Në një qytet mode si Milano, mund të të mësohen sytë me vajza si ajo, por në Tiranë është pak më e rrallë një silhuetë super e hollë, veshur me të zeza, siç një kod i heshtur e ka përcaktuar, kushedi se kur, veshjen casual të modeleve dhe një portret pothuajse pa grim, bukurinë e të cilit nuk e kategorizon dot.
Është modelja e Bindi Model Management, Roela Kaso. Sapo është kthyer në Tiranë nga Hong Kong-u, për të vazhduar vitin e dytë të Fakultetit Ekonomik që do të thotë që për dy muaj do të jetë në Shqipëri, por jo për të ngrirë marrëdhëniet me modën pasi agjencia mëmë sapo i ka gjetur një tjetër përfaqësi dinjitoze për Parisin. Pas tri vitesh bashkëpunim, agjencia ndërkombëtare me ortakë te huaj dhe qendër në Londër Bindi Model, që ka hyrë pesë vjet më parë në tregun shqiptar, pas një ndërprerje njëvjeçare, po rikthehet në Tiranë dhe ka vendosur që Roela të jetë Menaxherja e tyre për Departamentin e Ballkanit.
Është vetëm 21 vjeçe, në kulmin e saj si modele, por është plotësisht e karikuar për të nisur këtë fazë të re me Bindi Model. “Është një përgjegjësi e madhe, por unë mezi po pres të filloj nga puna. Kam dëshirë t’u japë përvojën time ndërkombëtare të rejave që duan të bëhen modele. Unë sapo e kam jetuar këtë përvojë dhe është shumë më ndihmuese kjo lloj njohurie, sesa ajo teorike”, thotë Roela.

Kanë kaluar vetëm tre vjet nga koha kur ajo vetë ishte në vendin e atyre vajzave që mezi po pret të takojë. Një kohë që, për një bashkëmoshatare të saj në Shqipëri, mund të kishte kaluar pa u ndier, por në rastin e saj, është e mbushur me udhëtime, punë, përvoja, njohje dhe leksione…për modën dhe jetën. E gjitha nisi kur disa përfaqësues të Bindi Model Menagement, në fazë rekrutimi, e ndaluan para gjimnazit “Qemal Stafa” ndërsa po dilte nga mësimi. Roela nuk mund ta kishte menduar që në një ditë të zakonshme, krejt e pagrimuar siç shkonte çdo ditë në shkollë, veshur thjesht dhe sigurisht me këpucë të sheshta (vetëm më vonë do mësonte të ecte mbi taka), do tërhiqte vëmendjen e dikujt. Dhe as kishte menduar gjithashtu që ndonjëherë do të bëhej pjesë e botës së modës. “Në Shqipëri moda nuk është në nivelin e duhur dhe ajo që ekziston nuk është tamam modë. Prandaj nuk e kisha menduar kurrë karrierën si modele.” Do të njihej deri në qelizë me këtë industri pasi u bë pjesë e Bindi Model, për të kuptuar që është krejt ndryshe nga sa dikush nga jashtë mund ta imagjinojë. Por më parë duhej të bindte veten, mamin dhe babin, të cilët pas ngurrimit të fillimit, e shoqëruan vetë në takimin e parë zyrtar me agjencinë në Tiranë.
Për tre vitet e ardhshme, gjatë ditëve kur jetonte si modele në Itali, Angli, Kinë, apo Tajlandë, do mësonte edhe shumë më tepër. Do njihte një industri e profesion me seriozitetin, kërkesën për vlera, kritere dhe norma strikte, si shumë të tjerë dhe jo një botë ku sa më shumë të ekspozosh trupin aq më e suksesshme bëhesh, ku për të qenë e famshme duhet të pranosh çdo propozim dhe ku mjaftojnë këmbët e gjata për të shkuar larg, ndërsa truri…vetëm sa prish punë.

