Që kur erdhi në fillim në Shqipëri, në vitet ’90, e ka pasur një grimcë ekzotizmi. Jo vetëm sepse kishte lindur në Kosovë, apo se vinte nga Shtetet e Bashkuara, jo vetëm sepse ishte një lozonjare që e thoshte me zë të lartë këtë në skenë, por mbi të gjitha sepse ishte bërë nënë në moshën 16 vjeçe. Dhe ja ku vjen sërish në Tiranë këtë shtator, sërish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një tjetër statistikë impresionuese ia beh në jetën e saj: bëhet gjyshe në moshën 40 vjeç. Dhe nëse media është grishur prej kohësh, të shihte, pranë e pranë, një Albërie seksi dhe të bijat që ngjanin tashmë si shoqet e saj, mendoni interesin që ngjall ajo, tani edhe më seksi, pranë së mbesës! Dhe ja ku i kemi fotot ekskluzive! Për të kuptuar që “gjyshe seksi” nuk është një oksimaron as në shqip.

Kur Elektra nuk është kompleks, është krenari
Po si duhet të ndihet Albërie Hadërgjonaj, gjyshe? Sigurisht fjala nuk ndihmon shumë, megjithatë përgjigjja është “e lumtur!”. Në vend që të mendojë për gjyshen, ajo mendon për mbesën. Dhe kaq mjafton që mendimet të bëhen të bukura. “Nuk do e kisha besuar kurrë që do e doja kaq shumë. Sapo ka lindur dhe ndjej kaq dhembsuri, dashuri e afërsi sa nuk e përshkruaj dot.”
Nuk arrin të qëndrojë aq sa do donte pranë saj, sepse provat e “Dance with me” zgjasin shumë, megjithatë sapo i mbaron, ato dhe gjithë angazhimet e tjera artistike që nuk mund të rinte dot pa i nisur me të shkelur në Tiranë, vrapon tek e mbesa. “Dhe kur e shoh dhe e marr në krahë, gjithçka kalon”. Megjithatë, mos pandehni që, me përvojën e saj si nënë, Albëria largon emocionet e së bijës dhe merr në dorë, me siguri, situatën dhe Elektrën e vogël. “Gati nuk e mbaj mend si i kam rritur vajzat e mia. Unë kam qenë fëmijë për vete atëherë. Më ka ndihmuar shumë vjehrra dhe mami. Vetë nuk do ia kisha dalë mbanë kurrë. Dhe tani, kur marr Elektrën në dorë, më duket sikur kam harruar çdo gjë nga fëmijët. Është kaq e vogël e kaq e brishtë sa emocionohem kur e prek”.

Ajo e di që nuk do jetë e njëjta ndihmë për Agnesën siç kanë qenë për të, dikur, vjehrra dhe e ëma. “E ç’gjyshe jam unë?! Tani jam në Tiranë dhe prapë po e shoh kaq pak, por për fat, Elektra ka një gjyshe tjetër, shumë herë më të mirë sesa unë dhe më duhet ta pranoj që atë, në të ardhmen, do e dojë më shumë.”
Megjithatë, edhe pse vrapon sa andej-këtej me projektet e saj artistike, kryefjala e këtyre kohëve është Elektra, me gishtat dhe rrobat rozë, që i ka dhënë shumë emocione dhe ia ka marrë të gjitha fjalët, për t’i përshkruar.
“Kam qenë pranë Agnesës para lindjes. Sigurisht nuk ishte e lehtë, sepse e kam kaluar vetë dhe e di mirë sa të vështira janë ato orë për një grua, por falë Zotit gjithçka shkoi mirë. Pas gjithë asaj ngarkese, ishte një çlirim shumë i madh. Atëherë ishte radha e emocioneve të tjera, një gëzim shumë i madh që na erdhi vajza e vogël”. Tani i kanë kujtuar një traditë të vjetër shqiptare, sipas së cilës nënës nuk i tregohet kur e bija shkon për të lindur, por Albëria nuk e kishte ditur dhe as është e bindur sa do e kishte respektuar sikur t’ia kishin thënë, sepse u gjend fare natyralisht duke iu përgjigjur thirrjes së brendshme për të qenë pranë së bijës. Erdhi edhe Angjelina, vajza tjetër, nga Shtetet e Bashkuara për të qenë si gjithmonë, të tria bashkë në një çast të rëndësishëm, ndoshta në më të rëndësishmin e gjithë kësaj kohe, kur një vajzë tjetër, një brez tjetër, por gjaku dhe shpirti i tyre, iu shtua familjes.
Kur është në Tiranë
Ndodhi fiks një ditë pasi Albëria festoi ditëlindjen, këtë vit në rrethin e miqve artistë, pjesëmarrës në "Dance with me", në një atmosferë tipike nga ato për të cilat, pasi largohet, e merr fort malli. Mund t’i japë gjithçka New York-u, por ca përvoja e ndjesi Tirana ia mban peng: këtë lloj atmosfere, dritat e televizionit, regjistrimet e këngëve të reja, “kafen e mëngjesit me motrën”, apo miqtë e vjetër nga vitet kur ka jetuar në Tiranë.
“Më kujtohet si tani, këmbëngulja e Vera Grabockës që të merrja pjesë në festivalin ndërkombëtar të muzikës folklorike “Folk Area” që u organizua në Tiranë. Ishte ndër të paktat që kishte besim te unë, në një kohë kur as vetë nuk isha e sigurt për veten. Këtë nuk e harroj kurrë. Dhe prandaj kur më kontaktoi për “Dance with me”, as e mendova dy herë, bëra valixhet gati dhe erdha”. Dhe tani që ka ardhur, po e shfrytëzon kohën. Ka nisur punën për dy këngë.

