Prezantuesja e “Vizionit të pasdites” në Vizion Plus, Anila Çela, farmacistja që, prej dhjetë vitesh në vend të recetave lexon skaletat, rrëfen për dashurinë me djalin që e ka njohur kur nisi punë në televizion. Dhe si ai, edhe televizioni, sot, me shumë orë transmetimi nga një anë dhe me një martesë e dy djem të mrekullueshëm, në anën tjetër, mund të quhen pa mëdyshje, dashuri të vërteta.
Dashuria e parë, të kujtohet?
Dashuria e parë sigurisht që më kujtohet.
Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
Puthja e parë, zbulim.
Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
Dashuria shpesh krahasohet me luftën ku edhe në të lejohet çdo gjë. Sigurisht që ja vlen të ngulësh këmbë nëse do të fitosh.
Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?
Të biesh në dashuri, një marramendje e fortë. Tre shot-sa rresht nuk e di sa efekt kanë tek unë, por di që dashuria deh.
Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
S’kam pasur asnjëherë strategji joshjeje. Ndoshta s’më është dashur. Dashuria është nga ato gjëra që nuk planifikohen e si e tillë hedh poshtë edhe strategjitë.
Kategoritë e meshkujve që nuk të pëlqejnë?
Nuk më pëlqejnë meshkujt që duan të bien në sy. Nuk më pëlqejnë meshkujt që nuk dinë të komunikojnë. Nuk më pëlqejnë meshkujt e kohëve “moderne” ku i forti dhe ai me ca lekë më shumë dhe pa asnjë vlerë tjetër, mendon se bën “kërdinë” me femrat.
Çfarë përdor për të joshur: bukurinë, pasurinë, trurin, humorin?
Thashë që s’kam ndonjë teknikë joshjeje, por, nga alernativat, do të doja të ishte humori dhe truri.
Shqisa më e rëndësishme në dashuri
Të gjitha shqisat janë të rëndësishme. Por unë do ta njihja partnerin tim edhe vetëm nga aroma, pa e parë, folur apo prekur. Them se nuhatja është ndër më të rëndësishmet.
Çfarë kishe veshur në takimin e parë?
Nuk mbaj mend shumë detaje pasi ne ishim miq dhe kafet ishin të zakonshme pas çdo dite pune. Por në një takim disi me “zyrtar” kam në memorie nje xhaketë të shkurtër, kadife, ngjyrë rozë.
Të ndërrosh fustanin pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
Po, mendoj se të rrish 3 orë para pasqyrës para se të takohesh është një shenjë dashurie dhe dëshire për t’u dukur mirë në sytë e tij.
Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
Jo dashuri me shikim të parë. Më analizuese (si natyrë jam mendo shtatë herë e vepro një herë, edhe në dashuri e tillë jam).
Donzhuanët: i shmang apo të joshin?
Donzhuanë nuk më kanë rastisur shumë në jetë. Por do t’i shmangia me siguri.
Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
Seksi pa dashuri s’ka vlerë.
Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
Mjafton të dashurosh, edhe 30 çmenduri ja vlejnë për dashurinë.
Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
Ne jemi rasti i të kundërtave që tërhiqen dhe funksionon shumë mirë.
Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
Të shihemi në sy.
Sakrifica apo lule dashurie?
Lule dashurie pas çdo sakrifice.
Bëjmë një bilanc të historisë suaj?
Gati 10 vite bashkë, si fillim kolegë në punë, miq në jetë, të dashur pas miqësisë, të martuar pesë vjet. 10 vite që ndajmë bashkë shumë, ditët e bukura e të trishtuara. Partner në jetë ku ndajmë të njëjtën çati, ndajmë me të rëndësishmen e gjithë këtij rrugëtimi që janë dy djemtë tanë, pasuria dhe dashuria jonë më e madhe. Më dilka mirë bilanci, nuk e kisha menduar kaq me detaje!
Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
Koha e gjatë që jemi bashkë na e ka treguar këtë.
Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
Shtëpia jonë është strehëza jonë e vendi që mbart brenda gjithçka.
Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
Dashuroj mesatarisht shumë.
