Revistave prestigjoze në botë iu desh të përshtateshin në kohë rekord me kushtet e krijuara nga pandemia e koronavirusit, që “ngriu” gjithçka. Kopertinat e mirëmenduara dhe të planifikuara prej një kohe të gjatë duhet të shtyheshin për një afat të papërcaktuar, pasi përveçse kushtet e kishin bërë realizimin të pamundur, bota kishte interes vetëm për atë çka po ndodhte me pandeminë dhe të ushqehej me shpresë se gjithçka do të kthehej në një ëndërr të keqe shumë shpejt. Dhe revistat e famshme ia dolën të bënin atë që kishin bërë gjithmonë, duke dëshmuar kështu krijimtarinë dhe adaptueshmërinë e tyre të jashtëzakonshme.

Nga kopertinat perfekte, të admirueshme dhe të ëndërruara nga të gjithë, presigjozet botërore sollën kopertina që nuk ishin planifikuar dhe nuk ishin imagjinuar se do të publikoheshin.

Shumë redaktorë ndryshuan përmbajtjen e revistave në minutën e fundit, duke sjellë në vend të fotove të punuara prej orësh e orësh, pamje të vërteta e imazhe që flisnin më shumë se mijëra përshkrime e zbukurime kompjuterike. Thuajse të gjitha revistat krijuan një hapësirë ​​për ata që më shumë e meritonin të ishin të admirueshëm – heronjtë e vijës së parë të “luftës”.

Vanity Fair Italia vendosi në në kopertinën e publikuar më 8 prill portretin e një pulmonologeje. Grazia UK nderoi punonjësit e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit me 4 kopertina speciale.

Imazhe të mbushura me kuptim, ashtu si kopertina digjitale e Vanity Fair USA më 26 mars, ku u shfaq një teknik sanitar në një Siçili të zymtë. Apo kopertina e Vogue Portugal në prill, që portretizon puthjen e një çifti me maska. Një tjetër kopertinë që kishte në qendër maskën ishte ajo e Glamour Rusia me yllin e pop-it Lena Temnikova-n. Një gjetje tjetër gjeniale ishte maska e pikturuar në fytyrën e Mona Lisa-s, e zgjedhur për kopertinën e revistës iraniane të modës Revista Prestige.

Numri i muajit prill i GQ Portugal shfaqi një fytyrë të buzëqeshur, të lindur si një simbol i pozitivitetit në vitet 1960. Fotoja u shoqërua me tekstin “Gjithçka do të jetë në rregull” dhe “F*ck off Covid-19”. Revista dëshironte t’u dërgonte njerëzve një mesazh të thjeshtë dhe njëkohësisht t’u ngrinte paksa humorin.

Vanity Fair Italy publikoi më 8 prill një kopertinë speciale me një poster në mbështetje të kompanive italiane – një vepër e artistit Francesco Vezzoli, e krijuar posaçërisht për revistën e famshme. Në homazh të Lucio Fontana-s, Vezzoli portretizon një kanavacë tringjyrëshe me një prerje që përfaqëson një plagë dhe një rrugëdalje. Punim ky që do të dalë në ankand dhe të ardhurat do të dhurohen për bamirësi.

Pozitivitet dhe shpresë ka përcjellë edhe revista Elle Spain. “Tani më shumë se kurrë, na duhet një rrugë shpëtimi për të ëndërruar, imagjinuar dhe reflektuar” janë fjalët e Benedetta Poletti, drejtoreshë e Elle Spain, e cila flet për rëndësinë e gjesteve të vogla të solidaritetit e për dëshirën për t'i publikuar në mënyrë që të na ngushëllojnë dhe të na tregojnë se po bëjmë më mirë nga sa mendojmë.

Për numrat e majit, 6 revistat e grupit Condé Nast España (Vogue, Vanity Fair, GQ, AD, Condé Nast Traveler, dhe Glamour) u mblodhën me një iniciativë të përbashkët për të prezantuar “Ne ëndërrojmë së bashku”, një mesazh shprese në një botë të re.

Për herë të parë në 32 vite, Vogue Spain del me një imazh në vend të një fotografie – një grua që qëndron në një ballkon, duke rikthyer kujtime e duke rikujtuar bukurinë e tyre. “Një letër dashurie për botën që na kujton gjithçka për të cilën ia vlen të luftojmë”, - shpjegon Natalia Gamero del Castillo (presidente dhe CEO).

GQ publikoi një fotografi të realizuar në shtëpi nga fotografi Glen Luchford, i cili po përgatit ushqim me djalin e tij për të pastrehët në Los Angeles – një mesazh solidariteti, rezistence dhe force.

Një mendim shumë i fuqishëm nga Emiliano Ponzi; ilustruesi që projektoi “përqafimin e mungesës” për kopertinën e Vanity Fair. “Është një person që përqafon asgjë, por ju mund të shihni që kjo asgjë ka formën e një njeriu”, -ka shpjeguar Ponzi. Në atë gjest të gjithë mund të shohim vetveten, së bashku me ankthet tona, por edhe me dëshirën tonë për të përqafuar përsëri dhe dëshirën për të dashur thellësisht, që askush nuk do të mund të na e marrë kurrë.

Për herë të parë në historinë ndërkombëtare të revistës, kopertina e Vogue Italia në prill ishte plotësisht e bardhë. E bardhë si respekti, rilindja, drita pas errësirës, ​​uniformat e atyre që na shpëtuan jetën, siç shpjegon drejtori Emanuele Farneti, i cili, në faqen e revistës së tij, siguron:… “e bardhë do të thotë bosh, do të thotë se është një faqe e tërë që do të shkruhet, faqja kryesore e një historie të re që do të fillojë”.