Pak ditë pas ndarjes nga jeta të kantautorit Francesk Radi, bashkëshortja e tij Tefta Radi dhe familja vijojnë të presin ngushëllimet në Hotel Mondial. E pikëlluar nga kjo humbje e parakohshme e bashkëshortit, Tefta e ka të vështirë t’i mbajë lotët, por mes dhimbjes kujton edhe kohën kur u njoh me të. Në një rrëfim të fundit për Report TV, Tefta rrëfen njohjen në Fushë-Arrëz dhe dashurinë pa kushte me këngëtarin e internuar e të privuar nga jeta artistike në Tiranë.
“Vitet e Fushë-Arrëzit vërtet vite të vështira. Isha vetëm 22 vjeç. Dilja për herë të parë nga shtëpia, në një terren të thyer me klimë të ashpër, por do të ishin dhe ditët më të bukura, sepse u njoha me Frankun. Ai vajti direkt në Festivalin e 11-të, unë kam vajtur dy vite më vonë. Ishte një dashuri pa interes në një kohë kur shumëkush e përndiqte ose i thoshte do t’i biesh kitarës kur të themi ne”,- tregon Tefta.
Ajo kujton edhe kontributin e Françeskut për ngritjen e orkestrës popullore të Fushë-Arrëzit: “Ndoshta një pjesë e njerëzve të emëruar nga partia ishin të detyruar të zbatonin urdhrat, por njerëzit e thjeshtë dhe disa pushtetartë e kanë dashur fort Frankun, sidomos ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë pasur kontakte të ndryshme me të. Franku gjallëroi Fushë-Arrëzin, gjallëroi fëmijët e Fushë-Arrëzit, u mësoi kitarën dhe vetë mësoi instrumentet e veriut. Bëri një punë të vyer bashkë me Ndue Shytin në krijimin e Orkestrës së Veglave Muzikore Popullore”,- tha ajo.
Françesk Radi ka ndërroi jetë më 3 prill në moshën 68-vjeçare. Për këngëtarin u mbajt një ceremoni madhështore për përcjelljen në banesën e fundit më 4 prill. Në përcjelljen për në banesën e fundit, Tefta Radi tha se e ka dashuruar Françeskun në një kohë kur të tjerët kishin frikë t’i flisnin me gojë.