Të merrte pjesë në Miss Universe kishte qenë ëndrra e saj që e vogël dhe, me sa duket, kurora e kishte thirrur qysh atëherë. Sa herë e ndiqte spektaklin dhe shihte vajzat që merrnin pjesë, ishte e bindur se edhe ajo do të ishte një ditë në vend të tyre.

Megi Luka, 19-vjeçarja që sapo është kurorëzuar si Miss Universe Albania 2015, qëlloi në shenjë që me eksperiencën e parë në një konkurs bukurie. Nuk është aspak e vështirë të kuptosh sa ambicioze dhe sa shumë vetëbesim ka bukuroshja nga Fushë-Kruja, ndërsa kupton sa të qarta i ka në kokë objektivat që do të arrijë në jetë. E dinte dhe e ndiente që do ta fitonte kurorën e Miss-it, nuk po e shihte më pjesë të ëndrrës këtë garë bukurie, edhe sepse emri i saj ishte më i klikuari në rrjetet sociale, vetëm priste momentin e kurorëzimit. Pas këtij të fundit, për fat të keq, ndjeu edhe xhelozitë e para, të cilat deri në atë moment kishin qenë të fshehura, edhe pse, siç thotë vetë Megi, janë pjesë e garave të tilla dhe konkurrenca apo xhelozitë janë normale.

Megjithatë, ndonjëherë edhe të tepruara, siç ishin reagimet pas kurorëzimit, kur asnjëra nga vajzat konkurrente nuk e uroi për fitoren: “Në fakt, asnjëra nuk më uroi, përveç Nikit, vajza që fitoi “VIP Magazine”. Të tjerat nuk më folën, nuk më thanë që e meritoja, edhe pse ishin ato vetë që më votuan krahas publikut, duke qenë se ne votuam njëra-tjetrën më parë dhe më e votuara mes vajzave dola unë”, - rrëfen Megi në një intervistë për “Paloma”.

Përtej të gjithave, kjo kurorë për 19-vjeçaren ishte hapi i parë drejt një rrugëtimi, i cili, me siguri do ta çojë shumë larg. Pas disa muajsh, Megi do të përfaqësojë Shqipërisë në Miss Universe në Shangai. Ajo shpreson dhe beson shumë tek vetja, madje edhe që mund ta fitojë kurorën e Miss-it: “Pse jo? Jam shumë optimiste dhe kam shumë besim te vetja. Synoj të kem një karrierë jashtë vendit dhe shpresoj që do t’ia dal” – thotë ajo, duke shtuar se më shumë do të donte të ndërtonte një karrierë si modele, por edhe për ekranin ka një simpati të veçantë dhe do t’i pëlqente të punonte. Ndonëse edhe këtë ëndërr e ka bërë realitet tashmë, meqë është bërë pjesë e stafit të Telebingos në programin “E diela Shqiptare”.

Ka vetëm disa ditë që mban në kokë kurorën e Miss-it, por nuk mendon asnjëherë që ajo do ta ndryshojë në karakter. Është mjaft e lidhur me shoqërinë, është e thjeshtë dhe pa komplekse, ndërsa për djemtë “nuk i intereson asgjë që ka lidhje me ta”.