Njihet nga të gjithë si polici i “Portokalli”-së, rol në të cilin aktorin Flori Binaj e shohim prej më shumë se një dekade. Por, përveç punës në skenë, ai është baba i një vajze të bukur dhe një djali të bukur e të vogël. Aktori ka folur së fundi për familjen e tij, në një intervistë të sinqertë e plot humor në show-n “M’fal për shprehjen”. Binaj tregon vështirësitë e të qenit baba i dy fëmijëve, por edhe përjetimet e bukura si baba. Ai rrëfen se me fëmijën e parë ndryshojnë disa gjëra, - “thua që nuk është ashtu siç e kishe në plan”,- shpjegon Flori, teksa rrëfen se, - “Por kur vjen edhe i dyti... Është totalisht jashtë planeve. Megjithatë është shumë gjë e bukur. Nuk duhet t’i shohësh fëmijët si janë sot, sepse gjërat ndryshojnë, ata rriten, ikin ditët e lodhshme, harrohen e kanë gallata. Por janë disa gjëra që të ngelen në mendje”.

I quajtur si “hero” nga kolegu Elvis Pupa, për aftësinë që arrin të përballojë punën në “Portokalli” si aktor, shkrimin e skenarëve edhe dy fëmijë, Flori tregon,- “Në fakt të japin disa energji që t’i mendon se nuk i ke, por dua të falënderoj gruan time, që e kupton këtë gjë shumë mirë e më thotë: rri aty se merrem unë me fëmijët”.
I pyetur se si i ka pritur lindjet e dy fëmijëve, aktori i njohur rrëfen me humor,- “Kishim 11 vjet me Sabinën, bashkëshorten, dhe kishte ardhur momenti të mos mendonim më për veten por të bëheshim prindër. Femrat kur shtrohet kjo çështje kanë 1001 pyetje, por meshkujt kanë në mendje vetëm diçka (qesh)... Megjithatë edhe meshkujt mendojnë nëse do të jenë të aftë ta lënë partneren shtatzënë që herën e parë. Në këtë moment ndërhyn shoqëria që jep receta të ndryshme (të çuditshme)”.

Sa i takon gjinisë së fëmijës së tij të parë, Flori Binaj pranon se ashtu si paraardhësit e të gjithë shqiptarëve edhe ai preferonte djalë. “Që nga momenti që e zbuluam brenda kokës sime dëgjoja një zë që më thoshte se e kam djalë. Deri pak përpara se të bënim ekon, çuditërisht atë ditë zëri brenda meje më tha që do të ishte vajzë. Mjeku na tha që kishim bërë një alamet vajze”,- tregon ai. Aktori shpjegon më tej se në atë moment ka kuptuar se sa me fat ishte që do të kishte një vajzë.
Intervistën e tij, Flori Binaj e përfundon duke thënë, - “Nuk prita gjatë, doja që vajzën time Krena ta bëja me një vëlla. Në matematikë kam qenë gjithmonë keq, 5, apo 6 nota më e mirë, por në jetë mora 10, vajzë e para, djalë i dyti”.
