Shpesh, në historitë e të tjerëve, gjithçka duket e thjeshtë. Rrëfimi ngjan si një përrallëz moderne ku nëse ndesh probleme, e di që më pas do të gjesh edhe zgjidhjet. Por, në të vërtetë, ajo që i bën historitë e jetës së të tjerëve të duken si përralla në një libër fëmijësh, është pikërisht pasioni. Ai që nuk u lëshon dorën prirjeve, që kur shfaqen për herë të parë.
Ema Dishnica, në atë kohë Iftiu, sot një mama e re me një biznes veshjesh online që e ka emërtuar Ebel Rose, e ka pasur shpirtin e sipërmarrjes që fëmijë. “Së bashku me shokët e pallatit, gjatë muajve të verës, hapëm një dyqan të vogël, ku u shitëm lodrat e vezëve Kinder dhe fustanet e bëra vetë për kukullat Barbie, fëmijëve të lagjes. Mbaj mend që me paratë që fituam (rreth 1200 lekë që në vitet ‘90 dukeshin shumë), blemë një top dhe bëmë një super piknik te oborri i pallatit :). Emocionohem sa herë që sjell ndërmend këto kujtime të fëmijërisë. Ndaj edhe Butikut që kam hapur sot, i vura një pjesë të emrit që kishte "dyqani i fëmijerisë" EBEL, i formuar nga inicialet e katër shokëve të pallatit.”
Për Emën, ajo ishte më shumë sesa loja e një stine vere. Ishte një prirje e vërtetë ndaj sipërmarrjes, e cila, më vonë, e drejtoi të studionte Financë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku jeton prej vitesh dhe ku, për fatin e saj, bën klimë e mirë për këto lloj shpirtrash.
Ajo dalloi që në vitet e studimeve, në klasën e sipërmarrjes, ku ishte e vetmja vajzë. Ideja e saj për të krijuar një byzyluk lëkure që mund të përdorej edhe për të bërë një topuz flokësh, në më pak sesa 1 minutë, u finacua me 3000 dollarë. Ishte një hap tjetër, jo pak i rëndësishëm për Emën, që, siç ndodh në historitë e biznesit që mbështeten thuajse gjithmonë te kreativiteti dhe investimet e zgjuara, shërbeu për hapin e radhës. Me të ardhurat e fituara nga ai projekt i lançuar në një nga platformat “crowdfunding”, Kickstarter, ajo bleu një aparat fotografik personal, i cili më pas i dha shumë dorë për të realizuar fotot e blogut të saj personal elleserabelle.com dhe tani po i shërben për sajtin e veshjeve online, Ebel Rose.

“Ideja për të hapur butikun Ebel Rose është frymëzuar nga butikë të ngjashëm shumë të suksesshme këtu në Amerikë të cilat numërojnë me qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale Instagram dhe Facebook. Pasi bëra kërkimet e mia për furnizuesit e tyre, lidha marrëdhënie me ta dhe fillova procedurat e negocimit të çmimeve dhe sasisë. Për mua kishte shumë rëndësi cilësia e produkteve sidomos kur bëhet fjalë për veshjet e fëmijëve, ndaj përpara se të bëja porosi në sasi të mëdha për në Shqipëri, ia provova vajzës një nga një të gjitha produktet për t’u siguruar për cilësinë e tyre.”

Nëse numri i madh i sajteve të këtij lloji, mund të konsiderohet pengesë, Ema, ka gjetur mënyrat e duhura për ta shmangur. Ajo e ka ndërtuar një sajt vetëm për konsumatorin shqiptar. “Të gjitha veshjet e EBEL ROSE karakterizohen nga një raport shumë optimal cilësi-çmim dhe janë përzgjedhur vecanërisht per fëmijët dinamikë që kanë argëtimin pa fund moton e tyre! Mamatë që zgjedhin EBEL ROSE janë praktike dhe moderne dhe dëshirojnë t’i veshin fëmijët me veshje, ku dominon rehatia por pa hequr dorë nga stili! Kur krijuam sajtin tonë, ishim në dijeni që blerjet online nuk janë aq popullore në Shqipëri, ndaj jemi munduar që të ofrojmë një eksperiencë blerjeje sa më të lehtë dhe të këndshme për klientet. Duke pasur këte gjë në mendje, sajtin e ndërtuam të gjithin në shqip për lehtësi komunikimi. Kryerja e një porosie bëhet në tre hapa te thjeshtë dhe blerësi mund të zgjedhë që ta bëjë pagesën në dorë kur t’i dorëzohet produkti. Për më tepër, të gjitha produktet e ekspozuara në sajtin tonë ndodhen në Tiranë dhe pasi bëhet porosia, produktet mbërrijnë në derën e klientit për 1-2 ditë.”

