Aktori dhe moderatori i njohur Agron Llakaj ka ndarë një nga rrëfimet më të dhimbshme dhe më njerëzore për jetën e tij private, duke folur hapur për humbjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandina. Në një intervistë të sinqertë në podcastin e Grida Dumës, ai ka ritreguar ditët e fundit të jetës së saj, luftën me sëmundjen, dhimbjen e heshtur që mbajti mbi vete dhe dashurinë e pakushtëzuar që e shoqëroi deri në momentin e fundit.

Që në fillim të rrëfimit, Llakaj pranoi se nuk e ka pranuar kurrë idenë e largimit të Kostandinës, as në nivel simbolik:

“Nuk mora amanet nga Kostandinës, nuk pranova. Kam mbajtur më shumë sesa duhet,” – u shpreh ai, duke treguar se nuk mund të pranonte ide të largimit, ndarjes apo detyrimit të fundit, sepse për të ajo ishtë zemra e familjes.
Ai tregoi se në çdo fazë të sëmundjes, shpresa ishte e vetmja gjë që nuk e lëshonte nga duart. Por kjo shpresë mori një goditje të rëndë në udhëtimin e fundit në Turqi, atje ku mjekët i thanë të vërtetën që ai nuk donte kurrë ta dëgjonte:

“U zhgënjyem se kur ikëm në Turqi herën e fundit, thikën e mora unë. Doktori më mori mënjanë, më thanë se mbaroi, i thashë ti sikur the 5, 6 vjet. Çdo gjë do ta shisnim për të fituar jetën e Kostandines.”

Megjithatë, edhe pasi mori atë lajm fatal, ai vendosi ta mbante peshën i vetëm për një kohë, për të mbrojtur shpresën te fëmijët dhe, mbi të gjitha, te Kostandina vetë. Me një sinqeritet tronditës, ai tregoi se si për dy javë ka jetuar mes së vërtetës dhe gënjeshtrës së nevojshme:

“Unë duhet të gënjeja, për 2 javë nuk e di si rrotullohesha. Ua thashë fëmijëve dhe vazhduam silleshim sikur s’kish ndodhur gjë, deri në fund.”

Pavarësisht dhimbjes së madhe brenda shtëpisë, jeta profesionale e Agron Llakajt nuk u ndal. Ai vijonte të dilte në ekran, të bënte humor, të qeshte me publikun, ndërkohë që brenda vetes mbante barrën e fundit të jetës së bashkëshortes. Ai rrëfeu se kjo buzëqeshje nuk ishte fasadë për karrierë, por për të:

“Unë e dija që ishin ditët e fundit dhe dilja në emision, qeshja me shpirt në ekran, që ajo të thoshte: ai qesh, unë jam mirë.”
Një nga momentet më të ndjeshme, që ai e kujtoi me zërin që i dridhej, ishte ai i lamtumirës së fundit me dinjitet dhe dashuri:

“Në momentet e para nuk e kupton se ku je. I kërkova vajzës, i thashë, zemra e babit, mami e meriton të ikë si një nuse e bukur. I kemi bërë grim profesional. Kemi qëndruar të dy aty, duke qarë, duke e grimuar.”

Por dhimbja nuk mbaroi me ceremoninë e fundit. Agron Llakaj pranoi se periudha pas ndarjes nga Kostandina ka qenë një nga fazat më të errëta të jetës së tij:

“Për shumë ditë dhe netë nuk kam dashur të jetoj, doja të ikja, t’i bashkohesha. Fëmijët më janë përgëruar: babi, jemi ne.”