Kur ishte e vogël, ëndërronte të shkonte në Disneyland. Dhe kjo ëndërr iu realizua falë një konkursi talentesh në shkollë ku fitoi çmimin e parë së bashku me udhëtimin për në vendin e përrallave. Tashmë që u rrit, jeta e saj vazhdon të duket si një përrallë e Disney-t, ku princesha e bukur bie në dashuri me Princin e Kaltër dhe jetojnë të dy të lumtur. Vetëm që njerëzit priren t’i adhurojnë përrallat sa janë fëmijë, ndërsa kur rriten, sikur nuk i duan më dhe në vend të dashurisë, ndiejnë inat kur princesha e filmave nuk është një trillim, por një krijesë reale. Duket sikur kjo ndodh edhe me Arminën, që gjithë jetën është pikasur nga të gjithë prej pamjes, si të ishte ajo fajtore për këtë dhe jo të tjerët që nuk morën mundimin për të parë talentin dhe dashurinë e saj për modën, njohuritë për muzikën, varësinë ndaj pozitivitetit dhe mbi të gjitha aftësinë për të realizuar atë që do në jetë, pa konsideruar asgjë të pamundur. Dhe pa e ditur si, është pranuar trajtimi sipërfaqësor i gjithçkaje rreth Arminës, sa të flasësh për aftësitë dhe punën e saj, duket sikur po e promovon, kur thjesht po tregon të vërtetën. Megjithatë, Armina di si të jetë në paqe me të gjitha këto.

Ajo na tregon se beson në energjinë e Universit. E keni parasysh teorinë e famshme që thotë se njeriu i dërgon sinjale Universit dhe gjithçka që na ndodh është ajo çka në të vërtetë ne dëshirojmë dhe mendojmë për veten? Ja pse jeta e saj shkëlqen fort si dielli, sepse ajo është gjithmonë pozitive dhe nëse kjo teori përfaqësohet me Arminën, ndoshta do duhet ta besojmë paksa edhe ne. Por, gjithashtu duhet të besojmë se Armina i merr angazhimet e saj shumë seriozisht dhe fakti që buzëqesh gjithë kohës tregon më shumë për shpirtin, sesa për seriozitetin e saj. Pa dyshim jo një Victoria Beckham kur vjen puna te qasja që ka për modën, por më shumë një Marilyn Monroe moderne, brune që dëgjon muzikë rock dhe njihet si blogere. Kur shikon format e saj trupore dhe fantazinë për t’i kombinuar veshjet, gati-gati të duket sikur ky profesion është shpikur enkas për të. E ndërsa ne mund të na duket se fashion blogging është vetëm qejf, në të vërtetë ajo është një punë si gjithë të tjerat, që kërkon po njëlloj mund, kohë dhe impenjim. Dhe pikërisht në një kohë kur Instagrami ka sfiduar çdo formë tjetër të promovimit, duket se ambasadoret e vetme të kësaj “perandorie” janë ato, blogeret!
Armina Mevlani që na përfaqëson mes radhëve të vajzave të huaja që “bëjnë modë”, na tregon rregullat e kësaj perandorie, ku synimet i ka serioze. Shumë shpejt do të ngrejë një zyrë për t’i dhënë blogut fuqi për tregun e huaj. Na tregon edhe për angazhimin tjetër, butikun “Delirium” dhe punën e madhe që i është dashur për të sjellë në një treg si Shqipëria, ekskluzivitetin e markave ndërkombëtare. Tregon për fëmijërinë dhe pasionet e saj, ku nuk ka munguar kurrë moda, që vazhdon t’i ndjekë si dikur. Në të vërtetë, një nga tiparet e jetës së Arminës, është që thuajse nuk ka ndryshuar, edhe pse disa mund të mendojnë që Armina ka arritur të hedhë hapa viganë edhe sepse ka në krah një partner si Shkëlzen Berisha. Edhe në këtë rast, Armina di si të jetë e qetë. Fundja, disa kanë pasion të komentojnë jetën e saj, ndërsa ajo ka pasion ta bëjë atë jetë sa më të bukur. Dhe e ka pasur që fëmijë këtë dëshirë, kur u kërkonte prindërve ta çonin në Disney Land, duke u rebeluar ndaj çdo përgjigjeje refuzuese, kur i ktheu në diçka normale veshjet e bukura, pushimet me mikeshat, udhëtimet jashtë Shqipërisë për të ndjekur koncertet e artistëve të preferuar, edhe pse mentaliteti shqiptar nuk ia zgjat biletën aq lehtësisht një vajze, për të gjitha këto. Megjithatë Armina e kishte fituar atë liri në familje dhe duke qenë vajzë e vetme e duke punuar që në moshë të re, ka arritur të ketë të ardhurat për të plotësuar dëshirat e saj. Dhe pikërisht kështu ka arritur të jetë blogerja që është sot dhe të plotësojë pak nga pak ëndrrat, ato që kishte para se të njihte Shkëlzenin, ato që kishte para se ne ta njihnim Arminën dhe që këtë herë kemi vendosur t’i dëgjojmë, para se të flasim edhe një herë tjetër për të, pa e njohur.
