Vetëm dy muaj pas diagnostikimit me kancer të gjirit, këngëtarja britanike Jessie J është rikthyer në spital. Përmes një postimi në Instagram, ajo ndau me ndjekësit një foto ku shihej me serum në dorë dhe shpjegoi se pas operacionit të suksesshëm të 23 qershorit, është përballur me simptoma të rënda që ngritën dyshime për mpiksje gjaku në mushkëri.

“Gjashtë javë pas operacionit dhe jam përsëri në të njëjtin repart ku isha më parë. E papritur dhe e paplanifikuar,” shkroi ajo. “Kisha – dhe ende kam – simptoma që tregonin për një mpiksje, por falë Zotit nuk është.”

Mjekët e saj zbuluan një sasi të vogël lëngu në mushkëri dhe një infeksion të panjohur, që kërkon ndjekje të mëtejshme. Pavarësisht kësaj, Jessie vendosi të largohej vetë nga spitali dhe të vazhdojë hetimet si paciente ambulatore, pasi tha se e urren të qëndrojë në spital.

Në rrëfimin e saj emocional, këngëtarja foli për sfidat fizike dhe psikologjike që ka përjetuar gjatë procesit të rikuperimit:

“Pjesa më e vështirë për mua nuk është operacioni, por shërimi i ngadaltë, që më ka detyruar të ndryshoj ritmin e jetës. E kam të vështirë të qëndroj pa lëvizur, por duhet të pranoj se tani për tani, nuk mundem të jem aktive.”

Jessie J gjithashtu foli për ndikimin emocional që kjo periudhë ka pasur tek ajo si nënë e një djali 2-vjeçar, Sky: “Të mos jem në gjendje të jem nëna që zakonisht jam ka qenë pjesa më e dhimbshme e kësaj përvoje.”

Këngëtarja 37-vjeçare theksoi se megjithëse kanceri është hequr plotësisht dhe rezultatet e analizave janë pozitive, kjo nuk e bën procesin e rikuperimit më të lehtë fizikisht. Ajo i bëri thirrje vetes të “ngadalësojë ritmin” dhe të kujdeset për trupin e saj.