Një ditë prej modeleje
Duhej të zgjohej çdo ditë herët, të shkonte në zyrat e agjencisë së përzgjedhur nga Bindi Model, të merrte listën e firmave të njohura të veshjeve, aksesorëve apo produkteve të bukurisë, ku do bënte prezantime, rreth 10-12 në ditë dhe të nisej me albumin e fotove, ose book-un siç e quajnë ato, njëkohësisht me shumë modele të tjera që pretendonin për të njëjtën kontratë. “Ndodhte që zyra e një firme të ishte në katin e katërt dhe shkallët deri atje ishin të mbushura me modele që prisnin radhën e prezantimit”. Duhej të ishte gati me gjithë udhëtimet e vazhdueshme me metro nga një firmë në tjetrën edhe për ndonjë “test shoot”, shërbim fotografik provë. Në atë çast, veç portretit dhe linjave trupore që kishin tërhequr vëmendjen e menaxherëve dhe editorëve, një modeleje i duhet shumë truri. “Ti nuk e di asnjëherë çfarë pamje do të kërkojnë, mund të duan një look “elegant”, ose “sexy”, ose “cute” dhe për secilën nga këto pamje duhet të kesh të paktën pesë shprehje të ndryshme. Në një test shoot nuk ke kohë të mendohesh për të gjetur pamjen perfekte, duhet t’i kesh gati në tru. Sot nuk ka justifikime për pamundësinë për t’i realizuar këto pamje. Ka plot video në internet. Gjithashtu duhet të dish të vjedhësh edhe nga modelet me shumë përvojë, që mund të rastisin në të njëjtin audicion me ty. Duhet të kesh provuar gjithçka para pasqyrës e të zgjedhësh ato që të shkojnë më shumë. Duhet të jesh e përgatitur. Ky është një profesion që kërkon një disiplinë të ashpër. Nëse nuk praktikohesh çdo ditë me ato që të ka thënë agjencia mëmë dhe sigurisht nuk sheh pa fund çdo risi të kësaj industrie, atëherë vështirë të ecësh përpara”.
Dhe në fund të ditës duhet të shkonte sa më shpejt në apartament, për të gatuar diçka, për t’u kujdesur për veten e për të fjetur sa më shpejt në mënyrë që të nesërmen mos të zgjohej me rrathë të zinj nën sy. “Sigurisht që kishte vajza që rrinin deri vonë në club-e dhe të nesërmen vinin me sy të lodhur në prezantime, por unë nuk u tundova ndonjëherë për këtë lloj jete. Jo vetëm sepse clube-t nuk më tërheqin e nuk i frekuentoj as tani që jam në Shqipëri, por edhe sepse e dija për çfarë kisha shkuar. Do mbaroja punën time si modele dhe do kthehesha, me ndonjë kontratë në rastin më të mirë, por qoftë edhe me një book të pasuruar me foto të reja dhe sigurisht me pagën përkatëse, që mund të them që është shumë e kënaqshme.”
Teksa e dëgjon, kupton që modelet, shumë i shohim, por pak i njohim.

Në ingranazhet e industrisë së modës
Për shembull kujt i ka shkuar në mendje që për të mësuar truket e këtij zanati duhet të jesh gati edhe të vuash? “Kur shkova te Bindi Model, na mësonin si të ecnim me taka dhe si të mbanim trupin drejt. Për këtë duhej të bëje ushtrimin e murit që është shumë i mundimshëm. Vendoseshim me shpinë pas murit, thembrat mbështetur pas tij dhe mbanim një libër të hollë mes gjunjve. Libri nuk duhej të lëvizte. Qëndronim me orë të tëra ashtu dhe nëse nuk kishe ngrënë mirë mëngjes, rrezikoje të humbje ndjenjat, por ky ishte një ushtrim bazik, pa të cilin nuk mund të pretendoje të bëje modelen. Nuk dua ta përshkruaj si të pamundur, por dua të them që duhet të tregosh shumë vendosmëri në këtë profesion”.