“Kënga e parë është më komerciale, më ritmike, që njerëzit të kërcejnë. Nuk kam asgjë kundër tendencës për të bërë muzikë masash, por ka raste kur më merr malli për këngë të mira. Dhe prandaj po bëj këtë këngën tjetër, që do jetë për një grup më të vogël njerëzish dhe që ma plotëson dëshirën për muzikë të mirë, me të cilën do të marr pjesë në Këngën Magjike.”
Një gjë është e sigurt, Albërie Hadërgjonaj, nuk do heqë kurrë dorë nga kënga! “Do të këndoj sa të kem frymë”, thotë ajo. Dhe natyrshëm nis të mendosh a do të vazhdojë të jetë gjithmonë aq seksi në skenë dhe klipe edhe tani që është bërë gjyshe. Kjo gjë ndoshta duhet sqaruar një herë e mirë!
“Unë jam ende e re. Shoqet e mia në këtë moshë kërkojnë ende princin e kaltër. Njerëzit mendojnë që jam më e madhe në moshë dhe nuk kanë faj, sepse jam ngjitur në skenë herët. Edhe sepse i kam vajzat e rritura dhe tani jam bërë edhe gjyshe. Por po të martohesh që fëmijë, kështu do të ndodhë. Dhe mund të mendojnë që meqë artistet e kurojnë shumë imazhin, unë duhet të jem shumë më e madhe seç tregoj, por jo, unë i tregoj të gjitha vitet e mia, sepse, të them të drejtën, nuk kam pasur një jetë të lehtë”.

Nuk kishte mbushur 20 vjeçe kur ishte me dy fëmijë dhe vazhdonte shkollën në SHBA. Pastaj erdhën në Tiranë dhe, prej ngjarjeve të njohura tashmë, asaj i është dashur të kujdeset vetëm për të bijat që ishin në moshën e adoleshencës. “Kur e kujtoj, ndonjëherë, më vjen keq që kam qenë aq nënë e rreptë me vajzat, por më dukej sikur ajo ishte forma e vetme për t’i ruajtur nga gabimet, nuk doja të dështoja edhe si nënë. Kur i shoh tani, Agnesën që ka krijuar familjen e saj dhe Argjentinën që është një studente e shkëlqyer finance në New York dhe që ka shumë mundësi ta bëjë praktikën në Wall Street, them që ia paska vlejtur.”

