Disa do të kenë gjithmonë Parisin. Majlindat, edhe Bregu, do të kenë gjithmonë majin. Datën e lindjes së saj, 19, këtë vit e përmendi dhe Kryetari i Parlamentit, duke qenë që, për rastësi, tre deputetë kishin lindur atë ditë. Që nga ajo kohë, gjithsesi, kanë ndodhur shumë ngjarje në atë sallë, që i bëjnë çastet e qeta të duken edhe më të largëta seç janë, por politika kështu e ka…Majlinda e di fare mirë. Dhe ne të tjerët kemi mësuar diçka. Madje edhe nëse nuk kemi dashur. Megjithatë, në këtë intervistë pak kemi folur për politikën dhe pse për Bregun, të qëndrojë larg ujërave të saj, është e vështirë. Por synimi ishte të flisnim me gruan te kjo politikane, familjen, marrëdhëniet e saj me njerëzit...
Një rrëfim që në vitet e shkuara, kur për një copë të mirë kohe ka qenë ministre e Integrimit dhe zëdhënëse e Qeverisë Berisha, nuk ka pasur mundësinë ta bëjë, por që edhe sot, me tallazet e papritura që politika shqiptare sjell, duket vazhdimisht jashtë kohe. Gjithsesi ky ishte një premtim. Fundja, këtë periudhë, për herë të parë pas kaq vitesh, ajo ka pak më shumë kohë të qetë. Dhe na ka dhënë një rrëfim për raportin që ka me veten, sot në moshën 42-vjeçare dhe për jetën e saj.
Një nga ato rrëfime që zbulon detaje, por edhe të mëson që feminiteti dhe siguria e një gruaje, nuk vjen shumë nga ajo që merr në jetë, por nga ajo që je, që kërkon, që gjen paqen të pranosh...
Çfarë raporti keni me moshën?
Nuk më bën përshtypje. Ose sot më bën më pak përshtypje sesa disa vite më parë. Edhe pse ndoshta kohë për të ndaluar e për të menduar shumë, nuk kam pasur, për ta kuptuar si ka kaluar dhjetëvjeçari nga 30 në 40…Megjithatë besoj që brezi im nuk e ndien shqetësimin e moshës, madje më shumë, mua më pëlqen kjo që jam sot, sesa kur isha 20 vjeçe, sepse kam një raport të rinovuar me veten.
Në ç’kuptim?
Sot jam në gjendje të jetoj me të vërteta që nuk bien dakord mes tyre. Besoj ky është një raport më i vërtetë me veten, nuk shqetësohem shumë për gjërat që janë të parëndësishme, i di limitet e mia, mund të jem më shpesh në rrëmujë e kaos, por e pranoj më qetë, nuk kam atë alarmin e 20-vjeçarit apo diçka më tutje, kur gjithçka që nuk shkon mirë, të krijon panik. Sot, e kuptoj që nëse diçka nuk po shkon mirë, është vetëm diçka që nuk po shkon mirë dhe shpesh ka një zgjidhje tjetër. Në mos pastë, duhet ta pranosh me dhembje. Një lloj elasticiteti autoironik që të ndihmon për të kaluar edhe të papriturat, edhe gënjeshtrat që, deri dje, i dija për të vërteta. Sot “vdes” për t’i zhbiruar. Më duket se me kalimin e viteve, fiton një lloj qetësie për të pranuar atë që ke frikë kur je më i ri, se asgjë nuk është e sigurt. Mbase vjen edhe nga përballjet e shumta, kupton për sa shumë gjëra nuk ia ka dale dhe për sa të tjera ia ke dalë. Nuk ke frikë t’i thuash kujt që të lëndon se të ka lënduar, apo të kërkosh falje nëse e bën vetë. Një paradoks i bukur. E do më shumë veten, por je më pak egoiste. Shkurt, nuk e gënjej më veten, i dua dobësitë dhe nuk pres të jem gjithonë e lumtur, siç urohet zakonisht në ditën e lindjes :). Amor fati (Të duash fatin tënd),- siç thotë Niçja.