Dhe jo vetëm në fillim. Kur Roela iku për herë të parë në Milano, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme dhe ishte udhëtimi i parë jashtë Shqipërisë dhe larg familjes. Për shkak se duhej të fillonte shkollën e lartë, nga tre muaj që zgjasin zakonisht këto periudha, ajo qëndroi vetëm një muaj. Aty do të prezantohej me skemën si funksionojnë agjencitë e modeleve që është pak a shumë e njëjtë në çdo vend. Agjencia mëmë të siguron një agjenci të vendit pritës që në rastin e saj ishte Fashion Model Menagement. Roela ishte e para shqiptare nga Shqipëria që prezantohej dhe pati fatin të firmosë kontratë me këtë agjenci, një nga më të mëdhatë në Milano, prej shumë vitesh në treg, e cila ka punuar me ikonat më të dëgjuara të modës. Kjo ka rëndësinë e vet, sepse sa më e njohur agjencia, aq më të rëndësishëm klientët, firmat e ndryshme të modës ku modelet bëjnë prezantime. Agjencia i sistemon modelet në një apartament që zakonisht ndahet me vajza të tjera, u siguron paratë për shpenzimet ditore dhe u përcakton axhendën e takimeve me klientët. Ndërsa në Azi, modelet shoqërohen, në Evropë duhet të shkojnë vetë te çdo firmë, që, për Roelën që vinte nga një qytet shumë më i vogël, me siguri në fillim nuk ka qenë e lehtë, por ajo nuk u ndal. “Edhe pse ndryshimi për mua ishte shumë i madh, nuk e humba toruan. Vendosa me vete që t’ia dilja. Që ditën e parë bleva një hartë dhe me udhëzimet që na dhanë për funksionimin e metrosë, mësova shumë shpejt të lëvizja. E konsiderova veten me fat kur u gjenda në të njëjtën agjenci dhe në të njëjtat prezantime me shumë ikona mode si Cara Delevingne, Nadja Bender, Sui He etj., që gjithmonë kisha menduar se do i shihja vetëm nëpër kopertinat e Vogue, Bazaar apo Fashion TV. Ato ishin prej mishi, të gjalla afër meje duke konkurruar për të njëjtin klient me një vajzë të re pa eksperiencë nga një vend i vogël si Shqipëria”.
Nga atje, u kthye me një kontratë shumë të mirë për një produkt flokësh që u publikua në revistën Estetica, por edhe me foto të reja. “Book-u im nuk ishte shumë i pasur dhe për një modele është arritje, që edhe nëse nuk mbyll kontrata, ose edhe nëse nuk paguhet, siç ndodh zakonisht gjatë test shoot-eve kur as fotografi, as modelja nuk paguhet, përfiton foto të reja për book-un. Kur modelja arrin të ketë një book të rëndësishëm, fotografi e paguan për setin dhe ajo nuk mund të pozojë për çdo fotograf, por vetëm për ata të selektuar.”
Më vonë, ashtu si në Milano, edhe në Kinë e Tajlandë pati fatin të punonte me agjenci të rëndësishme. Tashmë kishte më shumë përvojë, ishte më e rritur, i njihte ca sekrete, edhe pse sërish nuk do ishte e lehtë. “Në Kinë e kisha pak të vështirë të përshtatesha me ushqimin. M’u bë thuajse e detyrueshme që të gatuaja vetë në mbrëmje dhe ta merrja drekën me vete. Këtë herë qëndrova më gjatë dhe largësia nga familja ndihej. Megjithatë, unë duhet të shfaqesha çdo ditë e lumtur dhe e qetë. Nëse ata kërkonin një pozë “cute”, duke qeshur (në Azi këto kërkohen më shumë sesa në Evropë), duhet të isha gati ta realizoja”. Dhe meqë jemi te pozat, buzëqeshjen e saj të ëmbël me sa duket vetëm Azia ka fatin për ta shijuar sepse shumica e fotove të Roelës janë, si quhen në zhargon, me pamjen “elegant” dhe “sexy”.

Edhe ajo vetë mendon që këto pamje i realizon më mirë, dhe pse, nëse duhet të përmendë një karakteristikë të rëndësishme për suksesin, është e bindur që më shumë sesa ngjyra e syve, më shumë sesa ato 50 kilogramët që shpërndahen në mënyrë harmonike në gjatësinë 1.75 m (asnjë përpjekje me dieta, apo palestër hë për hë) është karakteri. “Duhet shumë karakter për të vazhduar rrugën me atë synim që e ke nisur, për të mos hequr dorë nga ato që janë të rëndësishme për ty, për të mos u joshur nga ofertat që në afatgjatë mund të të largojnë nga ajo që ke dashur dhe ajo që ke qenë në fillim dhe për të mos e lënë në asnjë mënyrë përgjysmë rrugën e arsimit. Dhe pse jo të gjitha modelet kanë diplomë universitare, shkolla të jep tjetër prestigj që në prezantimin e parë me kompanitë”.
Prandaj dhe ajo është kthyer e vendosur për të vazhduar rregullisht studimet, pasi e mori një vit pushim, për ta çuar deri në fund shkollën, që në të ardhmen do i hyjë patjetër në punë, por edhe në të tashmen. Sepse, Rolea është menaxherja më e re e Bindi Model. Fiksojeni mirë këtë fytyrë!

Ja dhe përgjigjet e dy pyetjeve që shumë vajzave që aspirojnë të bëhen modele ju vijnë në mendje:
Cili kontinent është më i duhuri për zhvillimin e një modeleje? Evropa, Amerika apo Azia?