Prej shtatë vitesh Albëria është ndarë nga bashkëshorti. E pranon dhe vetë, pa dashur të ndalet gjatë. “U bënë shtatë vjet që nuk jemi bashkë. Është një ngjarje e së shkuarës tashmë dhe unë do doja të flisja për gjërat e reja dhe të bukura”.
New York, New York
Dhe ato nuk mungojnë. Nuk është vetëm mbesa, jeta e të bijave, por është edhe jeta e re që ka nisur në New York. Nëse ajo shprehja “jeta fillon 40 vjeç” nuk do ekzistonte, do e kishim shpikur për Albërien. Zgjodhi New York-un e gradaçielave në vend të California-s së palmave, ku kishte jetuar vite më parë, sepse ka më shumë mundësi për të kënduar. “Në New York ka një komunitet të madh shqiptarësh që organizojnë evente. Falë emrit të fituar në Shqipëri, jam e njohur tek ata dhe kështu që më ftojnë shpesh. Në asnjë vend tjetër në SHBA nuk do i kisha këto mundësi”. Por jo vetëm këndon rregullisht, por ka nisur edhe një shkollë që do t’i dhurojë një profesion tjetër. Po studion për t’u bërë agjente shitjeje pronash të patundshme! Edhe një provim e ndan nga diplomimi dhe licenca. E imagjinoni dot? Një grua në top formë, seksi si ajo, me një kostum serioz, shoqëron klientët që duan të blejnë shtëpi ose prona dhe në fund pasi mbyll kontratën, i mbetet kohë e lirë boll edhe për të kënduar. “Dy miq të mi ishin në këtë biznes dhe ma rekomanduan. E zgjodha sepse është punë fitimprurëse, por edhe sepse më lë shumë ditë të lira që të këndoj”.

Dhe kështu jeta e saj në Amerikë është tipike si ajo e videove dhe filmave që sjellin ritmin e çmendur të New York-ut dhe i kalojnë pamjet aq shpejt sa sheh vetëm një rrëshkitje imazhesh, fasadash dhe dritash. “Në mëngjes bëj një dush dhe dal me flokë të kapur pas. Nëse është një ditë e zakonshme vishem fare thjesht, në shkollë shkoj edhe me tuta. Vetëm nëse kam takime, vesh një fund më serioz. Gjithë ditën në shkollë, në lëvizje, takoj klientët e kompanisë së Real Estate që më kanë përzgjedhur mua si agjente, bisedoj me të tjerë për eventet muzikore, në darkë marr Angjelinën nga kursi i kantos ku shkon disa herë në javë, sepse e nxis dhe unë, ngaqë nuk dua që ta humbasë këtë talent… Nuk del koha të tregoj ditët e mia në New York! Megjithatë ndihem mirë. Është një ndjesi lirie, pavarësie, i arrij gjërat vetë dhe nëse kam mundësi të këndoj, është ajo që kam dashur gjithmonë. Amerika është toka e mundësive. Sidomos New York-u. Po të duash dhe të punosh, fiton”.
Dhe nëse dëgjon qartë në ajër “New York, New York”, nuk është sepse ndonjë radio po e jep gjetkë. I ka kënduar dikur dhe ajo New York-ut, por më shumë sesa atë baladë melankolie, rrëfimi të kujton këtë hitin optimist.

Sigurisht tani që, përveç kafes me motrën, mamasë dhe vajzës së madhe, në Tiranë do lërë edhe mbesën, malli do e mundojë më shumë, por në jetë nuk mund t’i kesh të gjitha njëherësh. E rëndësishme për Albërien është të shohësh anën e mirë të çdo situate dhe të mos grumbullosh pendesa. “Në jetën time mund të ketë pasur gjëra, për të cilat mund të pendohesha, por unë nuk e bëj këtë. Unë jam ai lloj njeriu që jap maksimumin kur e kam një gjë në dorë, qoftë edhe kur përgatis një pjatë gjellë, por nëse ajo pastaj nuk funksionon, nëse ndodh diçka që e shkatërron, unë e lë. Ashtu ishte shkruar. Të qaj për ngjarje që, po ta zmadhosh kuadrin, do dukeshin të vogla, nuk ndihmon për asgjë, as gjendjen nuk e ndryshon, por vetëm të bën të ndihesh keq. Ndërsa unë dua të ndihem mirë.”
Ka një karrierë dhe një imazh për të mbrojtur. Ka muzikën që e karikon pa fund, por edhe një profesion të ri në nisje. Ka familjen e saj të bukur. Për princin e kaltër, që dhe ajo si shoqet e saj, pse jo, është duke e pritur, do na tregojë kur të jetë rasti. Sapo ka mbushur 40 vjeçe! Është vetëm fillimi!