“Besoj në ëndrra” ishte kënga e parë e cila u përfaqësua nga Edea Demaliaj në Festivalin e RTSH-së pak ditë më parë. Teksti i punuar nga fituesja e X Factor ishte i pari për Edean, e cila skenën e festivalit e kishte prekur qysh fëmijë me të atin, solistin e grupit “Djemtë e detit”.

E ftuar pasditen e sotme në programin “Rudina” në Tv Klan, Edea tregoi më shumë për këtë eksperiencë të re të saj dhe skenën që preku për herë të parë. E pyetur si ishte të rikthehej në skenën ku vite më parë kishte debutuar edhe i ati, Edea tha se ishte e përgatitur për përgjegjësinë, edhe pse kishte kohë që nuk i përjetonte ato emocione skenike: “Më kishin përgatitur që të mos e merrja si diÒ«ka të thjeshtë. Mami dhe të gjithë miqtë më kishin thënë “ke shumë përgjegjësi mbi vete.” Unë kisha kohë pa e ndjerë atë dridhjen në skenë”, – tregon Edea pa e fshehur emocionin e këtij përfaqësimi.

Ndonëse kjo ishte dalja e parë në skenën e festivalit, Edea nuk e sheh muzikën si një profesion, por si hobi. Edhe pse nuk do ta lërë asnjëherë, ajo mendon se në ardhmen do të ketë një profesion tjetër. Këtë vit ajo është maturante dhe qëllimi kryesor janë rezultatet e larta.

Megjithatë, rrugën e lënë në mes nga i ati nuk ka ndër mend ta lërë. Lidhja e fortë me të ia ka theksuar edhe më shumë pasionin për të vazhduar. E pyetur nëse i ka lënë ndonjë amanet para se të ndahej nga jeta, Edea tregon se ai gjithmonë ka dashur që ajo të bëhej këngëtare: “Babi gjithmonë ka dashur që ta vazhdoja muzikën. Më thoshte gjithmonë “këndo atë që do dhe prezantohu tek publiku ashtu siÒ« do. Mos kërko komercialen, por ji origjinale.”

Këtë porosi të Gentit, Edea do të vijojë ta ndjekë, por edhe ta konkretizojë. Në muajin janar, ajo do të realizojë një këngë të re me kompozitorin Darko Dimitrov dhe më vonë edhe me projekte të tjera.