Dhe duke parë pas, gjeni gjëra në jetën tuaj, që nuk do donit t’i kishit bërë?
Mund të ketë, por asgjë madhore. Ndoshta sepse, megjithëse kam menduar që po veproja me arsye, tani e kuptoj që, çfarë kam bërë deri sot, kam zgjedhur ta bëj me pasion dhe gjithmonë kam bërë gjërat që kam dashur. Ndoshta mund të kisha bërë më shumë fëmijë…

Televizioni ka qenë pasion?
Po, televizionin dhe gazetarinë e kisha pasion, nuk ishin një vendim racional. Vendimin racional e mora kur vendosa të mos e lija pasionin, ndërkohë që vazhdoja edhe mësimdhënien në fakultet.
Mund ta quani pasion edhe atë?
Sigurisht. E besoj akoma se auditori me sy vëzhgues e dëshirë për të dëgjuar, nuk mund të përballet çdo ditë nëse nuk të tërheq komunikimi, nëse nuk të rrëmben të zhbirosh mendimin e të tjerëve dhe të mësosh e të mësosh njëkohësisht. Është magji më vete auditori. Ka raste që ngurosesh nga pyetjet e studentëve edhe pse të duket sikur ke plot njohuri për të dalë nga situata. Të paktën kështu e mbaj mend auditorin për sa kohë jepja mësim.
Keni nisur shumë e re…
Zhvillimet e atyre viteve në Shqipëri, na dhanë një mundësi që do ishte e pamundur në një vend dhe në një shoqëri tjetër, sepse unë fillova punë 22-23 vjeç dhe u jepja mësim studentëve me të cilët kisha diferencë vetëm 2 vjet. Ne jemi rritur bashkë me studentët sepse Shkencat Sociale në Shqipëri ishin një degë e re, pa një bazë të konsoliduar akademike…dhe më kujtohet që, më fort studioja një ditë para leksioneve, sesa kisha studiuar kur isha studente. Por kjo më shërbeu ose na shërbeu bashkë me kolegët, sidomos për dy gjëra: na konsolidoi anglishten, sepse tekstet ishin vetëm në anglisht dhe na ndihmoi të merrnim vrullshëm shumë informacion, sepse, nga dëshira për t’u paraqitur sa më mirë, përpinim të gjitha tekstet që mund të gjenim. Dhe këtë në fakt ta japin shkencat sociale. Kushdo që merret me to ka fatin të mos jetojë vetëm me mendimet e veta. Shoqëria është gjithmonë e papërkryer dhe të paktën të duhet të mbash mendjen të hapur.

E kujtoni si një periudhë të mirë? Çfarë marrëdhëniesh kishit me studentët?
Unë, vitet në fakultet, i mbaj mend si vitet më të mira. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me studentët, ishim shumë të hapur, edhe prej degës, kam kaluar shumë mirë dhe vendimi për t’u shkëputur përfundimisht, në 2007-ën kur u bëra ministre, ishte një vendim shumë i dhimbshëm, por një nga ato vendime që duhet t’i marrësh, sepse kisha nisur një punë tjetër, që ishte prapë një pasion tjetër, politika, një miks i dëshirës për të folur, për të reaguar, për debate, për ndryshim.
Ngelemi pak te Fakulteti. Pse zgjodhët të studionit në një degë fare të re?
