Këmbët ke filluar t'i mbulosh prej kohësh apo jo? Palltot kanë dalë nga dollapi dhe çizmet gjithashtu. Po pantallonat ose alternativat që disa zgjedhin në vend të tyre, streçet? Nëse vlen edhe për ty kjo ide, ke nevojë ta peshosh mirë. Bëji vetes këto katër pyetje nëse po mendon të dalësh me streçe nga shtëpia.
A janë të tejdukshme?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë mund t’i veshësh streçet si pantallona. Nëse ti mund të shohësh diçka përtej tyre, përgjigjja është jo. Nëse sheh plotësisht, nuk ke veshur streçe, por geta dhe përgjigja është absolutisht jo.
A ke parë dikë tjetër që ka veshur streçe të ngjashme me të tuat?
Nëse jo, bëj një foto dhe nisja shoqes më të mirë që të japë një mendim objektiv. Dëgjo çfarëdo që të këshillojë, edhe nëse të thotë që ti ke veshur geta dhe duhet të shkosh të veshësh pantallona. Nëse ke parë dikë tjetër me këto streçe, pyet veten ku e ke parë. Nëse e ke parë në rrugë, mendo për rrethanat. A je e sigurt që në ndonjë kënd nuk ishte fshehur dikush që e fotografonte për ta hedhur në Facebook te "Katunari Streetstyle"? Nëse je e sigurt, vazhdo me pyetjen tre. Nëse nuk je, vazhdo me foton që t’ia dërgosh shoqes sate.
A e mbulon bluza ose trikoja pjesën e vitheve?
Që të veshësh streçe si pantallona, përgjigjja e kësaj pyetjeje këshillohet të jetë Po. Nuk ke pse ekzpozon më shumë se duhet për hir të një veshjeje.
Ç'lloj këpucësh ke?
Të vetmet lloje të pranueshme këpucësh për streçet janë të sheshtat dhe çizmet... e sheshta dhe ato. Nëse kjo veshje nuk është për karnavale, nuk ke asnjë arsye tjetër pse të veshësh taka kur del me streçe. Gjithashtu, nuk mund të veshësh Uggs. Me disa përjashtime. Në qoftë se je ende e paqartë, referoju këtij rregulli të thjeshtë: Kur ke dyshime, vish ca pantallona normale.