Ledina Çelo del nga apartamenti i saj në Durrës, pak minuta pas dushit, me flokët e patharë plotësisht, me xhinse dhe kanotiere, për të pritur stafin e revistës Class që, sigurisht, kur vjen puna për t’u orientuar në xhunglën e ndërtimeve shqiptare, nuk ka ndonjë shqisë të gjashtë. Është me të vërtetë e admirueshme se si, një nënë me dy fëmijë, kur më e vogla ka lindur nëntë muaj më parë, ka trupin e saj! No Filter, No Photoshop, Yes Ledina Çelo.

Megjithatë, ato “Uau! Uau!”-t e rastit duhen thënë me pak nxitim, sepse në apartament presin të vegjlit: Erlisi, katër vjeç, një djalosh biond, shumë biond: është e pamundur të mos fiksohesh tek ondet e buta dhe balluket e tij mbi sy, dhe Periana tetë muajshe, një vogëlushe që qesh, vetëm qesh, e gjitha. Është e pamundur të mos fokusohesh te dy dhëmbët e saj të parë, që qeshin dhe ata.

Ky është një mëngjes i zakontë në familjen e Ledinës, që prej gati një muaji po kalon pushimet në Shqipëri. Në fakt, deri në atë çast. Më pas, do shndërrohej në të pazakontë. Dhe i pari që do e vinte re këtë do ishte Erlisi, sepse Ledina me xhinse boyfriend, me flokët e shpupurisura dhe fytyrën ujë e sapun , është mami i tij, por ajo tjetra, një femër fatale, e grimuar, me tipare të konturuara, është “Ledina Çelo”. “Duke qenë se më ka parë disa herë duke kënduar në ekran ku më prezantojnë si Ledina Çelo, sa herë grimohem ose vishem ndryshe, më thotë: “Tani je Ledina Çelo”.

Ka edhe një shqetësim tjetër që nuk e shpreh, por që Ledina, ngaqë ia njeh çdo pulitje qerpiku, e kupton: “Që kur ka lindur Erlisi, unë mund të jem larguar vetëm një apo dy herë për punë. Këto herë, ai më ka parë duke bërë gati valixhen dhe pastaj kjo do të thoshte që unë do largohesha, prandaj sa herë më sheh të grimuar, apo të angazhuar me një projekt artistik, mendon që do iki”. Në të vërtetë, këtë herë nuk do ndodhë kështu. Ne, më shumë sesa për Ledina Çelon, jemi të interesuar për mami Ledinën, por këtë ai do e kuptojë vetëm në fund dhe deri atëherë, asgjë nuk ia largon atë shqetësimin e fshehtë mos mami do largohet. E cilit fëmijë i ka pëlqyer ndonjëherë kjo? Vetëm që Erlisi, duhet thënë, ka qenë me fat, sepse Ledina ka qëndruar e vazhdon të qëndrojë aq gjatë dhe aq shumë afër tij, sa vështirë që mama të tjera të kësaj kohe, arrijnë ta bëjnë. Nuk është që nuk i kujtohet pareshtur skena, por atë thirrje arrin ta mbajë zëulët brenda vetes, teksa, prej më shumë sesa katër vitesh, ndjek ritmin e një tjetër jete - atë të një mamaje me kohë të plotë.

“Nuk dua të jap formula, por unë vetë e kuptova që nuk mund t’i bëja aq mirë sa do doja të dyja: edhe profesionin, edhe rritjen e fëmijëve. Vendosa të qëndroj me fëmijët. Në të vërtetë, nuk ishte një nga ato vendimet që merret pasi mendohesh gjatë. Gjërat erdhën natyrshëm. Unë ngela shtatzënë, lindi Erlisi, ma mbushi jetën plot, kaloja çdo çast me të. Nuk mendoja për asgjë tjetër shumicën e kohës dhe ndihesha mirë, e lumtur dhe e plotësuar”. Pastaj, do të vinte shtatzënia e dytë ende pa kaluar tre vjet nga lindja e djalit dhe tani është vajza që ka nevojë për më shumë kujdes, ndërkohë që Erlisi ka nisur kopështin: “Dua që fëmijëve mos t’u mungojë asgjë, nuk e kam te gjërat materiale, por tek afeksioni njerëzor, te prania ime në jetën e tyre. Dua të rriten siç jemi rritur ne, me shumë njerëz pranë. Prindërit e mi nuk jetojnë dhe fëmijëve do u mungojë gjithmonë prania e gjyshërve. Edhe për këtë, dua të jem më shumë me ta, t’u plotësoj sa të jetë e mundur nevojën për dashuri”.