Armina fillojmë me sqarimin e një pyetjeje…Si është fitimprurës një blog? Nëse thua që qëndrimet jashtë Shqipërisë janë të sponsorizuara, çfarë nënkupton?
Duke qenë që unë kam ndjekës nga Shqipëria, por dhe të huaj, marr emaile nga shumë firma që u intereson të reklamojnë biznesin e tyre, sepse iu intereson shumë Instagrami. Edhe firmat që kam në butik kërkojnë një blogger-e për t’i reklamuar veshjet. Instagrami tashmë ka sfiduar edhe revistat. Sigurisht që për marka si Versace, Gucci nuk është e lehtë, duhet të kesh mbi 1 milion ndjekës, por edhe nga këto firma kam pasur oferta, siç është Sophia Webster… Gucci për shembull më ka dërguar një çantë të cilën duhet ta rekalmoja 5-6 herë në Instagramintim. E njëjta gjë, ndodh edhe me udhëtimet. Hotelet duan të tërheqin klientë dhe këtë e bëjnë me anë të blogger-eve, të cilat realizojnë foto sa më të bukura në mjediset e tyre që shërbejnë si reklamë. E njëjta gjë ndodh edhe me veshjet që duhet t’i mbash veshur për t’i pasur më pas të miat. Kur nuk dëshiron veshje në shkëmbim, ata të ofrojnë pagesë. Të gjithë këtë do e zhvilloj më shumë kur të hap një zyrë timen, me një staf që të kujdeset për këto oferta.

Si do funksionojë kjo zyrë?
Do kem mikeshat e mia që do e nisin me mua për të mbledhur sa më shumë reklama, fonde për ta zgjeruar bashkë, më pas do jetë e nevojshme një gazetare, dikush që të ndjekë emailet dhe postimet, të cilat unë nuk kam kohë t’i bëj në kohën e duhur, apo dhuratat që ne blogeret shpërndajmë.
Si është jeta si fashion blogger brenda Shqipërisë? Sa i frekuenton rrethet e blogereve në eventet e Tiranës?
Unë nuk marr shumë pjesë në evente këtu. Përgjithësisht shkoj në evente ku i njoh personat që më ftojnë. I njoh, i respektoj vajzat, i takoj kur shkoj, por këtu nuk ka shumë oferta si ndodh jashtë që blogeret paguhen. Vetëm diku më kanë ofruar një shpërblim monetar për të marrë pjesë në një event, por këtu nuk është praktikë…
Një pjesë e madhe e angazhimeve të tua është edhe Delirium. Na trego pak për fillimin. Si një vajzë kaq e re mori ekskluzivitetin e markave kaq të njohura?
Nuk ishte e lehtë. Fillimi është i vështirë, sepse nuk ke firma, por të gjithw të japin përgjigjen “merr dikë tjetër si fillim”. Kjo gjë më ka penguar pak, ndërsa tani e kam më të lehtë.
Cili ka qenë një prej rasteve që ke hasur probleme?
Diane Furstenberg më mbyllte telefonin sapo i thoja: “Jam nga Shqipëria”. Dhe pas kësaj e merrja prapë dhe prapë…
Po pse këmbëngulje kaq shumë?
Më pëlqente, nuk ka çmimet e Balenciaga-s apo Versace-s, por është e prezantuar në sfilata. Ka veshje supercilësore dhe nuk është e shtrenjtë. Më ka pëlqyer gjithmonë për dizenjot që përdor, stilin e viteve ’70 pas të cilit unë jam shumë e afeksionuar.
Dhe si e arrite?
