Përshëndetje Class! Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 25 vjeç dhe doja ta ndaja me ju historinë time. Në vitet më të bukura të miat i hyra një historie, nga e cila po dëmtohem vetëm unë. Pa bërë 20 vjeç, paralelisht me të dashurin që kisha atë kohë, u dashurova në mënyrën më idiote dhe të pakarakter të mundshme me dikë që më lidhte përditshmëria. E dija se edhe ai kishte një të dashur, por nga verbimi i asaj që ëndërroja, besova se do vinte një ditë që të më zgjidhte mua. Lidhja e re u bë shumë shpejt e konsoliduar dhe e ekuilibruar. Takoheshim çdo ditë, çdokush njihte tashmë atë si të dashurin tim dhe mua si të dashurën e tij. Na lidhte përditshmëria. Fillova të mendoj se po linim pas partnerët që kishim dhe do kishim bashkë atë që unë prej 6 muajsh ëndërroja. Në fillim isha e qetë, isha unë, bota ime dhe ai. Harroja shpesh realitetin (ju, me siguri do më gjykoni). Unë e kisha të dashur, sepse e doja, ai s’e di ç’më kishte, po le të themi dashnore. Kur unë gabimisht  fillova të besoj se mund të linim gjithçka pas, ai vendosi të krijonte familjen e tij dhe unë e pashë me sytë e mi se si. Aty e kuptova vendin tim. Vendosa t’i ripërkushtohesha lidhjes së mbajtur pezull, por nuk më ecte përsëri, pasi s’kishte më ndjesi. Nuk e gjykoj veten për atë që iku në lidhjen e parë, pasi çdokush thoshte se nuk do ecte. Unë e ish-i nuk kishim pikë lidhje midis nesh. Kështu që pasi u përpoqa dhe nuk ia dola, u ndava me të dashurin e parë e vendosa të isha një e dashuruar (dashnore tingëllon keq) me kohë të plotë. Mos më besoni dhe më gjykoni, ju kuptoj, sepse dhe unë kështu gjykoj si ju. Shpatullat tuaja nuk mbajnë peshën që mbaj unë. Unë jam e pakaraktër, e di, k... nuk jam, nuk ndaj asnjë familje, unë qëndroj në pritje, nuk kërkoj asgjë në këmbim. Unë jam e qartë çfarë jam, por më shtyp dashuria, mungesa e kurajës dhe pafuqia për t’u larguar. E di që edhe mund të ndahem dhe që do e harroj, edhe që do gjej dikë që të më bëjë të lumtur, totalisht timin, por nuk dua.

Më falni, ju bashkëshorte të këtyre burrave me dy gra, fajin jua kanë bashkëshortët, jo ne. Nuk mund të mendojmë për ju, kur dashurinë që japim kemi të vetmen gjë, thjesht e kemi molepsur fatin gabimisht, fajësish me bashkëshortët e dikujt.

Unë e dua dhe s’kam karakter ta lë, as ti mos e lër. Ai tashmë të ka zgjedhur. Hija ime mos të të trembë, unë s’jam më me rëndësi se ty. Ai s’do të të lërë kurrë, s’ka aq karakter. Ti je ajo që ai do flejë dhe zgjohet me ty, do ndajë me ty çdo gjë. Unë do jem në pritje. As do marr guximin të të ndaj, as nuk do iki. Ju, çifti ku unë kam hyrë në mes, jam e vetëdijshme për vendin që kam. Ti, bashkëshorte, më dëgjo sa e dashuroj dhe mos u tremb. Ti dashuri, më duaj pak më shumë...