“Mulliri Vjetër” vetëm emrin ka të tillë. Kur hyn, kupton që është një “mulli rinie”. Aty gjithçka është e re. Klientët dhe gumëzhima e tyre, aroma e kafesë së sapopjekur, vajzat e shërbimit, harmonia e ngjyrave, shkëlqimi i dritës.

Një shije e mirë që zgjat prej më shumë se 20 vitesh. Është e pamundur të kalosh në rrugët e Tiranës dhe të mos ndeshesh në një nga kryqëzimet e kryeqytetit, me një pikë të kafesë së “Mulliri Vjetër”. I arreduar me shumë stil dhe thjeshtësi, ky zinxhir kafenesh ka sjellë një tjetër ajër në rrugët e Tiranës.

Sapo shkel në njërën prej pikave, ndihet aroma e kafesë që e bën qëndrimin më të këndshëm, si dhe produktet e tjera që bëjnë konkurrencë për t’a shoqëruar atë dhe që nuk i gjen kudo. Mund të qëndrosh aty, ose të largohesh, i përfshirë në një ritual perëndimor, duke mbajtur në dorë një gotë të vogël kartoni, por që ka një emër shqiptar.

Frekuentuesit e rregullt të këtyre pikave, e kanë parë me siguri se si në vite “Mulliri Vjetër”, pa ndryshuar emrin dhe pa humbur asgjë nga standarti i dallueshëm i cilësisë në mjediset tij, ka zgjeruar produktet, origjinën e tyre, paksa dhe konfigurimin ... dhe ne kemi dashur të mësojmë më shumë rreth evoluimit.

Në një intervistë për Revistën Class, Menaxherja e Përgjithshme e kompanisë “Mulliri Vjetër”, znj. Marina Rama, ka rrëfyer rrugëtimin e këtij biznesi që nga fillimi e deri më sot, ku është një ndër lokalet më të frekuentuara në kryeqytet.

Marina ka treguar se “Mulliri Vjetër” nisi si një biznes i vogël familjar për tregtimin e kafesë së pjekur dhe të bluar rreth vitit 1996. Themelues të këtij biznesi janë një familje. Znj. Rama tregon gjithashtu pse iu vendos ky emër shqiptar këtij rrjeti biznesesh dhe mendojnë t’a zgjerojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Për çdo kuriozitet që mund të keni në lidhje me kete kompani kafeje si dhe nje nder rrjetet me te suksesshme te kafeneve në Tiranë, ju ftojmë të lexoni intervistën e plotë me Menaxheren e Përgjithshme.

Me çfarë ideje është hapur “Mulliri Vjetër”?