Vendosa të shkoja vetë në showroom në Paris, sepse mendova që duke iu prezantuar dhe duke i folur personalisht do isha më bindëse. Kam trokitur kur ishte Java e Modës dhe isha e sigurt që do të gjeja dikë në sallon. Në fillim më thanë “çfarë firmash keni?”, i thashë që u kisha telefonuar, i tregova Instagramin, punën në televizion, intervistat, Youtbe-in, revistat. Më pëlqyen, menaxheres i hyra në zemër, shkëmbyem numrat e telefonit… Menjëherë pas takimit, më sollën katalogun për të zgjedhur. Tani kemi koleksionin e katërt të kësaj marke.
Si ishe veshur atë ditë?
Ishte Java e Modës. Isha veshur bukur.
Me cilat marka e ke nisur?
Nina Parica dhe Lulu Guinness. E nisa me këto sepse iu interesonte të vinin në Shqipëri dhe ishte më e lehtw. Dhe me Wolford, i cili nuk njihej kaq shumë dhe donin ta reklamonin markën, në atë kohë nuk e vishte Kim Kardashian dhe blogere të tjera. Mua më pëlqente, kur udhëtoja blija geta te kjo firmë dhe kur erdhi këtu (sepse duhet një vit derisa vjen koleksioni pasi mbyll kontratën), përkoi me kohën kur u bë i njohur. Dhe me Michael Kors ka qenë pak e vështirë, por ia dolëm.
Shkon në dyqan çdo ditë?
Kur jam në Tiranë shkoj çdo ditë, sepse shoh që klientët duan të jem, t’u jap një mendim.
Cilët janë klientët e Delirium?
Përgjithësisht shtresë mesatare. Michael Cors-in për shembull e marrin një pjesë e mirë e klientëve sepse ua kam dhënë edhe mundësinë e blerjes me këste, gjë që i lehtëson shumë. Ndërsa firmat e tjera si Diane Furstenberg, Cavalli apo Zannoti sigurisht që blihen nga një shtresë më e pasur.
Po në dyqanin e ri në TEG?
Në TEG, veshjet janë me çmime të përgjysmuara, konkurrohen gati-gati edhe markat me çmime mesatare atje.
Përse ke zgjedhur emrin Delirium?
Sepse e kam menduar që duke qenë në atë dyqan njerëzit do hyjnë në “Delir” nga gjërat e bukura dhe shpresoj të jetë me të vërtetë ashtu. Thjesht doja një emër shumë special.
Cili mendon që ka qenë vendimi më i rëndësishëm i këtyre kohëve?
Hapja e dyqanit, blogu, por edhe puna që kam bërë në revistë në moshë të vogël që 19 vjeç më ndihmoi të testoj veten, të krijoja kontakte, të shkruaja më mirë, të bëja intervista, të organizoja sete artistike, të njihesha me modën sepse duhej të bëja shkrime për të. Megjithatë, mendoj që çdo përvojë vlen.
Kthehemi sërish te blogu. Sa shpesh realizon sete? Sa kohë harxhon për një set? Ka një rregull për postimet?
Ka sepse firmat në të shumtën e rasteve vënë kushte, për kohën dhe mënyrën e postimit, janë të rralla rastet kur të lënë të lirë. Përgjithësisht kërkon një ditë të tërë. Në rastet kur është lifestyle, mund të realizohet edhe për dy orë.
Si të gjetën ata të Gucci-t për çantën?
Ata më gjetën nga kontaktet që kam krijuar në Milano.
Kanë interes për tregun shqiptar?
Jo.
Po pse interesohen për ty?
Sepse sipas një grafiku që tregon informacion për ndjekësit në Instagram, pas Shqipërisë ndjekësit e mi janë nga Amerika dhe Amerika Latine dhe është pikërisht kjo arsyeja pse unë shkruaj gjithmonë anglisht.
Mendon që do të çojë diku tjetër kjo që po bën tani?
Po, mendoj që blogu do marrë një drejtim ndërkombëtar. Unë kam qëllim të rris numrin e ndjekësve në Instagram dhe më tepër jam e interesuar për ndjekësit e huaj sepse Shqipëria është treg i vogël dhe nuk ofron shumë në lidhje me atë që dua të krijoj pas disa vitesh.
Çfarë do të krijosh?
Dua të krijoj një linjë timen, por ajo kërkon buxhet dhe kohë. Në Shqipëri nuk ka një linjë, përveç dy-tri stilistëve, që të jetë përhapur edhe jashtë. Kjo do shumë punë, mendoj që do jetë pas disa vitesh kur të jem edhe më e formuar.
Kur thua që të duhen vite për të hapur një linjë, do të thuash që ti nuk e zgjidh gjithçka me mbështetjen e partnerit, si mendojnë shpesh komentuesit e tu?
