Kinemaja botërore i ka kushtuar një film dhe shumë e shumë skena babait të nuses dhe përjetimeve të tij. Edhe populli shqiptar e ka në qendër të disa këngëve atë dhe emocionet e asaj dite. Ndërsa media e fokuson vetëm kur ky është person publik. Dhe ja ku është çasti. Nasip Naço, ministri i Drejtësisë, këtë të shtunë, marton vajzën e tij Betinën. Por ne, edhe pse personazhi i njohur është pikërisht ai, do të fokusohemi te njerëzit vërtet më të rëndësishëm të kësaj dite, që janë pikërisht nusja dhe dhëndri.

Betina dhe Klaudio janë njohur para pesë vitesh e gjysmë në Durrës, qytetin e Klaudios që tani është bërë qyteti i tyre, nga disa miq të përbashkët. Distanca nuk ka qenë asnjëherë problem për ta, ashtu si nuk është tashmë për shumë njerëz që jetojnë mes metropolit dhe qytetit bregdetar. Ndërsa katër muajt e fundit ajo pothuajse është zhdukur teksa familja e Betinës po jeton në Durrës. Aty, në Kishën Ortodokse të qytetit ata kanë vënë kurorë sot paradite, ndërsa festën familjare do e zhvillojnë në një zonë të ndërmjetme e neutrale mes dy qyteteve. Menjëherë më pas çifti i ri do të nisë të jetojë në një shtëpi, për herë të parë gjatë këtyre pesë viteve.

Betina është vetëm 22 vjeçe, e sapodiplomuar për Financë, por nuk të jep aspak përshtypjen e një vajze që po martohet shumë e re. E para sepse historia e tyre tashmë është më shumë sesa pesëvjeçare, por edhe sepse ajo shfaq një maturi dhe qetësi që pak vajza të moshës së saj e kanë. Të gjitha këto, të bëjnë të besosh edhe nga jashtë, ashtu sicc janë të bindur ata të dy, që martesa nuk është aspak e nxituar. “E kishim vendosur datën që një vit më parë, por përgatitjet po i bëjmë përgjithësisht këto javët e fundit. Darka do të jetë një festë që duam ta shijojmë ne dhe familjet tona në radhë të parë. Nuk duam të bëjmë një dasmë për të tjerët pa e shijuar vetë”, thotë ajo. Eventi do të zhvillohet nga Class by AV me një dekor të ngrohtë vjeshte, për të rrethuar me një atmosferë familjare atë mjedis që do të jetë pikërisht familjar, me një rreth të ngushtë njerëzish dhe miqsh të vjetër.

Betinës dhe Klaudios nuk u ka pëlqyer në asnjë çast të hedhin hapa për t’u pëlqyer të tjerëve, apo për të ndjekur traditat që ndonjëherë më shumë të stresojnë sesa të gëzojnë. “Nuk kemi bërë një ceremoni tradicionale fejese. Bëmë një udhëtim të dy jashtë shtetit dhe kjo ishte.” Por sigurisht prezantimi në familje nuk mund të shmangej. Betina ka folur në fillim me të ëmën, Theodhorën, si ndodh zakonisht me vajzat dhe më pas ka qenë ajo që ia ka treguar sekretin bashkëshortit. Ai e ka pritur mirë. Betina është nga ato vajza që nuk të bën të mendosh që bën zgjedhje të gabuara. Më pas ka ardhur koha e prezantimit. “Sigurisht ai çast është pak i sikletshëm për të dy palët, por shkoi mirë. Babi im është njeri i ngrohtë dhe nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme, ishte një takim për të njohur shokun e vajzës”.

Sot ajo kohë duket pak larg. Betina dhe shoku i saj, po martohen. Për të nisur një fazë tjetër të jetës së tyre, e cila, edhe pse do ketë plot të reja, nuk e tremb atë. “E mendoj që po nis një fazë edhe më e bukur. Që të jem e sinqertë, për t’u bërë zonjë shtëpie nuk ndihem gati, por sot ka shumë lehtësira në çdo drejtim. E rëndësishme është që do jemi të dy.” Fëmijë pas dasmës? “Pse jo!”
E pra, siç ju premtuam kjo ishte një histori më shumë për nusen sesa për babain e saj.