Dhe po e bën, duke mos lënë pas dore as kujdesin për imazhin e saj, si një kërkesë ndaj vetes, me të cilën njeriu më i rreptë është pikërisht ajo vetë. Është kthyer në formën e përhershme, brenda pak muajsh, pasi ka humbur në pyllin pranë shtëpisë, në Gjermani, ku bën vrap rregullisht, të gjitha kilogramët e fituar gjatë shtatzënisë.

Të kujton modelet, një karrierë që ajo e ka provuar për disa kohë, sidomos para objektivit. Ka manierat dhe këmbët e tyre. Çështje gjenesh, por edhe sporti, këtij të tanishmit dhe atij të hershmit që ndoshta pak e dinë: Ledina ka qenë sportiste e shumëgarëshit me klubin e “17 nëntorit”. Megjithatë, rruga kryesore gjithmonë ka qenë kënga, një talent i trashëguar nga i ati, tenor në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve dhe i kultivuar për vite me radhë në studimet për kanto dhe në kompeticionet e njëpasnjëshme ku ka marrë pjesë dhe ka fituar çmime në duet apo solo. Sigurisht, një nga kulmet që e mbajnë mend të gjithë, është çmimi i parë në Festivalin e Dhjetorit në vitin 2004, me këngën “Nesër shkoj” dhe pjesëmarrja në Eurovizionin e një viti më pas me atë këngë.

Në të vërtetë, ajo ka qenë një periudhë me të vërtetë intensive: koncerte, interpretime, regjistrime, udhëtime, trofe, aq sa për dikë që do shihte jetën e saj sot, në vilën e qetë mes një kopshti të gjelbëruar në periferi të Fulda-s në Gjermani, do ishte e vështirë ta besonte. Megjithatë, nëse vëzhgimi do ishte shumë i detajuar, në këto dy pamje krejt të ndryshme, do mund të zbuloheshin dy njerëz të njëjtë: Ledina dhe Naim Kabashi. Ata të dy janë njohur kur kampioni i botës i kick box-it po shihte një koncert të Ledinës në Zvicër, disa vjet më parë, dhe sot ai është babai i fëmijëve të saj, më shumë sesa kampion në sytë e tyre. Sidomos kur e shohin pas një udhëtimi pune, siç ndodhi ditën e vizitës sonë! “Vazhdoni të qetë,- na hoqi ai sikletin e çantave të grimit, të aparateve fotografike e të njerëzve të panjohur që i kishin pushtuar për disa orë apartamentin,- thjesht dua të përshëndes fëmijët. Kam dhjetë ditë pa i parë”,- do na thoshte Naimi, pasi Ledina e priti te dera dhe që nga ai moment, të gjitha qeshjet dydhëmbëshe të Perianës e kërkesat për vëmendje të Erlisit, do ishin për të.

“Naimi është burri ideal për mua. Më ka pëlqyer që në fillim qetësia e tij, është një ekuilibër në jetët tona, më jep siguri, më bën të ndihem e mbështetur! Ai bën maksimumin për ne, për mua, për fëmijët. Është njeriu që më kupton pa folur, mjafton të më shohë në sy”. I duken të varfra fjalët kur duhet të flasë për burrin e jetës, të cilin e takoi për herë të parë në vitin 2001 dhe u deshën dhjetë vjet që ata të nisnin një histori të vërtetë. Pasi Naimi e kishte parë në koncert, ishin takuar, kishin shkëmbyer kontaktet dhe bisedonin herë pas here, por pa vendosur asgjë. Ai e kishte ftuar një herë në një ndeshje kick box-i dhe ajo nuk kishte shkuar. Naimi ka qenë kampion bote, por në këtë ring, rezultati ishte 1-0 për Ledinën. Vite më vonë, ai zbuloi që jetonte në të njëjtin qytet në Gjermani me të vëllanë e Ledinës dhe mësoi që këngëtarja sexy nga Shqipëria, që në atë kohë jetonte në Londër pranë vëllait tjetër, ishte ende e pamartuar. Naimi nuk dorëzohej. Shkoi në Londër, ku ata më në fund kaluan ca kohë bashkë dhe pastaj Ledina u kthye me të në Gjermani, për të parë ku jetonte Naimi. “Dhe nuk ika më”,- tregon ajo.

Këngëtarja që ka çuar temën e dasmës shqiptare në Eurosong, nuk ka bërë vetë një dasmë tipike. “Bëmë një festë të vogël, unë vesha një fustan të bardhë, por jo fustan nuseje”. Pa shumë zhurmë e bujë ata ishin kthyer në një familje që do vulosej me ardhjen në jetë të Erlisit, ashtu si, qetësisht, Ledina do i largohej skenës.