-E gjitha nisi si një biznes i vogël familjar në tregtimin e kafesë së pjekur dhe të bluar turke që në vitin 1996. Si të gjitha bizneset e asaj periudhe, ishin pjesëtarët e një familjeje të cilët punonin për të njëjtin synim. E filluan me një pajisje të vjetër për pjekjen e kafesë, e pastruan dhe vunë në punë. Zgjoheshin herët piqnin, bluanin kafenë dhe e paketonin të freskët. Nuk mund të themi që në këtë periudhë të kishte një vizion të qartë për të ardhmen pasi Shqipëria në vitet për të cilat po flasim nuk i kishte kushtet logjistike si edhe mundësinë që të pretendojë më shumë. Me kalimin e viteve, kafja turke “Mulliri Vjetër” filloi të njihej duke krijuar një emër të mirë në tregun lokal. Biznesi ka pësuar ndryshimet e njëpasnjëshme deri në ditët e sotme. Futja e teknologjisë për të ruajtur dhe garantuar standartet e prodhimit dhe për të përballuar fluksin që do të shkaktohej më pas, tashmë ishte përfunduar. Gjithçka ishte gati. Kafen e gjen jo vetëm në çdo market e supermarket cilësor të Shqipërisë, por edhe në Kosovë, Athinë dhe deri në Amerikë. Të blesh kafen “Mulliri i Vjetër” në Amerikë, është si të çmallesh me shtëpinë. Ndryshimet nuk do të vinin deri në vitin 2004, kur u hap dyqani i parë i ri, duke u shkëputur nga dyqani i familjes. Me të njëjtin përkushtim dhe cilësi , por me diçka më shumë, jo vetëm kafe, por edhe kafene, që blerësit të rrinin më gjatë, të shërbeheshin më shumë, të shkëmbenin biseda e këshilla, si dikur në kafen e lagjes. Kështu mori jetë linja e re e dyqaneve “Mulliri Vjetër”, e cila ka tashmë 12 dyqane - kafene në gjithë Tiranën dhe një në Durrës. Pas hapjes së dyqanit në fillim të rrugës “Fadil Rada”, kompania do të ndryshonte gjithë filozofinë e funksionimit të dyqaneve dhe hapjes së tyre në të ardhmen sipas konceptit të ri “vetëshërbim” i cili menjëherë u mirëprit dhe pati shumë sukses. Kompania e prodhimit të kafesë është një sukses më vete. Dalëngadalë u shtuan dhe artikuj të tjerë si edhe pjesën e barit për përgatitjen e produkteve të kafes ekspres. Kompania nuk mund të humbasë lehtë, çfarë wshtw bërë me aq mund. Dhe për të siguruar cilësinë, ja kane besuar punen e tyre vajzave. Që në fillim, futëm vetëm vajza në sektorin e shërbimi dhe tashmë familja është zgjeruar me 120 vajza. Kështu e konsiderojnë veten te “Mulliri”, një familje. Një familje që kërkon besim e përkushtim.

Çfarë synoni të arrini me ambientin, shërbimin dhe produktet tuaja? Keni një filozofi që mendoni që ju diferencon nga zinxhirët e tjerë të kafeneve në Tiranë?

-Ne e duam punën, jetojmë me të dhe jemi profesionistë në atë çfarë bëjmë, prandaj gjithçka në lokalet tona reflekton profesionalizëm për një ambient të kujdesur mirë, me staf të përzgjedhur dhe produkte që ndryshojnë nga ato që klientët tanë mund të gjejnë kudo. Ne kërkojmë që ambientet tona të jenë të këndshme për syrin, duke u kujdesur për to deri në detajet me të vogla. Shërbimi i mirë dhe korrektësia nga ana tjetër është një detyrë e vështirë prandaj mundohemi që të ketë dashuri dhe pasion për punën, për t’ja përcjellur të gjithë stafit tonë. Ne synojmë që klientët tanë të dalin të kënaqur pas qëndrimit në ambientet tona, si edhe të rikthehen sërisht. Por jo pak lëvdata marrin edhe nga blerësit në Shqipëri që e kanë “Mullirin” zgjedhje të parë në një kohë mes shumë zgjedhjesh për kafené.

Pse është zgjedhur ky emër “Mulliri Vjetër”, shqiptar dhe që ngjall një lloj nostalgjie? Ishte me shumë për moshat e rritura që të blinin një kafe të cilësisë së mirë?

-Emri nuk ishte menduar për të krijuar një lidhje me një klientelë të grupmoshave të mëdha si klientët më potencialë të biznesit tonë. Në fakt, përzgjedhja e emrit nuk ka qenë rastësore. Vendi ku u hap dyqani i parë, njerëzit i referoheshin si “Mulliri Vjetër” pasi dikur aty kishte qenë një mulli dhe për këtë arsye edhe ne e ruajtëm këtë emër duke e përshtatur me biznesin tonë të kafesë.

 Larminë dhe markat e produkteve e keni shtuar për të synuar një audiencë më të gjerë? Ka një miks të madh produktesh dhe markash tashmë…diçka që i bashkon të gjitha?

-Jo gjithçka nis nga dëshira për të kapur një fashë më të madh konsumatorësh. Shtimi i produkteve si brenda llojit të biznesit tonë kryesor të kafesë edhe jashtë tij, ka ardhur gradualisht. Shpeshherë jemi nisur nga vetja duke u munduar t’i përgjigjeshim pyetjes “Çfarë do të doja unë nëse do të isha një klient që viziton dyqanet tona?”. Gjithashtu është shfaqur nevoja për t’u përshtatur sa më shumë edhe me kërkesat e klientëve gjithmonë në rritje për produktet e ndryshme të cilat plotësojnë ose shoqërojnë produktet tona bazë.