Një ndihmë fillestare mund ta marrësh, por vazhdimi varet nga mënyra sesi ti e menaxhon. Këta njerëz nuk e kuptojnë që askush nuk do të harxhojë para kot. Edhe kur flas për linjën, dua që ta ndërtoj kur të jem vetë e konsoliduar nga ana financiare, në mënyrë që riskun ta marr vetë përsipër.
Çfarë lloj linje do të jetë ajo, veshje, aksesorë…?
Ende nuk e kam shumë të sigurt, por mendoj që do jetë një linjë me aksesorë dhe veshje të vogla. Gjithmonë e kam menduar që do të përfshijë në vetvete fjalën Rebel.
Përse?
E kam pasur qejf që në adoleshencë fjalën Rebel, edhe nga tipi sepse më thoshin je rebele, edhe nga kënga e David Bowie. Doja ta bëja dhe tatuazh kur kam qenë më e vogël.
Por nuk e bëre…Në të vërtetë ti ke tatuazhe
Po, kam dy, yjet dhe Dolce Vita.
Je penduar?
Jo, ata yjet janë të shëmtuar, por nuk e kam problem, tregojnë një fazë jete.
Blogu, butiku, bashkëjetesa me Zenin…Na trego pak si është dita jote.
Zgjohem, ha mëngjesin bashkë me Zenin, ai del më herët ndërsa unë bëj kardio, bëj dushin, ndoshta bëj ndonjë rregullim në shtëpi. Ajo që është më e rëndësishme në mëngjes është të heq vrapin dhe ushtrimet që mos t’i kem për në mbrëmje. Me Zenin flasim gjatë gjithë ditës në telefon. Më pas, rreth orës 21.30, i shkoj poshtë punës dhe i them “hajde, shkojmë në shtëpi” :), gjithmonë e bëjmë rrugën bashkë.
Po te shtëpia e prindërve shkon shpesh? Për të ngrënë ndonjë gjë të mirë për shembull nga duart e mamit?
Tek prindërit shkoj çdo ditë. Shkoj ha drekë atje, ose mami ma sjell drekën këtu, njërën nga të dyja. E kam shumë problem të ndryshoj rutinë, të mos kem afër njerëzit, apo mënyrën e jetesës, që të mos ha drekën me mamin, edhe pse tani është bërë edhe Zeni pjesë e jetës time, gjithsesi e kam të vështirë të mos bëj ca gjëra që jam mësuar.
Ishte e vështirë të ndërroje shtëpi meqë thua që të pëlqen rutina?
Jo, sepse ne po rrinim shumë bashkë dhe kur ndaheshim nuk më vinte mirë. Merrja ca rroba dhe qëndroja me ditë në shtëpinë e Zenit, derisa kuptova që kisha marrë gjithë rrobat dhe po rrija gati çdo natë aty.
Gatuan në shtëpi?
Gjërat e vogla po. Kam pasur gjithmonë qejf makaronat, të eksperimentoja me salcën, mishin, por nuk jam mjeshtre dhe nuk e kam hobby.
Jeta jote në disa pikëpamje duket sikur nuk ka ndryshuar shumë. Me ç’kuptohet dhe nga fotot, ti ke ende të njëjtën shoqëri…
Realisht nuk ka ndryshuar asgjë. Kam të njëjtët miq që kam pasur që në moshën 14 vjeçare dhe them me bindje se asgjë nuk ka ndryshuar pavarësisht drejtimeve të jetës. Dhe në fakt, kjo është gjëja më e bukur që na ka dhënë Zoti. Edhe pse disa kanë ikur jashtë për studime, që nga mosha 16 vjeç, pushimet i bëjmë bashkë.
Iu bashkohen dhe partnerët?
Ndonjëherë edhe me partnerët. Zeni i pranon sepse e ka kuptuar që janë shumë të rëndësishëm për mua dhe shkon shumë mirë me ta.
Na tregove pak më parë për planet profesionale për të ardhmen. Nëse do kalonim te jeta private, ku vendoset martesa në këto plane?
E diskutojmë shpesh, por duam ta realizojmë bukur, në kohën e duhur me njerëzit e duhur. Momentalisht nuk është e mundur sepse unë jam në lëvizje, Zeni gjithashtu ka punët e tij. Dasma kërkon një vit të organizohet siç duhet dhe për këtë arsye nuk e kemi marrë këtë hap, por ne po jetojmë si të martuar, unë nuk kam asnjë urgjencë.
