Sot është organizuar aktiviteti i tërheqjes nga karriera sportive e një prej boksierëve tanë më të suksesshëm në botë, kampionit të botës, Kreshnik Qatos. E pranishme në ceremoni ishte edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Kreshnik Qato i ka veshur dorezat e boksit në moshë të re duke e filluar karrierën amatore në ekipin e të rinjve në qytetin e lindjes, Durrës. Pasi përfundoi shkollën e mesme, Qato iu përkushtua vetëm boksit, dhe shumë shpejt ai kaloi në ekipin përfaqësues të Shqipërisë.

Studimet akademike për degën e boksit, Qato i kreu në vitet 1997- 2000, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve,  “Vojo Kushi”, Tiranë. Por, karriera e boksierit të ri ndryshoi rrënjësisht, kur trajneri anglez Luigi Leo i propozoi shqiptarit Qato ,të kalonte në boksin profesionist në vitin 2000, duke i ofruar ndihmën e tij si trajner.

Në vitin 2010 boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato mbrojti  për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin “World Boxing Federation”. Karriera e Qatos vazhdoi me disa duele te tjera  të zhvilluara në Londër, ku boksieri korri vetëm fitore.

Kjo karrierë e suksesshme e Qatos është vlerësuar edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani i cili në vitin 2013  i akordoi kampionit shqiptar të boksit Kreshnik Qato, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”.

Kreshnik Qato është një nga boksierët më të njohur shqiptar të viteve të fundit.

Kreshniku mbush 37 vjec ne gusht, ai ka disa trofe nderkombetar ne karrieren e tij si boksier i peshes se mesme