Ka qenë viti i parë që ishte hapur Fakulteti i Shkencave Sociale, pasi ishte mbyllur një vit ai që quhej dikur Fakulteti i Filozofisë. Nuk ishte zgjedhja ime e parë, unë konkurrova për Gazetari, por nuk fitova megjithëse ishte një konkurs që zgjati tri ditë, me shumë fletë për të mbushur, unë kisha punuar në verë me nja dy nga gazetarët më të vjetër të TVSH-së …Gjithsesi, nuk fitova dhe m’u duk një fyerje shumë e madhe, por ishte një nga konkurset e fundit dhe ishte i vetmi ku konkurroja, e bindur që, meqë bëja hartimet shumë mirë, do ta fitoja patjetër. Ne kemi qenë një brez shumë i mirë te “Sami Frashëri” dhe është një kënaqësi e madhe që shoh sot që miqtë e mi të atyre viteve janë të realizuar, janë dikush në profesionet e tyre. Kishim, që atëherë, rezultate shumë të mira, por unë nuk fitova gazetarinë që do të thoshte se rrezikoja të ngelesha pa fakultet atë vit dhe m’u duk një dramë e jashtëzakonshme. Për fatin tim, ato ditë, u vendos rihapja e Fakultetit të Shkencave Sociale, i cili priste edhe një binjakëzim nga SHBA-ja. Shkova të konkurroja, ishte aleternativa e fundit. Konkurrova dhe dola e para, kështu nisi.
Dhe arritët ta donit atë degë, siç kishit dashur gazetarinë?
Mendoj që nuk janë shumë larg… Shkencat Sociale të japin mundësinë të njohësh veten. Pastaj, e dashurova dhe më shumë gjatë studimeve pasuniversitare. Në vitet kur studioja për doktoraturën kuptova sa nevojë ka, nëse kjo bëhet seriozisht, për të pasur një këndvështrim tjetër të individit dhe shoqërisë, sa i vështirë është të gjendet drejtpeshimi që shoqëritë të mos marrin të tatëpjetën, sa pak studime ka për problemet sociale të shoqërisë shqiptare dhe në këtë aspekt, ne jemi edhe sot akoma shumë pas. Ndaj dhe sot, sa herë më del para një libër apo artikull i mirë dhe serioz që analizon shoqëritë dhe ndryshimet në to, i lexoj me shumë qejf.

Po fillimet tuaja në televizion si kanë qenë, daljet e para në ekran?
Në të vërtetë, daljet e mia të para në ekran i kujtoj dhe m’i kujtojnë shpesh të gjithë miqtë që i mbajnë mend. Sidomos pasi nxora librin vjet, historia e daljes në ekran me xhaketën ku shkruhej “New York”, ringjalli plot kërshëri për ato vite. Por unë nuk e kam nisur punën në TV, me ekranin. E kam nisur si gjithë gazetarët e atij brezi që punonim në televizion, Sokol Balla, Ilva Tare që erdhi më pas, Eni Vasili. TVSH-ja ka qenë shkolla e të gjithëve…Dhe ne ishim ata të rinjtë që bënim përkthimet e lajmeve, unë kam përkthyer edhe filma, sepse filmat kishin një pagesë shumë të mirë dhe në atë kohë isha studente. Nuk kanë të krahasuar kushtet me të cilat punojnë sot gazetarët dhe që bëjnë më pak gazetari, me kushtet e TVSH-së në atë kohë. TVSH ishte i vetmi televizion në Shqipëri, ishte i pazhvilluar nga ana teknike, sot filmat përkthehen me skripte, ne i përkthenim duke i dëgjuar me vesh, madje pa kufje, duke u afruar te aparatura. E njëjta gjë edhe me lajmet…por ka qenë një mjedis shumë i mirë profesionist, ku mësova shumë dhe sot, sa herë kaloj e shoh ata që nuk kanë dalë ende në pension, por edhe të rinj, kam ende atë shijen e një kohe emocionuese.
Herën e parë në ekran e mbani mend?
