur më shumë sesa ndaj fjalëve, ndaj rezultateve. Prandaj edhe zgjodhi atletikën. “Atletika është një sport që i ka rezultatet të matshme dhe për këtë më ka pëlqyer gjithmonë”.
Një tip fjalëpak, modeste deri në pabesueshmëri, pak introverte nuk do dilte kurrë në sipërfaqe me fjalë e bërryla. Ajo do vetëm një pistë ku mund të vrapojë. Aty mund ta shohim, siç e kemi parë këto vite jo vetëm të dalë e para në Lojërat Evropiane të Ligës së Tretë ku kategorizohet Shqipëria, por edhe e para në Mitingjet rajonale, kampione Ballkani, e dyta në Lojërat Mesdhetare dhe e dyta në Kampionatin Evropian të Atletikës, duke garuar me atletët më të mirë të kontinentit.
Dhe pavarësisht vështirësive me të cilat përballet para se të hyjë në stadium, në start, për një çast, duket se gjithçka nis nga e para, për t’i dhënë, në pak sekondat e garës, ushqimin e vetëm shpirtit, që e ndihmon atë të vrapojë në javët dhe muajt që do të vijnë. Kur mund të jetë shpesh herë vetëm, nga njerëzit që nuk e kuptojnë apo nga vendi i saj, por, nuk është sekret, merr aq gëzim dhe energji nga atletika Luiza, sa e ka të lehtë të falë, t’i kapërcejë pengesat dhe t’i lërë pas.
