E keni ditur se për të blerë një çantë ‘Birkin’ duhet të prisni dy vjet? Po që shqiptarët janë të çmendur pas markave? E po, tashmë kureshtja juaj do të marrë një përgjigje.

Në lupën e Revistës Class kemi zgjedhur ‘Goat Collection’, që është fryt i pasionit për modën dhe të bukurën.

Pas saj fshihet Irida Osmani, që prej një viti ushtron profesionin si ‘personal shopper’, e cila ndau me ne detaje që na brejnë kureshtjen të gjithëve apo që s’i kemi ditur më parë. 

Irida, si lindi dëshira për këtë profesion?

Modën e kam pasur gjithnjë pasion, por pasi u shpërngula në Barcelonë, vetvetiu duke qenë më afër dyqaneve të markave të njohura, më lindi ideja të hapja faqen ‘Goat Collection’, si një urë lidhëse mes shqiptarëve dhe markave të mirënjohura. Në fillim kisha dyshim, por pastaj kuptova që shqiptarët janë vërtetë të interesuar dhe blenë shumë. Duke qenë se blerja e markave ka një proces të caktuar, një ‘personal shopper’ ndihmon të kalosh hallkat dhe ta marrësh më shpejt produktin e kërkuar.  

Pse kaq shumë blenë shqiptarët?

Po. Janë të çmendur pas markave. Ka pafund kërkesa jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë. E veçanta është se një pjesë e madhe janë njerëz të thjeshtë, nuk janë figura publike siç mund të mendojnë shumica.

Cilët blenë më shumë vajzat apo djemtë?

Vajzat, sigurisht. Djemtë blenë, por rrallë. Vajzat janë ato që porosisin vazhdimisht dhe më shumë.

Nga të gjitha markat, kë preferojnë më shumë?  

‘Louis Vuitton’ kryeson. Madje, së fundmi ka kërkesë të lartë edhe për ‘Van Cleef & Arpels’ dhe ‘Cartier’. Mund të them që janë më të orientuar ndaj markave popullore dhe më të përhapura.

Pra, në njëfarë mënyre po thua që shqiptarët blenë për emrin dhe jo për historinë apo cilësinë që mbart një markë e caktuar, apo jo?

Po, janë më shumë të dhënë ndaj trendeve, pa u thelluar në historinë apo cilësinë e një  produkti. Kriteri kyç që ndikon në blerje janë logot. Janë të fiksuar pas logove. Mund të them se kjo shpjegon disi pse kërkesa për ‘Prada’, ‘Loro Piana’ apo ‘Birkin’ nuk është po aq e lartë.

Kur po bisedonim, ceke procedurën për të blerë një çantë ‘Birkin’ dhe ishte mjaft interesante...

Po, funksionon me listë pritje, që mund të shkojë deri në dy vjet. Është një proces pak i gjatë dhe fut në lojë edhe faktorë të tjerë, si komunikimi, sjellja dhe gjendja ekonomike në përgjithësi. Për të blerë një çantë ‘Birkin’, duhet që më parë të kesh bërë blerje me po të njëjtën shumë. Me pak fjalë, nuk është për këdo.

Kanë kërkuar të blenë një çantë ‘Birkin’ në Shqipëri?

Po, ka pasur blerje të çantës ‘Birkin’ dhe ‘Kelly’, por shumë pak.

Mund të konsiderohet si blerja më e shtrenjtë?

Jo. Blerja më e shtrenjtë ka qenë një orë ‘Rolex’, 25,000 euro, që e porositi një djalë.

Për sa i përket pagesave si procedohet?

Zakonisht pagesat kryhen me anë të bankës. Unë jam mjaft e kujdesshme dhe blerjen e shoqëroj me faturat përkatëse. Madje, edhe transportin e kam siguruar me të afërm që të jetë sa më i sigurt.

Më vjen mirë që dëgjoj njerëz që punojnë me kaq përgjegjësi. Njerëzit stepen disi për blerjet ‘online’ kur mendojnë peripecitë që kanë kaluar apo mund të kalojnë, por ti i asgjëson këto me korrektësinë dhe përgjegjshmërinë që ofron.

Patjetër. Qëllimi ynë është që produkti i porositur të arrijë i sigurt në dorën e klientëve. Vlen për t’u thënë që klientët e parë janë kthyer gjithmonë për porosi të tjera.

Nuk kam dyshim. Madje, pas kësaj interviste jam e sigurt që shumë vajza e djem, të apasionuar pas markave luksoze, do të duan të të kontaktojnë. Forma e kontaktit është vetëm përmes ‘Instagram’-it, apo jo?

Po, në ‘Instagram’ faqja quhet ‘Goat Collection’. Mund të porosisin dhe aty, me mesazh në ‘DM’ ose në adresën e email-it.