Adhuruesit e jetës së natës dhe muzikës live e njohin mjaft mirë Era Rusin, e cila është konsideruar si një nga këngëtaret më të mira të tregut muzikor shqiptar me zë potent dhe stil unik. Këngëtarja është rikthyer në ekran me një sfidë të veçantë, gati-gati të rrezikshme - me prezantimin nën petkun e artistëve të tjerë me famë botërore. Të hënën që lamë pas, Era u prezantua si Lady Gaga dhe interpretimi i saj e shpalli fituesen e mbrëmjes, ndonëse në këtë intervistë për GSH, Era tregon se “fustanin me copa mishi nuk besoj se do mund ta vishja kurrë në një tapet të kuq”. Por cilët janë emrat që Era Rusi do të sillte me kënaqësi dhe do të preferonte të ishte nën petkun e tyre? Ajo përmend disa nga emrat femërorë më të adhuruar në botë, për të cilët thotë se është rritur me zërin e tyre.

Për “Your Face Sound Familiar”, ajo është e kënqur që është bërë pjesë, meqenëse qysh e vogël i ka ndjekur formatet simotra në botë: “Për herë të parë zhvillohet në televizionet shqiptare ky format dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij spektakli, sepse të jep mundësinë të shpërfaqesh në sytë e publikut në shumë dimensione. Tashmë të gjithë po shohin një Era më të kompletuar dhe nën petkun e disa idhujve botërorë. Të arrish të bësh performancë krejtësisht të ndryshme çdo javë është edhe një sfidë për mua personalisht”, – tregon ajo duke shtuar se të hysh nën petkun e një artisti tjetër “është e vështirë, sepse secili nga ne mundohet të jetë unik dhe emër i përveçëm në showbiz. Por meqë formati është i tillë, atëherë të gjithë ne si ekip, jemi të angazhuar të sjellim më të mirën dhe maksimumin për të qenë sa më afër origjinalit dhe natyrisht të sjellim edhe spektakël në skenë.”

Interpretimi që e renditi në vend të parë, Lady Gaga, nuk është një personazh i lehtë, megjithatë, edhe pse jashtë natyrës së saj, Era ia doli të futej nën lëkurën e saj, por shton se ajo çka nuk do bënte dot është veshja e fustanit me copa mishi.

Këtë javë, Era do të imitojë një artist mashkull, Bon Jovi-n, të cilin ajo e ka mjaft përzemër, por gjithashtu shton: “Do kisha shumë dëshirë edhe pse vetëm për një natë, të isha një Christina Aguilera apo Witney Houston, Aretha Franklin apo Tina Turner. Jam rritur me zërin e tyre dhe mendoj se vokalisht më shkojnë shumë.”
