Nëse keni parë të paktën një herë profilin e Afrona Dikës në Instagram, me siguri jeni magjepsur nga bukuria dhe thjeshtësia e saj. Afrona është vërtet një vajzë që vishet bukur dhe me shije, por ndryshe nga fashionistet e tjera në profilin e saj mund të qëndrosh gjatë pa u ndjerë keq.
Themi pa u ndjerë keq sepse rrobat e Afronës mund t’i blejë çdo vajzë, pasi ajo duket se nuk e ka maninë e markave super luksoze. Afrona sigurisht që ka edhe veshje, si për shembull çanta të kushtueshme, por ajo nuk ka profilin tipik të një vajze që reklamon vetëm luksin.
Përgjithësisht në profilin e Afronës ka më shumë vend për dashurinë. Dhe ju e dini se kush është dashuria më e madhe e Afronës? Blero, këngëtari nga Kosova duket se ia ka rrëmbyer zemrën bukuroshes që ka vite që jeton në Zvicër.
Distanca mes tyre me siguri ka qenë një problem për lidhjen e tyre, por pavarësisht kësaj çifti ka mposhtuar kilometrat e largësisë, pasi zemrat i kanë gjithmonë pranë. Kur e kontaktuam Afronën për të realizuar pyetësorin e dashurisë në Revistën Class u ndeshëm me një vajzë shumë të sjellshme, që ishte e gatshme të fliste për dashurinë. Këtë përshtypje kishim për të, edhe përpara se t’i shkruanim. Afrona nuk na zhgënjeu, edhe pse është një vajzë me shumë angazhime.
Origjinale, dhe pa komplekse, Afrona na tregoi se dashurinë e vërtetë e ka njohur vetëm kur ka takuar Bleron. Bukuroshja bionde, ka folur gjithashtu edhe për takimin e parë me këngëtarin. Si çdo vajzë që kërkon t’i bjerë në sy djalit që pëlqen, Afrona është stërmunduar për takimin e parë, dhe duket se e ka tepruar paksa, pasi edhe sot Blero ia kujton veshjen me një kapele shumë të madhe në kokë, që Afrona kishte vendosur atë ditë.
Fashionistja ka një këshillë për të gjitha vajzat; që asnjëherë mos ta teprojnë me veshjen në takimin e parë, pasi djemtë preferojnë vajzat që vishen thjeshtë. Dhe të drejtë ka. Por përveç këshillave dhe takimit të parë, Afrona ka treguar puthjen e parë, strategjinë e joshjes, dashurinë e saj ideale. Pra me pak fjalë, Afrona ka hapur ndoshta për herë të parë ditarin e dashurisë, ku protagonist është vetëm Blero.
1-Dashuria e parë, të kujtohet?
-Kam menduar që kam qenë e dashuruar me herët por dashuria e parë që e kam ndjerë për një mashkull dhe që ma ka marrë zemrën ka qenë me Blerimin (Blero).
2-Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
-Me 13 (haha) ka ndodhur përpara shkollës.
3-Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
-Deri dikur po.
4-Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
-Nuk kam strategji, duhet të jesh vetvetja.
5-Kategoritë e djemve që nuk të pëlqejnë?
-Meshkujtë që jan arrogantë, jo të rrespektueshëm ndaj femrave.
6-Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
-Oh Zot, ai Blero. Edhe sot qeshë me mua. Në takimin e parë e kisha tepruar me veshjen time, sepse kam dashur që t'i pëlqej me stilin tim. Kisha vendosur në kokë një kapele të madhe dhe ai sot më thotë se duhet të kishe dalë e veshur pak më thjeshtë. Kështu që një këshillë për të gjitha vajzat; mos e teproni në takimin e parë për t’u zbukuruar shumë për mashkullin, pasi ata i duan vajzat e veshura thjeshtë.
7-Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
-Nuk do të thotë se je e dashuruar, por thjesht e entuziasmuar. Kjo është një shenjë e mirë për fillimin.
8-Serial lover-at i shmang apo të joshin?
-I shmang.
9-Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
-Tërheqja e të kundërtave.
10-Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
-Në të njëtin drejtim.
11-Sakrifica apo lule dashurie?
-Sakrifica, në fakt dashuria pa sakrifica ëshë e vështirë të kuptohet dhe çdo ditë unë besoj se ne jetojmë duke sakrifikuar për njerëzit tanë të dashur.
12-Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
-Për mendimin tim, dashuria e vërtetë duhet të zhvillohet me kalimin e kohës. Në fillim janë ato ndjenja të bukura dhe të lumtura, pastaj pak nga pak fillon të pëlqesh njeriun që e ke njohur tek ai ose ajo dhe fillon të zhvillosh ndjenja që nuk i ke provuar kurrë më parë.
13-Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
-Do doja të jem dikur larg. Në nje vend, si Madagaskar, duke pirë një pinakolada, dhe duke shijuar natyrën e Afrikës me partnerin tim.
14-Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
-Dashuroj shumë.