Hera e parë fare ka qenë një paradite në orën 10.00, ishte një edicion i shkurtër lajmesh, 5 minuta. Pas tij, ka qenë edicioni i orës 18.00, që jepej me satelit dhe shfaqej edhe në Kosovë. Ishte një nga ato rrëmujat e zakonshme, ndryshime të minutës së fundit dhe unë kam zbritur sepse nuk erdhi spikerja që jepte lajmet, më futën menjëherë në studio dhe unë hyra siç kisha dalë nga shtëpia në mëngjes, me xhaketën e famshme që shkruante “New York”. Në atë kohë kishte ardhur Këshilli i Evropës në Shqipëri, kishte ngjarje…Gjithsesi është një situatë që unë vazhdoj ta kujtoj me gaz sepse ti kujton që po bën një akt “heroik”, nuk po lë TVSH-në pa lajme dhe, në mungesë të gardërobës, del e veshur ashtu, por të tilla situata, edhe më të rënda, ka pasur pa fund TVSH-ja.
Të tipit…
Të tipit unë jepja lajmet në studio, në vitin ’97, ndërkohë që të gjithë kishin ikur sepse kishin njoftuar që ishte vendosur bombë dhe kishim ngelur vetëm unë në studio dhe një teknik lart në pult që vazhdonim derisa të mbaronte edicioni i lajmeve. Ca mendjelehtësira të çuditshme që mund të kishin qenë edhe më dramatike sepse në ’97-ën asgjë nuk ishte e sigurt… Megjithatë ngelet një nga përvojat më të mira të punës.
Të shkojmë pak pas në fëmijëri. Ka diçka te fëmija i dikurshëm që të kujton gruan që jeni sot?
Mendoj që ka qenë komunikimi dhe të qenit e rrethuar me shumë njerëz. Mami dhe babi im tregojnë episode pa fund të dëshirës e kokëfortësië për të folur e për t’u dëgjuar. E njëjta gjë në fillore, në tetëvjeçare e më pas, me një dëshirë për gjuhën e letërsinë, për gjuhët e huaja. S’kisha ndonjë pasion të madh për shkencat ekzakte, por prindërit kishin vendosur se duhet të mësoja ndaj dhe isha mësuar me idenë që nuk mund të mos përgatiteshe, edhe me mundim, për ato lëndë që s’më pëlqenin.Për më tepër duhej dhe mesatarja.
Pastaj isha mbesa e parë për xhaxhallarët, tezet e dajat bashkë. Dhe të gjithë ishin të dhënë në përkëdhelje dhe në vëmendje. Nuk kisha nga t’ja mbaja se pyetja kryesore e të gjithëve ishte për shkollën :). Gjyshet pastaj i shtonin dhe pjesën e edukatës së domosdoshme për punë shtëpie, e kujdesit për të qenë gjithmonë e rregullt në paraqitje. Gjyshja nga babi qepte me një makinë Singer gjithë kohën. Dhe ç’na ngelte nga copat, bëheshin veshje për kukullat e kauçukut.
Kur isha diku 11, 12 vjeçe, besoj ka qenë moda e fustaneve me pala korenti, mbaj mend që kisha dhe unë dhe Ornela një, poliestër, bojëqielli, të dyja njëlloj dhe unë nuk lija njëri të ma bënte gati. E hekurosja vetë, i vija rresht me ildisje, palat dhe i bija sipër me atë hekurin e rëndë që të kishte mundësi që të qëndronte gjithmonë si i ngrirë. Mami kujton edhe një episod tjetër, kur një shoqe pune kishte marrë ca rroba nga një i afërm në Itali dhe, duke qenë që ajo kishte një vajzë në moshën time, pasi kishin zgjedhur për vete, ia kishte dhënë mamit të tjerat. Për të mos ia prishur, mami i solli gjithë siklet në shtëpi sepse e dinte që do i shpërfillja. “Nuk i dua,- i thashë.- Nëse ato do duken mirë me shumë, unë do dukem bukur edhe me pak”,- dhe të nesërmen, çanta u kthye siç erdhi.
Nuk jemi rritur mes bollëkut, për më tepër që, mes tri motrash, rrobat e njërës i merrte tjetra, por dëshirën për të dalë gjithmonë nga shtëpia në rregull, e kemi pasur gjithmonë. Edhe mami e ka pasur gjithmonë, dy-tri copat turke që shiteshin në Mapo atëherë, i donte t’i kishte, edhe buzëkuqë kishte dy, një stinë portokalli, një stinë ngjyrë trëndafili, sepse aq ishin :).