Nëse do të më kishit pyetur ditën e parë të karrierës sime, do të isha përgjigjur Evropa. Por, teoria ndryshon mijëra vite drite nga praktika. Shoh shumë fytyra të reja te Bindi Model që pa kushtet fizike të duhura dhe pa eksperiencë kërkojnë me ngulm Milanon, Parisin, Londrën e New York-un ashtu siç kam bërë une 3 vite më parë dhe si çdo vajzë e re nga e gjithë bota, që i bashkohet industrisë së modës. Nuk i gjykoj pasi mungesa e informacionit është e madhe dhe realisht këto metropole janë djepi i modës, por sot qesh me vete. E vërteta e ashpër që fshihet pas lustrës së bukur është që për t’u lançuar në këto metropole dhe për të lënë vend si modele për vajzat e gjithë botës të duhet të kesh bërë 1-2 vite punë, disiplinë dhe udhëtime në disa vende të tjera me pak më emër për të krijuar eksperiencë dhe book-un. Nëse do të isha kthyer pas në kohë, udhëtimin tim të parë nuk do ta kisha bërë në Milano ku konkurrenca është aq e madhe sa thyen egon dhe shpresat e çdo të reje me karakter të brishtë. Është si t’i presësh flatrat një zogu të ri që sapo ka nisur udhëtimin. Aty ti përballesh me ikona mode që vijnë nga metropole gjigante me eksperienca 10-15 vjeçare dhe kupton sa qesharake je dukur kur ke kërkuar të kesh punën e tyre pa asnjë ditë përvojë. Por nga ana tjetër, për mua ishte një ballafaqim i domosdoshëm me realitetin e ashpër të industrisë së modës. Të rinjtë kanë tendencën të mos besojnë e të mos dëgjojnë çfarë u këshillojnë menaxherët, andaj në kohën që u gjenda vetë para faktit, mësova, kuptova dhe mora një vendim me veten: do të kthehem në Milano me kokën lart herën tjetër. Udhëtimin e dytë e realizova në Milano pas një viti dhe të tretin. Tani jam gati për Parisin dhe Londrën dhe pse jo New York-un, në momentin që agjencia ime mëmë do të mendojë se do të jem gati. Personalisht e kërkoj vetë Azinë dy sezone në vit që do të thotë minimumi 4-6 muaj në vit, pasi më ndihmon shumë nga ana financiare dhe për book-un, për t’u vendosur në një të ardhme në një nga vendet e Evropës.

Sa është pagesa e një modeleje?
Kjo është një pyetje që bëhet çdo ditë jo vetëm nga të rinj që aspirojnë industrine e modës, por dhe nga moshat e mëdha, familjarë, miq, të njohur. Është e vërtetë që për një fashion shoë, revistë, katalog, fushatë publicitare janë pagesa që nuk mund të kalojnë një minimum të caktuar, por nuk mund të flasësh për një pagesë fikse. Si në çdo profesion, edhe modelet me eksperiencë më të madhe dhe talent apo kushte fizike më të mira kanë pagesa më të larta se kushdo. Unë pyetjes suaj do t’i përgjigjesha që pagesat variojnë nga 250 Euro një veshje, një kalim, në një sfilatë për një modele të re, për një designer jo të njohur deri në 1.5 milion Euro një kontratë 1 vjeçare fushatë publicitare për një top modele. Nga këto mund të kuptoni shumëllojshmërinë e pagesave dhe sigurisht punën e madhe që duhet bërë ndër vite pa ndërprerë. Unë mund t’ju them që për ne nuk ka një pagesë fikse, por në udhëtimin tim të fundit në Azi për dy muaj punë intensive, kam fituar dhe depozituar sa puna 4 vjeçare e një punëtori me rrogë normale në Shqipëri. Jam akoma në stade zhvillimi të karrierës sime.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Disiplina e këtij profesioni dhe udhëtimet e shpeshta, sado ta kushtëzojnë, nuk e shkatërrojnë jetën private. Roela është prej kohësh lutmurisht e dashuruar me një djalë që e ka njohur vite më parë në Shqipëri, i cili dhe pse me një profesion krejt tjetër, e sheh me shumë dashuri atë dhe ëndrrën e saj. Ashtu siç e sheh edhe familja e saj. Dhe ashtu si ajo do përpiqet ta shohin këtë ëndërr të gjithë të rinjtë që do i afrohen Bindi Model.