Një këngëtare shumë e talentuar, me një vokal të jashtëzakonshëm. Ajo është pa komplekse dhe e thotë troç atë që mendon, edhe kur i bëhen pyetje “me spec”. Kjo është Fifi, këngëtarja nga Kosova, e cila pa dyshim vitin që kaloi kori suksese të mëdha në karrierën e saj.
Kënga e saj “Zhurmë” u rëndit e treta në “Këngën Magjike”, por jo vetëm kaq. Ndonjëherë disa këngë si ajo e Fifit edhe nëse nuk janë fituese, mbahen mend dhe këndohen gjatë nga publiku.
Fifi prej disa kohësh punon në Top Channel, ku këndon në emsionin “Shiko Kush Luan”. Pra me pak fjalë, Fifit, karriera muzikore duket se po i ecën mjaft mirë.
Por përveç muzikës, po jeta personale e Fifit çfarë të rejash ka? Siç e thamë edhe më lart Fifi nuk kursehet në përgjigjet e saj, por gjithsesi në këtë “Pytësor dashurie”, Fifi ka treguar duke fshehur. Pra edhe na ka treguar disa gjëra të bukura rreth dashurisë, por nuk na ka folur për ndonjë histori konkrete të cilën këngëtarja mund të jetë duke e përjetuar.
Gjithsesi, ato çfarë ka thënë mjaftojnë për të mësuar, sesa e rëndësishme është dashuria në jetën e Fifit. Këngëtarja tregon se deri në vdekje do të bëjë çmenduri për dashurinë.
Por përveç sakrificave dhe çmendurive, Fifi tregon edhe zhgënjimet që ka pasur, si për shembull puthja e parë.
Për të zbuluar më shumë për dashurinë e Fifit lexoni intervistën ekskluzive të këngëtares për “Revistën Class”.
1-Dashuria e parë, të kujtohet?
-Dashuria ime e parë ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e jetës sime, dhe ai është babai im.
2-Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
-Super zhgënjim.
3-Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
-Në dashuri nuk ia vlen thjesht të ngulësh këmbë, një njeri që dashuron është në gjendje ta kthej botën përmbys fare.
4-Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?
-Jo 3 por 33 shotsa rresht.
5-Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
-Nëse mund të them strategji, kohëve të fundit po përdor gjenë time më të shenjtë e të veçantë që kam: muzikën.
6-Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?
-Për të joshur truri dhe humori janë specialiteti jem.
7-Shqisa më e rëndësishme në dashuri:
-Nuk du ta marr në kuptimin e parë fjalën shqisë. Prandaj them që dashuria është më shumë se shqisë, është e shenjtë.
8-Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
-Nuk e mbaj mend si isha veshur sepse gjëra të tjera ma morën mendjen.
9-Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
-Kjo e veshjes mendoj se është më shumë fiksim se shenjë dashurie. Dashuria është komoditet, jo kompleks.
10-Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
-Unë besoj në dashuri me shikim të parë dhe dashuroj të lëndohem nga dashuria.
11-Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
-Të bërit dashuri e pasuron dashurinë.
12-Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
-Deri në vdekje do të bëja çmenduri për dashurinë.
13-Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
-Më mirë tërheqja e të kundërtave.
14-Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
-Kjo pyetje është pak me spec. Është sikur të pyesësh të dashurosh me zemër apo me tru. Mendoj se do të ishte shumë romantike të përgjigjem “të shihemi në sy”, por të shohim në të njëjtin drejtim, pasi ka super mega domethënie më të rëndësishme.
15-Sakrifica apo lule dashurie?
-Vet fjala dashuri është sakrificë, dhe po sakrifikove, nuk vyshket kurrë lulja e dashnisë.
16-Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
-Nuk e kupton asnjëherë po nuk u dashurove.
17-Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
-Dashurinë time më të madhe unë zakonisht e përshkruaj në këngë. Dhe nëse duhet të thëm që kënga “Zhurmë” më solli diçka të veçantë në jetën timë dhe pikërisht atë që po kërkoja, e bëri. Mirëpo akoma më mirë do shpjegohet në këngët e reja, që do të vijnë rresht duke filluar që nga ky fund muaj.
18-Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
- Nuk mund ta vesh dashurinë në peshore e ta masësh a është pak apo shumë. Është shumë e thjeshtë, ose dashuron ose nuk dashuron fare. Unë e përfundoj me shprehjen time të preferuar që e kam edhe tattoo “Amor Vincit Onnia” që do të thotë në shqip “Dashuria i mundë të gjitha”.