Si do të ishte përkufizimi juaj për suksesin? Për mua është një vajzë që me mençuri arrin të bashkojë ekonominë, industrinë e modës dhe markat më të njohura. Zgjedhja e kësaj interviste ishte e thjeshtë pasi web-i thedollsfactory është një ndër më të klikuarit dhe më inspiruesit. Krijimi i këtij rrugëtimi të suksesshëm nuk ka qenë i lehtë, por duke parë arritjet e Anjezës çdo vendim ja ka vlejtur. Anjeza prezanton shumë, jo vetëm mode,  por biznes, bashkëpunime udhëtime pafund… Ka kaq shumë për të zbuluar

Cila ishte rruga për në industrinë e modës?
Jetoj në Milano, qendra e ekonomisë dhe e modës në Itali. Këtu kam studiuar Ekonomi në universitetin Bocconi dhe punoj si konsulente biznesi në industrinë  e modës. Kam bashkëngjitur dy industritë kryesore të këtij qyteti me idenë se ekonomia pa kreativitet është e mërzitshme, dhe kreativiteti pa njohuri ekonomike nuk mund të shkojë shumë larg.

Silohuette Futura

Dihet se çdo zgjedhje ka vështirësitë e saj, madje edhe për ato që në sytë e publikut duken thjesht argëtim. Cilat janë vështirësitë e profesionit tënd ?
Për ata që duan të punojnë në industrinë e modës vështirësia kryesore gjendet në fillim, kur zbulon se ajo që jemi mësuar të shohim në revista mode, sfilatat e Fashion TV dhe luksi ka mbrapa një punë që përfshin mijëra njerëz nga industri të ndryshme. Kur je pjesë e industrisë së modës, puna është punë si në çdo vend tjetër. Duke hequr iluzionin që industria e modës ka lidhje direkte me industrinë e ‘qejfit’ je gati për t’u hedhur kokë e këmbë në një ambient dinamik ku kalohen eksperienca interesante dhe gjithmonë mëson diçka të re.

Milano Fashion Week

Nga erdhi fillimisht ideja për hapjen e një blogu ? (tashmë i kthyer në web)
Hapja e blogut ka qenë një kalim natyral nga një ditar i shkruajtur në letër në një ditar digital. Sapo u ktheva në Milano, pas një periudhe ku jetoja në Madrid, vendosa që të shkruaja online mendimet dhe eksperiencat interesante që po jetoja. Fillimisht ndaja me publikun vizitat nëpër ekspozita, evenimente kulturore dhe fotografi nga përditshmëria. Por duke jetuar në një nga kryeqytetet e modës nuk u desh shumë kohë përpara se të kthehej në një blog ku trajtohej moda.

Si filloi interesi rreth modës, në një kohë kur në Shqipëri ende nuk i ishte dhënë rëndësia e duhur?
Duke pasur një bazë edukimi ekonomik dhe financiar, industria e modës më tërhoqi prej prapaskenave të saj. Në punën që bëj kam mundësi të ndjek zhvillimin e një koleksioni mode, prodhimin, marketingun deri në momentin e prezantimit. Ky është një proces që zgjat 2 vite për çdo koleksion sezonal, dhe shpesh në të njëjtin moment ndiqen 2-3 koleksione të cilat në atë moment janë në fazat e zhvillimit. Moda është si një ajsberg, ku publiku shikon vetëm pjesën mbi ujë ndërkohë që pjesa më e madhe gjendet nën ujë.

Cili është këndvështrimi juaj mbi zhvillimin e industrisë së modës në Shqipëri?
Në Shqipëri moda si industri akoma nuk ka nisur të zhvillohet sepse akoma jemi në fazën ku publiku po eksploron fillimisht stilin. Shpesh shoh sfilata online të bëra në Tiranë dhe duket mungesa e njohjes së prerjeve të duhura për materialet që përdoren.

Kur publiku të jetë më i edukuar mbi modën si industri dhe jo thjesht si një indikator për trendin e vitit, atëherë do të ketë më shumë njerëz që do interesohen për materialet dhe stilet që po blejnë duke i hapur një treg dizenjuesve të vërtetë.

Në momentin kur do të ketë më shumë vend për kreativitet origjinal do shfaqen designer me një vizion të tyrin, do rriten fotografë që krijojnë material origjinal pa kopjuar fushatat publicitare të huaja pa dashur të ‘frymëzohen’ 100% nga Vogue. Për momentin në Shqipëri mungon origjinaliteti sepse është më e thjeshtë të kopjosh se sa të krijosh. Por nuk do të jetë gjithmonë kështu.

Një ‘rregull’ mode që nuk e thyen asnjëherë
I vetmi rregull që ka rezistuar pa u thyer është përdorimi i ‘kitten heel’ takat e vogla 3 cm të viteve 50’ dhe të rikthyera nga Louis Vuitton e Prada. Të them të drejtën kam qenë shumë pranë së blerit një model Mary Jane të Blumarine me takë të vogël këtë verë, por ndalova në kohë. Si përfundim moda nuk ka rregulla, jemi ne që i vendosim shpesh limite të kota vetvetes.