Kur ktheni kokën pas, çfarë mendoni që ju ka munguar tjetër në atë kohë… librat ndoshta? Ka pasur tituj e autorë që, më vonë, keni kuptuar, që do kishit dashur t’i kishit lexuar në adoleshencë?
Librat kanë qenë gjithmonë një dashuri konstante imja. Ne ishim një grup bashkëmoshatarësh në pallat, që aktivitet të përbashkët fizik kishim vrapin, çdo mëngjes në orën 6.00. Shtëpia, ishte afër me Parkun e Liqenit. Sa herë e kam kujtuar më vonë, më vjen habi se si zgjoheshim aq shpejt për vrap dhe në 8.00 duhet të ishim në shkollë. Sot as as e mendoj që fëmijët e mi të zgjohen më herët se gjysmë ore para se të fillojë mësimi.
Ky ishte aktiviteti fizik, ndërsa pasditeve, për ato lojërat e zakonshme të fëmijëve, kam dalë shumë-shumë rrallë, sepse më dukej humbje kohe të lija një libër, për të dalë të luaja. Me librin kam pasur një marrëdhënie të veçantë. Kam pasur edhe fat sepse kisha një njeriun tim që punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe me kartelën e saj personale merrja edhe libra të ndaluar dhe i qarkulloja me shokë e shoqe me një shpejtësi marramendëse. Pastaj kanë qenë librat e kohës së fakultetit, profesionalë apo jo, Frojdi, Jungu, Niçe, Miller, shumë letërsi amerikane që na vinte me tekstet origjinale në shkollë, sepse, në fakultet, ne kemi bërë edhe letërsi…Dhe sot mendoj sa me fat është ky brez që ka mundësi të ketë kaq libra në duar dhe është për të ardhur keq sa pak vullnet ka për të lexuar.
E bëni shpesh këtë krahasim mes jush në adoleshencë dhe brezit të vajzës suaj që është 17 vjeç sot?
Ky brez është më i lirshëm dhe më i hapur. Ne kemi qenë tri motra, me prindër të rinj dhe relativisht të hapur. Unë me mamin, duke qenë vajza e madhe, kisha vetëm 19 vjet diferencë, por përsëri, nuk diskutonim çdo gjë, siç bëjnë fëmijët sot, por ata kanë problemin e madh të largimit nga libri, sepse e njohin botën nëpërmjet internetit. Dhe problemi tjetër, që shoh tek ky brez, është që ëndërrojnë pak, sepse i kanë të gjitha gjërat e prekshme. Unë kur kam qenë në Paris, për herë të parë, Harkun e Triumfit e kisha të vizatuar në mendje nga libri i Remarkut. Ky brez ka mundësinë të shohë shumë, por ëndërron më pak.
Po dasma juaj ka qenë ashtu siç e kishit ëndërruar?
Unë jam martuar në ’97-ën, kur gjithë dynjaja fshihej sepse kërcisnin armët, ne bëmë dasmën te Hotel Dajti. Zgjodhëm Dajtin sepse vjehrri e kishte pasur ëndërr, meqë nuk ishte martuar dot vetë. Gjithë të afërmit thoshin “ç’është kjo dasmë natën?”, por ne ashtu e vendosëm, ka qenë 14 shtator, gjithandej kishte të shtëna, ne bëmë dasmën. Dasma zgjati deri në 4.00 të mëngjesit dhe kur dolëm, kishin ndodhur dy gjëra. Kishin vjedhur makinën që unë kisha ardhur nuse dhe makina me të cilën shkuam në shtëpi, një Golf gri, ishte mbushur me ujë, sepse kishte rënë shi, xhamat ishin harruar hapur nga nxitimi. U kthyem në shtëpi duke notuar, unë bashkë me fustanin super të fryrë siç ishte moda atëherë.