Është puna e saj e çdo dite, që mbart, gati në trajtë të prekshme, dashurinë, përkushtimin dhe thjeshtësinë e një biznesi familjar. Megjithëse nismëtarja dhe ndërtuesja e web-it është ajo, Ebel Rose, është hapur dhe vazhdon të funksionojë me mbështetjen e të gjithë familjes. Mamaja e Emës merret me menaxhimin e porosive, ndërsa bashkëshorti me financat. Ajo vetë, pastaj, bën gjithçka tjetër…përzgjedhjen e produkteve, realizimin e fotografive, menaxhimin e llogarisë në Instagram. Sigurisht nuk është e lehtë. Asaj i është dashur të studiojë vetë, fotografi, kodim, webdesign në kohën e lirë, që me lindjen e vajzës “është koha kur ajo fle”, por lindja e një fëmije edhe pse mund të pakësojë orët e lira, është edhe një frymëzim i madh që i mbush ato me ide.

Dhe kështu ka ndodhur edhe me Emën, e cila pasi u bë mama e nisi të merrej me dekorimin e dhomës së vajzës i lindi ideja të dizenjonte edhe certifikata të personalizuara lindjeje me gjurmët e bebit. Në fillim realizoi certifikatën e së bijës, por shumë shpejt kjo do të kthehej në një biznes më vete që ajo e ushtron online. “Gjurmët në këtë dizenjim janë gjurmët e bebit të porsalindur që zakonisht këtu në Amerikë ia japin nënës kur bebi lind. E veçanta e këtij dizenjimi është fakti që printimi bëhet me letër varaku ngjyrë ari. Kjo mënyrë printimi bëhet me nxehtësi dhe kërkon shumë kujdes dhe precizion që të arrihet rezultati i dëshiruar. M’u desh pak kohë për ta përvetësuar këtë teknikë printimi, por pas shumë përpjekjeve tashmë ndihem më e zonja. Në fakt, nuk kisha plan për ta kthyer këtë ide në një biznes, por pasi postova një foto të certifikatës së vajzës time në Instagram, mora shumë pyetje dhe kërkesa nga nëna të tjera, ndaj edhe vendosa ta ofroja si shërbim në platformën Etsy. Herë pas here marr porosi, madje edhe nga vende të largëta si Zelanda e Re.”


Dhe kështu, ato orë që pak më lart u quajtën të lira, nuk janë më të tilla për Emën. Punon nga shtëpia, me jo më pak përkushtim sesa po të kishte një punë jashtë saj, por ndryshe nga ç’ndodh kur duhet të shkosh në zyrë, ajo është vetëm pak hapa larg së bijës. Nëse për disa kjo nuk ngjan me punën ideale, për Emën është pikërisht ashtu.
“Gjithmonë ka qenë ëndrra ime që të punoj nga shtëpia ndërkohë që i dedikohem edhe rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Të pasurit e një biznesi ka avantazhet e veta, por mbi të gjitha mendoj se të jep një lloj fleksibiliteti në lidhje me jetën familjare. Megjithëse të qenit sipërmarrëse dhe mami kërkon shumë dedikim dhe punë, kënaqësia që të sjell është tepër e madhe.” Dhe është thjesht në mes të rrugës. Sapo ka hapur Ebel Rose, por synimet për të janë me të vërtetë të mëdha. “Nëse do të arrish diçka në jetë, duhet të luftosh fort dhe duhet ta sfidosh veten në gjëra të reja”, në të kundërt përrallat rrezikon vetëm t’i lexosh dhe me shumë gjasa, të fillosh të mos i besosh.

“Dëshiroj që EBEL ROSE të afirmohet në treg si një markë që ofron veshje cilësore dhe moderne, por jo vetëm kaq. Endrra ime për EBEL ROSE është që në një të ardhme të dizenjoj linjën time të veshjeve për fëmijë dhe të rritur. Unë vij nga një familje rrobaqepësish të talentuar. U rrita duke parë mamin të dizenjojë, presë dhe qepë fustane, ndaj mendoj se e kam paksa në gjak talentin.”

Dhe veç talentit, edhe pasionin. Njëlloj si atëherë kur ngriti “dyqanin e fëmijërisë” Ebel. Sot, megjithëse me më shumë përvojë e dije, ka ende shpirtin e atëhershëm. Të njëjtën aftësi për të ëndërruar dhe guxim për ta kthyer në realitet.
