Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, do të mbajë sërish këtë vit rolin e drejtoreshës artistike të Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, duke sjellë eksperiencën dhe vizionin e saj në një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në vend.
Elhaida e cilësoi këtë angazhim si një përgjegjësi të madhe, por edhe thellësisht personale:
“Unë kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së. E njoh mirë rëndësinë që ka kjo skenë për artistët shqiptarë dhe do të jap maksimumin tim, jo vetëm për këtë edicion, por edhe për ata që do të vijnë. Qëllimi im është të ndërtojmë një ekip të aftë dhe të përkushtuar, për të realizuar një festival dinjitoz që përfaqëson me krenari muzikën shqiptare.”
View this post on Instagram
Elhaida Dani është një nga artistet më të suksesshme të muzikës shqiptare bashkëkohore. Karriera e saj nisi në vitin 2009, me fitoren në Star Akademi, për të vazhduar më pas me suksese brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2013, ajo fitoi The Voice of Italy, duke fituar zemrat e publikut italian dhe hapur dyert e karrierës ndërkombëtare.
Në 2014, ajo fitoi Festivalin e RTSH-së dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2015 me këngën “I’m Alive”. Ndërkohë, u ngjit edhe në skenën e madhe ndërkombëtare të teatrit, duke interpretuar rolin e Esmeraldës në muzikalin legjendar Notre Dame de Paris.