Po fëmijët janë diku në planet tuaja?
Përsa u përket fëmijëve, mund të them që jam ende shumë e re. Unë e kam në natyrë që personave të rëndësishëm iu dedikohem shumë dhe do i lind në një çast kur t’i kem gjërat të strukturuara që të kem kohw të qëndroj me ta. Tani blogu dhe Instagrami janë në fillimet e tyre, duan përkushtim. Pas 1, 2 vitesh do mendoj për të tjerat.
Ndërhyni në veshjet e njëri-tjetrit ju të dy? Ti si blogere, i jep mendime? T’i pranon ai?
Më tepër kërkojmë mendim, gjithsesi kemi ndikuar pak në stilet e njëri-tjetrit. Unë jam më ekstravagante, i kam dhënë Zenit pjesën rock (kambalet në fundjava) ndërsa ai ka ndikuar te unë në veshjet e mbrëmjeve duke qenë që është më klasik.
Armina ti duket sikur ke qenë gati për jetën që ke tani, ke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes?
Po, fillimisht nga familja, pastaj në lagje…organizoja Miss Lagjen dhe e fitoja vetë :), por edhe kur nuk e organizoja vetë, fitoja. Dhe në festat e shkollës, këndoja, aktroja, zysha më thoshte “Hë, Armina çfarë do bësh?”, edhe pse me mësime nuk kam qenë shumë mirë. Edhe në gjimnaz tërhiqja vëmendjen me koncerte, me aktivitete dhe u bëra senatore edhe pse nuk kam qenë nxënëse shumë e mirë, por loboja, qeshja, bëja shokë.
Çfarë të frymëzon më tepër në të përditshmen tënde, veç modës?
Muzika. Që 6 vjeçe, çdo këngë të re, çdo lloj ritmi e dëgjoja, e analizoja dhe e mësoja, duke u marrë me këngëtarët, jetën e tyre. Dëgjoj muzikë gjatë gjithë kohës, duke filluar që në mëngjes, në makinë, në dyqan, kudo… Ky është frymëzimi im më i madh, aq shumë sa çdo vit, që 15 vjeç, ndjek një koncert rock të një grupi që kam qejf.
Cilët janë grupet e preferuar?
Linkin park, Iggy Pop, Sex Pistols, Guns’and Roses. Kam shkuar dhe në Amerikë për Guns and Roses në Coachela vitin e kaluar së bashku me Zenin, ndërsa këtë vit, do shoh Radiohead me shoqet.
Çfarë të pëlqen më tepër nga udhëtimet?
Vendet, larmishmëria e njerëzve, stileve, veshja grunch, të gjitha që më inspirojnë… Në fakt jeta është të eksplorosh, të shohësh miksin e njerëzve, kulturave, vendeve natyrore duke përthithur pak nga të gjitha, pikërisht këtë gjë iu kërkoja prindërve që kur isha e vogël. Doja të shkoja me patjetër në Disney Land dhe u qaja çdo ditë derisa në shkollë papritur erdhi një grup francez që përzgjodhi 3 fëmijët më të talentuar (ndër të cilët isha dhe unë), vetëm atëherë e gjeta veten në Disney Land, në Paris, në kamp, ishte një mrekulli…. Akoma e mbaj mend momentin kur më është hapur ajo dera e Disney-t që më dukej shumë e madhe dhe pëshpërisja me vete vazhdimisht duke thënë “Faleminderit Zot”!
Të realizohen dëshirat?
Unë funksionoj shumë me energji, shumë rrallë e mërzis veten. Mendoj që tu tërheq të të ndodhin gjërat e mira nëse mendon pozitivisht, mua nuk më ka ndodhur të kem inat, të shaj, të përflas. Edhe kur kam qenë e vogël, i falja shumë edhe shoqet që ishin negative.
Për ta mbyllur, është e lehtë të jesh kështu kaq pozitive në një mjedis shqiptar?
Po mjedisi e bën pak të vështirë. Ne jemi një vend shumë i vogël dhe njerëzit paragjykojnë, këtë nuk e kuptoj shumë mirë dhe e mbaj veten larg, nuk lexoj komente, rri larg njerëzve që mund të më paragjykojnë, median nuk e marr më seriozisht. Në një vend tjetër do isha më e hapur dhe më e lumtur, po ky është qyteti ku unë kam lindur dhe më duhet të përshtatem me këtë.
Shkruar me 4 duar nga Ina & Livia