Modelja e famshme angleze, Stella Tennant ka ndërruar jetë pak ditë pas ditëlindjes së saj të 50-të. Lajmin e konfirmoi vetë familja, duke e quajtur vdekjen e saj "të papritur", e ndërsa autoritetet nga hetimet e deritanishme thonë se nuk ka "asnjë rrethanë të dyshimtë".
"Me trishtim të madh të shpallim vdekjen e papritur të Stella Tennant, më 22 dhjetor 2020," thuhet në deklaratë. "Stella ishte një grua e mrekullueshme dhe një frymëzim për të gjithë ne”.
Fama e saj nisi menjëherë pasi u fotografua për British Vogue në moshën 22-vjeçare dhe nisi të punonte me marka të famshme të modës së lartë si Alexander McQueen, Jean Paul Gaultier, Burberry dhe Calvin Klein.
Stella Tennant, e cila mbushi 50 vjeç më 17 dhjetor, modeloi për shtëpitë më të larta të modës duke përfshirë Chanel, Versace dhe Valentino dhe ishte muza e Karl Lagerfeld. Ajo u shfaq për herë të fundit në kopertinën e Vogue në 2018-ën, në 25-vjetorin e shfaqjes për herë të parë në revistë kur ishte vetëm 22 vjeç, në 1993-shin.
Versace, përmes një postimi në Twitter shkroi se Stella Tennant ishte muza e Gianni Versace-s për shumë vite dhe mikeshë e familjes.
Modelja dallohej për tiparet androgjene që e bënin edhe më të veçantë si dhe për prejardhjen e saj aristokrate, duke qenë se ishte mbesa e Dukës së 11 të Devonshire, Andrew Cavendish.