Olympia Dukakis, aktorja që fitoi një Oscar për rolin e saj në "Moonstruck", ndërroi jetë dje në New York, në moshën 89-vjeçare. Familja tha në një deklaratë se Dukakis vdiq pas luftës me disa probleme shëndetësore dhe mbylli sytë në shtëpinë e saj, me të bijën Christina Zorich pranë saj.
"Vëllai i saj Apollo Dukakis, djemtë e saj Stefan dhe Peter Zorich dhe katër nipërit e mbesat ju falënderojnë për dashurinë, lutjet dhe përkujtimet tuaja të mira gjatë kësaj kohe të vështirë," tha familja.
Megjithëse kishte një karrierë skenike që zgjati dekada, Dukakis njihet më shumë për portretizimin e Rose Castorini, në filmin e vitit 1987, "Moonstruck", ku interpretonte me Cher, e cila luante vajzën e saj.
Në Academy Awards 1988, Dukakis fitoi çmimin e aktores më të mirë dytësore, ndërsa Cher mori çmimin e aktores më të mirë, për interpretimet e tyre në film.
Aktorja u shfaq në më shumë se 130 prodhime jashtë Broadway, si dhe shfaqje në Broadway përfshirë "The Aspern Papers", "Abraham Cochrane".
Dukakis ndërroi jetë tre vjet pas vdekjes së burrit të saj, aktorit Louis Zorich. Çifti u martua në vitin 1962 dhe themeloi The Whole Theatre Company në Montclair, New Jersey, duke e drejtuar atë nga viti 1971 deri në 1990-ën.