Vendet e preferuar për të bërë pazar
Vendi kryesor për të bërë shopping në këtë moment është interneti. Webiste si Yoox, Net-a-Porter dhe Asos plotësojnë çdo nevojë dhe dëshirë.  Kujtoj fillimet e viteve 2000 kur jetoja ende në Tiranë, i vetmi vend ku mund të shkoja në kërkim ishte rruga “Myslym Shyri”. Atë që kërkoja nuk e gjeja kurrë kështu që eksperienca e shopping kthehej më shumë në stres.

Milano Fashion Week

Ne vajzat kemi disa veshje apo aksesorë që i veçojmë nga të tjerat. Kë do të veçoje si  veshjen apo aksesorin më të rëndësishëm që zotëron?
Gjërat që unë veçoj si më të veçantat  kanë më shumë lidhje sentimentale se sa materiale. Një fustan i kuq Valentino më kujton një mbrëmje të rëndësishme, një unazë e Dior Joiellerie i blerë në një ankand bamirësie më kujton pse e dua kaq shumë punën që bëj dhe së fundmi një çantë vintage e Yves Saint Laurent që vjen direkt nga vitet ’80 kur designer-i i bënte femrat të ëndërronin për të.

Përveç editorialeve të modës, The Dolls Factory ka edhe rubrikën e udhëtimeve të shumta. Cilin veçon  nga vendet e vizituara dhe cili është destinacioni i ardhshëm?
The Dolls Factory ka rubrikën e udhëtimeve si pjesë e rëndësishme e jetës time. Vitet kalojnë dhe unë dua t’i kujtoj të lidhura me udhëtimet që bëj. Vendet që do të zgjidhja janë:  Kuba, India dhe Japonia. Janë vende të largëta ku hidhemi në një dimension krejt ndryshe të jetuari, me tradita që janë shumë të largëta për  Evropianët. Pikërisht 3 javë të dedikuara eksplorimit të Turqisë me çantë në krah nga Stambolli në Kapadoca më ka pasuruar shumë, duke eksploruar me varkat e drurit të quajtura Gulet me të cilat vizitohet gjithë bregdeti jugor ku gjendet një nga vendet më të bukura në botë ‘Laguna Blu’ dhe një ndalesë njëditore në  ‘Butterfly Valley’ ku jeton një komunitet hippie me pjesëtarë nga gjithë bota. Së fundmi po eksploroj Anglinë, hap pas hapi pa kaluar nga Londra. Isha në Cornwall ku zbulova për çudinë time që edhe Ishulli i Mbretëreshës ka plazhe fantastike edhe pse temperaturat janë më të ulëta nga ato që jemi mësuar.

Park Guell Barcelonë

Nëse eksploron në web-in tuaj sheh një numër të pafundëm bashkëpunimesh. Cili prej tyre është më i suksesshëm deri tani ?
Duke pasur një blog mode, beauty dhe lifestyle shpesh bëj projekte nga më të ndyshmet që nga promovimet e koleksioneve më të fundit të make up nga YSL, Dior, Giorgio Armani dhe Dolce & Gabbana deri në të qenit imazhi i fushatave publicitare të modës si Diesel ose PAROSH për 2 koleksione të vitit 2014. Një nga momentet më emocionuese ka qenë pjesëmarrja në Festivalin e Kanës si e ftuar e markës Dior, eksperiencë që u publikua në revistën Elle Italia.

Ndërsa bashkëpunimin më të sukseshëm deri tani do të quaja emërimin tim si Ambasadore e markës së orëve Omega. Mbiemri Tufina përfaqëson një traditë familjare prej 100 vitesh të orëndreqësve, ku stërgjyshi është krijuesi i Kullës së Sahatit të Tiranës. Kështu që kur mu bë ky propozim nga firma e orëve Omega, ishte një moment që lidhte jo vetëm blogun me një firmë luksi, por edhe rikthente traditën e familjes sime. Aktorët Nicole Kidman dhe George Clooney janë ambasadorët VIP të firmës, unë jam zgjedhur si ambasadore stili.

Këshilla më e mirë që mund të jepni për femrat që ndjekin modën:
Trendet vijnë e ikin dhe jo çdo gjë që shohim nëpër revistat e modës i përshtatet stilit tonë personal ose thjesht formës së trupit. Është e thjeshtë të ndjekësh modën, është shumë më e vështirë të tregosh firmën personale në çdo look. Askush nuk duhet të bindet i bazuar në shijet e dikujt tjetër, por duhet të kultivojë shijen e tij pse jo duke u frymëzuar edhe në blogun The Dolls Factory.

DSquared2 Koleksioni V-D 2014-15
Dior