Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar sot kriteret e pranimit në universitetet publike dhe private në vend. Mbi bazën e tyre do të bëhet përzgjedhja e studentëve të rinj. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, parashikohet një formulë e re e pranimit në universitete. Sipas kësaj formule, janë vetë universitetet ato që kanë përcaktuar peshën që do të ketë mesatarja e shkollës së mesme dhe gruplëndët prioritare, të cilat ndryshojnë nga njëri institucion arsimor në tjetrin. Po ashtu, disa prej tyre kanë pjesë të formulës së pranimit edhe koeficientin e shkollës së mesme, i cili ndryshon në varësi të llojit të gjimnazit dhe degës përkatëse të studimit.
Përmes një Vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave, është përcaktuar se nota mesatare e pranimit në universitet për vitin akademik 2016-2017 do të jetë mbi 6, ndërkohë që ajo varion sipas fakulteteve.
UT & UPT
Universiteti i Tiranës ka përcaktuar se 50% të peshës në formulën e pranimit e ka mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme, plus mesataren e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që 50% do e ketë nota mesatare e gruplëndëve të përcaktuara si prioritare nga fakultetet përkatëse. Për shembull, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Biologji ka përcaktuar si lëndë prioritare: Biologjinë me 20%; Kiminë me 10%; Fizikën me 10% dhe Matematikën me 10%.
Kjo do të thotë se, për të rritur shansin e pranimit në këtë degë, atëherë ju duhet të keni nota të larta në këto 4 lëndë, në mënyrë që të fitoni sa më shumë pikë në renditjen përfundimtare. Për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë dhe programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë në Universitetin Politeknik të Tiranës kandidatët do të renditen sipas pikëve të grumbulluara nga llogaritja e rezultateve të shkollës së mesme sipas formulës:
[0.7 x Nota mesatare + 0.3 x (Mes. Matematikë + Mes. Fizikë+Mes Kimi) / 3 ] x Koef. Shkollës. Nëse i marrim të gjithë elementët e formulës atëherë kemi “Nota mesatare”, që është nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme, ndërsa “koeficienti i shkollës” varion nga 1.0 në 1.4, sipas llojit të shkollës së mesme dhe programit të studimit pranë UPT-së. Për këtë arsye, UPT-ja ka përcaktuar koeficientët e shkollave të mesme për çdo program studimi.
Për shembull, nëse i referohemi kësaj liste, për degën “Inxhinieri mjedisi”, gjimnazi e ka koeficientin 1.4, ndërsa gjimnazi gjuhësor 1.2. Për të përfituar sa më shumë pikë, kandidatët do të duhet t’i verifikojnë koeficientët, me të cilët vlerësohet shkolla e tyre e mesme, në mënyrë që të kenë më shumë shanse për t’u shpallur fitues. Tre elementët e tjerë të formulës, që janë: ‘Mes Matematikë’, ‘Mes Fizikë’ dhe ‘Mes Kimi’ përbëjnë notën mesatare të këtyre lëndëve në të gjitha vitet e shkollës së mesme.
SPORTET & ARTET
Në Universitetin e Sporteve, 60% të peshës së pranimit do e ketë testi praktik, ndërsa 40% mesatarja e shkollës së mesme. Ndërkohë që, në Universitetin e Arteve, 70% të peshës do e ketë konkursi, ndërsa 30% mesatarja e viteve të shkollimit dhe Maturës Shtetërore. Ndërkaq, në tabelat bashkëngjitur shkrimit gjeni kriteret për secilin nga universitetet në Tiranë dhe në rrethe. Po ashtu, për herë të parë MAS ka përcaktuar kritere pranimi edhe për ata studentë që do të ndjekin universitetet private, duke u bërë monitoruese e regjistrimeve.