Sa pika janë aktualisht në Tiranë?

-Aktualisht janë 12 pika “Mulliri Vjetër” nga të cilat 11 janë në Tiranë, dhe nje pikë në qytetin e Durrësit.

Ka “Mulliri Vjetër“ në qytete të tjera të Shqipërisë? Planifikoni ta zgjeroni më shumë në Tiranë apo jashtë?

-Pika e vetme jashtë Tiranës është ajo e vendosur në qytetin e Durrësit, në bulevardin “Epidamn”.Të gjitha pikat menaxhohen drejtpërdrejt nga kompania “Mulliri Vjetër”. Nç në çdo moment kemi plan për zgjerim dhe hapje të reja të dyqaneve. Duhet thënë që kemi vazhdimisht kërkesa për dhënien e licensave Franchise, por për arsye se duam që të ruajme cilësinë e shërbimit, dhe mos të ketë asnjë ndryshim në çdo pikë të dyqaneve që mbajnë emrin “Mulliri Vjetër”, nuk kemi dhënë akoma licensa për Franchise, por që po punohet edhe për këtë pjesë.

Produktet tuaja janë pak më të shtrenjta sesa mesatarja, ka arritur konsumatori shqiptar të kërkojë cilësinë?

-Edhe pse ajo që ne nuk tolerojmë është Cilësia e produktit, pavarësisht kësaj kemi çmimet me konkurruese në treg. Të gjithë dyqanet tona janë në pika kyçe të Tiranës, ku lehtësisht dallohet arredimi me stil qe i karakterizon dyqanet tona, si dhe shërbimet shumë cilësore. Ne kemi mbajtur të njëjtat çmime, sikurse një lokal i thjeshtë lagjeje, edhe pse ka një hendek të madh midis kafeterive “Mulliri Vjetër” dhe nje lokal tjetër. Jemi munduar të jemi sa më pranë konsumatorit si me çmime të arsyeshme, me cilësi të lartë të produkteve, ashtu dhe me shërbime cilësore. Duhet të theksojmë se produktet që ne ofrojmë në dyqanet tona, janë të veçanta e jo gjithmonë popullore. Produktet si muffin, biskota apo sanduiçe jane produkte që shiten të freskëta. Punishtja jonë e pastiçerisë punon çdo natë për të ofruar produktet e freskëta në mëngjes për çdo dyqan tonin.

Klientët tuaj të çfarë moshave janë përgjithësisht?

 -Mund të themi me siguri se klientët tanë janë të të gjitha moshave. Përhapja e dyqaneve tona, shumëllojshmëria e produkteve si edhe mënyra e shërbimit, e ka bërë të njohur kompaninë tonë ndaj të gjitha grupmoshave dhe jo vetëm ndaj moshave të mëdha siç ka qenë e njohur para disa vitesh.

Kush i realizon dekorimet e brendshme dhe nga frymëzohet?

-Çdo dyqan është i ngjashëm deri diku me njeri - tjetrin për nga konceptimi, por njëkohësisht edhe unik në vetvete. Në fakt është një proces me shumë autorë, por pa dyshim që në thelb përmban shijen, dëshirat dhe idetë e atyre që e kanë themeluar dhe e drejtojnë kompaninë, Melisës dhe Lulëzimit.

Përfundimisht shqiptarët duan më shumë çajin apo kafenë?

-Jam e bindur që makiaton, gjithmonë sipas statistikave. Pa dyshim që ne nuk jemi një vend që pimë shumë çaj. Kafeja ose produktet me bazë kafeje janë gjithmonë zgjedhja e parë e shumicës së konsumatorëve shqiptarë vecanerisht kur i ofrohet nje cilesi e larte si ajo e kafes“Mulliri Vjetër”.