“Për djalin, Naimi donte patjetër një emër shqiptar. Ishte shumë i lumtur, sepse në familjen e tij, ai është djalë i vetëm dhe mezi e priste. Në fund, zgjodhëm Erlis”. Ndërsa vajzën do e quante si nëna e saj e ndjerë, Periana. Erlisi flet shumë mirë shqip. Nuk mund të ishte ndryshe me një baba aq patriot, si zakonisht janë shqiptarët e Kosovës, që ka hapur, edhe në Gjermani, një shkollë kick box-i me emrin Kabashi, por sigurisht merita i takon Ledinës, e cila kalon kohën më të madhe me të dhe i ka folur shqip që nga dita e parë, i ka treguar përralla e histori, i ka kënduar këngë e ninulla, ashtu siç e ka shoqëruar në të gjitha lojërat, jashtë dhe brenda shtëpisë. Një nënë 100 për qind e angazhuar, që në orët e lira arrin të jetë edhe një zonjë perfekte shtëpie, me pjatat që gatuan apo mënyrën si zbukuron shtëpinë dhe tryezën në raste festash, aq sa fotot e familjes së tyre ngjajnë si të nxjerra nga ndonjë revistë me temë Krishtlindjesh. Dhe e gjitha kjo përbën kulmin e jetës së saj: “Me familjen, pavarësisht gjithçkaje, kam jetuar në skenë, ndihem më e mbushur sesa kurrë. Të qenit nënë është, më të vërtetë, kulmi në jetën e një femre.”

Kjo nuk përkthehet “lamtumirë këngë”! Ledina erdhi në Tiranë në vitin 2013, kur mori pjesë në Këngën Magjike me këngën “Gaboja”, që u vlerësua me çmim të dytë dhe pse shumë e kishin komentuar si një rikthim për çmim të parë: “Unë nuk kisha ardhur për çmim, kisha ardhur për të kënduar dhe u ndjeva shumë mirë para publikut shqiptar që e dua shumë”. Ka kënduar edhe në Gjermani, tani është duke realizuar klipin e një kënge të kompozuar nga Adrian Hila që mund të dalë në muajt tetor, nëntor dhe vazhdon të ketë në sirtar, një dëshirë që, dhe pse mund të ketë shkuar thellë, nuk ka humbur: një recital me këngët e saj më të mira në vite, si “Fal”, “Të ndjej të huaj”…

Nuk është diçka e afërt, do kalojë ca kohë, buzëqeshja e vajzës do jetë mbushur me dhëmbë dhe djali do jetë rritur, por sigurisht Ledina nuk do e ketë harruar, sepse kjo lloj dëshire, edhe pse nuk duket, vazhdon të shkëlqejë, si xixëllonjat brenda pëllëmbëve të mbyllura që janë gati të nisin rrugën, me t'u krijuar kushtet. Sigurisht, mendon të realizohet në Shqipëri, këtu ku është publiku i saj, që pavarësisht jetës në zemër të Gjermanisë, mbetet epiqendra e mendimeve artistike dhe e kujtimeve të atyre viteve nga i mungojnë miqtë, emocionet e koncerteve, atmosfera pas tyre… Ndoshta kjo është sakrifica e vetme e saj për të arritur në majë: te një familje e fortë dhe e qeshur, edhe pse, në jetën e njerëzve të suksesshëm, zakonisht vendet janë të përmbysura, sakrifikohen ca orë, ditë e kënaqësi nga familja për t’u ngjitur drejt majës në profesion. Por gjithkush merr vendimet e veta dhe ky është vendimi i Ledinës. Këngën nuk do e braktisë, por asnjëherë nuk do sakrifikojë familjen për të.

Megjithatë, për të rikujtuar pak kohët e dikurshme, me miq e kolegë, riprodhojmë diçka të ngjashme pas fotove. Një takim për të komentuar gjithçka ndodhi, sepse ishte vendosur që kjo ditë nuk do ishte e zakonshme për Ledinën dhe familjen. Vetëm që ajo tashmë, dalëngadalë po kthehet te mami Ledina, edhe pse ka ende grimin e Ledina Çelos teksa duhet t’i përgjigjet llastimeve të Erlisit, që, më në fund, u sigurua që mami nuk do ikte. “Jam i lolul”,- thotë ai, por me gjithë dëshirën për të tërhequr vëmendjen me një fjali serioze, nuk e fsheh dot gëzimin që i tërheq fort cepat e buzëve.

Është si një metaforë e punës për të realizuar këtë kopertinë, fytyra e tij: pak lodhje dhe shumë kënaqësi. Edhe si shumë nga ditët e jetës së re të Ledina Çelos, që ka ndryshuar plotësisht nga ajo e dikurshmja. Vetëm protagonistja ngelet njëlloj! Qoftë dhe e veshur me xhinse dhe flokë të shpupuritur!