Të nesërmen në mëngjes, kujtoj, u zgjova dhe m’u desh të nisja të ftilloja një rrëmujë të paparë në shtëpi, lënë nga një ditë më parë. Nga fustani i nuses tek tutat duke pastruar shtëpinë.
Një vit më pas, në shtator ka lindur Kejda dhe atëherë ishte më keq, sepse ishte vrarë Azem Hajdari, Gjithë këto situata të çuditshme…!
Ju vjen pak keq që këto momente nuk kanë qenë aq romantike sa në filma?
Jo, më vjen të qesh kur mendoj stërmundimin për të bërë cdo gjë vetë. Pastaj, atëherë më dukej se kishte kohë pa fund për të gjitha, por tani, kur koha kalon, kur sheh që më janë bërë fëmijët më të gjatë se vetja, kupton sa me vrap ikin ditët, ose se sa je sfilitur për të kuptuar a shpjeguar gjëra e situata, të cilat, sido të kenë qenë, nuk e kanë ndalur kohën të ecë me të njëjtën shpejtësi. Unë ndonjëherë them që duhet të kisha dalë në pension sot, duke menduar që kam nisur të punoj që 18 vjeçe dhe kam punuar çdo ditë, çdo ditë, kam bërë dy punë, pa llogaritur ato që bëjnë gjithë gratë në shtëpi, fëmijët… Kjo, është hera e pare, pas kaq vitesh, që kam pak kohë të lirë.
Dhe si po e shfrytëzoni këtë kohë?
Jam munduar të rri pak më shumë me veten dhe them që është shumë mirë. Është luks në fakt, sepse shumë vite më kanë ikur pa pasur kohë për të folur me veten. Pastaj edhe fëmijët rriten dhe tani jam me vajzën atje ku ishin prindërit e mi kur mendonin për universitetin. Djali është më i vogël, por ka tekat e tij dhe duke qenë që nuk kam kaluar sa do kisha dashur kohë me ta, - më dukej sikur i gjeja të rritur ditën tjetër,- tani po merrem më shumë. Nga ana tjetër, prindërit fillojnë moshohen, nuk janë më ata të para 20 viteve, motrat kanë gjithashtu më shumë angazhime në familje dhe e kam këtë dëshirë për të qenë më afër njerëzve të mi.
Ndonjëherë bëj dhe habi, sepse unë nuk jam natyrë e qetë dhe njerëzit janë mësuar të më shohin në flakë, ose luftë, por…lufta më e madhe është ajo që bëhet midis veshëve të tu.

Jeni bërë ministre 33 vjeçe, ishit e vetmja grua në qeveri… i kuptonit atëherë përmasat e këtij angazhimi, sepse sot mund të ketë më shumë shembuj, por në 2007-ën ishte ndryshe?
Kur hyn në politikë, ti nis e kupton ku po shkon. Unë nuk u bëra ministre direkt, kisha hyrë në politikë aktive, publikisht, në 2005-ën. Posti erdhi pas një beteje të gjatë për Tiranën ku ishte kandidat Sokol Olldashi me Edi Ramën, e cila ishte shkolla më e mirë për të kuptuar politikën, ecejaket, intrigën, paburrninë, mosmbajtjen e fjalës… Madje edhe në Kuvend, në atë kohë, kur unë isha shtatzënë me djalin, nuk ka pasur kaq gra sa ka sot. Megjithatë në atë çast që ndodh nuk ke kohë të mendosh. Unë di që kam marrë një punë, që e kam bërë çdo ditë me shumë përkushtim. Kam ndarë më shumë orë me stafin e ministrisë sesa kam ndarë me familjen time. Perceptimi i përgjithshëm mund të jetë se jeta e një ministri është një luksi paparë, ku zhytesh në shfrenime, pasurira, qejf, vjedhje, por për mua ka qenë një punë e përditshme me shumë përgjegjësi dhe besoj që, në këtë mënyrë, u largova nga ajo ministri. Nuk ishte e lehtë, unë kisha një angazhim të dyfishtë, sepse isha edhe zëdhënëse e Këshillit të Ministrave, por është, absolutisht, një nga eksperiencat më të mira.

