Konkursi botëror i bukurisë Mrs Globe, këtë vit organizon garën e 20-të që nga krijimi i tij në vitin 1996, duke e kthyer këtë spektakël në një event për të mbledhur të gjitha fitueset e kurorës në vite.
Spektakli zhvillohet në dhjetor në Hainan dhe një ftesë e veçantë ka mbërritur edhe në Shqipëri, për fituesen e edicionit të vitit 1999, Valbona Selimllarin. Nuk e dimë në janë sytë e dashurisë me të cilët publiku shqiptar e sheh Valbonën që nga viti 1991 kur u shpall Miss Albania, apo e vërteta, por Miss-i shqiptar shkëlqen më fort mes gjithë konkurrenteve dhe më interesantja është që ajo nuk ka ndryshuar një grimë me vitet, në mos është bërë edhe më rrezatuese.

E vërtetojnë edhe fotot e reja që Valbona Selimllari ka realizuar me talentin e ri, Egest Xhoga për këtë datë të shënuar të Mrs. Globe, të kërkuara nga organizatorët këto ditë.

Do të mjaftohet me kaq sepse fizikisht e ka të pamundur të jetë në Hainan ku është e ftuar bashkë me zonjat e tjera që kanë vendosur mbi kokë kurorën e Mrs Globe në vite. “Do të kisha pasur shumë dëshirë të isha e pranishme sepse është një event madhështor, por nuk mund të shkoj sepse jam në Dance with me dhe nuk mund të kthehem brenda një dite nga Kina në Tiranë. Nëse do të organizohej në një vend në Evropë, do ishte e mundur, por Kina është shumë larg”, thotë Valbona për Class.
Kanë kaluar 17 vjet nga koha kur fitoi Mrs. Globe dhe 25 nga dita kur u shpall Miss Albania dhe ende sot, një kurorë bukurie qëndron shumë mirë mbi kokën e Valbona Selimllarit.