Dhe pas 11 vitesh, si ndiheni në politikë?
Sot, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, politika nuk është si dikur. Nuk është më politika solide që bëhet nga njerëz të fortë, që kanë ide brilante dhe ideologji të caktuara. Në kohën e politikës së sotme, kryesore është imazhi. Vendin e njeriut të qëndrueshëm, e kanë zënë njerëzit që formohen fillimisht si celebrities dhe politika i tërheq sepse janë të famshëm. Megjithatë unë do doja të ishte e qartë që shoqërisë nuk i vjen asgjë e keqe nga politikat e drejta dhe politikanët e vërtetë, nëse duam ndryshimin, përndryshe, është e pamundur që ndryshimin ta sjellë këngëtari që merr mandatin politik, me gjithë dëshirën e mirë. Unë e shoh problematike mungesën e besimit dhe të investimit te politika, nga të parët vetë ne që jemi në politikë, për të rritur individin politik dhe nga ana tjetër fryrjen e personazheve që mund të mbledhin vota sepse kanë fansa.
Dhe në Shqipëri kjo është shumë më problem, sepse ne nuk kemi institucione të forta dhe nuk kemi garancitë që do të ndalonin një shkarje te tallavaja politike.
E megjithatë imazhi, jo ky për të cilin folët, por ai që keni ruajtur gjithë këto vite, ju ka dalluar gjithmonë. Është e lodhshme apo ju jep kënaqësi të qenit gjithmonë perfekte?
Jo, unë nuk kam synuar asnjëherë të jem perfekte, sepse kush e di veten perfekt duhet të jetë një kategori për t’u mëshiruar, maskë. Nuk e kam besuar kurrë se maska të zbukuron.
Por si për çdo person publik, kujdesi për paraqitjen është status. Nuk besoj se ka gjë të këndshme të shohësh një njeri të shpërfytyruar nga pakujdesi për veten dhe as shoqëria nuk ka ndonjë përfitim nëse gratë i do dhe i vlerëson kur shfaqen si burra. Një grua që merret me politikë është një model, për këdo që pret ende nga politika, edhe modele e së mirës. Një njëri që nuk kujdeset dot për veten, nuk kujdeset as për të tjerët.
Pa u skematizuar ama, sepse dallohet gjithmonë stili juaj personal edhe në veshjet zyrtare.
Ka boll skema ky vend e kjo shoqëri të cilat ndër vite kanë prodhuar kallëpe gjykimi e paragjykimi ndaj, ende sot, shumicës i duhen përpjekje titanike për të hequr dorë nga nënshtrimi ndaj skemës.
Nuk është vetëm veshja, politika, besoj akoma, se nuk më ka ndryshuar. Çapitem që të jem në rregull me këdo, pa paragjykime dhe t’i jem besnike vetes. Me miqtë e mi, që nga mosha 18 vjeç, kemi të njëjtën mënyrë komunikimi. Mundohem t’i shmang të gjithë budallenjtë që e shesin shtrenjtë kotësinë e tyre, se nuk kam kohë e kokë për këtë kategori boshe. Unë kam zgjedhur të bëjë këtë gjë që bëj sot, nesër mund të bëj diçka tjetër ose të vazhdoj ta bëjë edhe më mirë këtu ku jam, kjo nuk ndikon marrëdhëniet e mia me të tjerët. Për sa kohë kemi çfarë ndajmë me miq e me shokë kështu siç jemi, jo domosdoshmërisht siç na perceptojnë ata që nuk na njohin nga afër, mirëkuptohemi. Dhe unë, sot, e vlerësoj shumë të rëndësishme këtë, të kesh një shtyllë kurrizore, dikush e quan dinjitet, dikush vetëvlerësim…T’i dish limitet e tua, të mos lejosh të të shkelin dhe të mos shkelësh njëri.