“Kujta & Meri” dhe “Dolce & Gabbana”, tashmë nuk kanë të përbashkët vetëm përbërjen e emrit të markës nga dy pjesë. Por së fundmi “Kujta dhe Meri”, marka më e njohur gjakovare në tregun ndërkombëtar të modës, është bërë pjesë e grupit “Stilisti Nazionali”, duke u renditur në këtë mënyrë, në mesin e stilistëve më të suksesshëm të planetit, së bashku me “Dolce & Gabbana”.
Në një mbrëmje të organizuar së fundmi, me pjesëmarrjen e markave më të njohura të botës së modës, u bë dhe prezantimi zyrtar i anëtarësimit të “Kujta dhe Meri”, në këtë grup me influencë.
Gjatë kësaj mbrëmje, dizenjatorët gjakovarë, kanë pasur mundësinë e takimit me stilistët e njohur të “Dolce & Gabbana”. Nga ky takim janë iniciuar dhe projekte bashkëpunimi mes këtyre dy markave.
Për Revistën Class, stilistët gjakovarë treguan dhe disa detaje interesante të kësaj mbrëmje private.
Të qenit pjesë e këtij grupi të rëndësishëm të modës, “Stilisti Nazionali”, vjen si një vlerësim i punës së tyre ndër vite. Në mbrëmjen e organizuar me këtë rast, së bashku me stilistët e Dolce & Gabbana ata kanë diskutuar mbi vështirësitë e pasionit dhe profesionit të përbashkët.
Vlerësimet e stilistëve të njohur italianë për punën dhe krijimet e “Kujta dhe Meri” ishin mjaft të larta. Madje në bisedat e shkëmbyera gjatë mbrëmjes, ata kanë hedhur dhe bazat e një bashkëpunimi të ardhshëm.
Të impresionuar nga thjeshtësia e Domenico Dolce, stilistët gjakovarë Kujta dhe Meri nuk kanë humbur rastin për të përjetësuar në foto takimin e tyre të parë, që sigurisht nuk do të jetë i fundit.
Kujta dhe Meri dy dizenjatorët gjakovarë, aktualiht drejtojnë dy atelier të vendosur në Kosovë dhe në Tiranë, si dhe një Showroom në Milano. Ata realizojnë sfilata të herë pas hershme për të sjellë në vëmendje tendencat më të reja të modës.
Adhurues të tendencave dhe stilit të “Kujta dhe Meri” janë emra të njohur të biznesit të spektaklit si Anastassija Makarenko modele dhe gruaja e aktorit Mickey Rourke; Crisula Stafida aktore italiane; Nina Senicar modele; Guendalina Cannesa personazh publik; Alessia Mancini aktore Italiane; Alberto Traversi këngëtar jazz; Francesca Novatelli, Lara Montanara prima balerinë e La Scala , Victoria Petroff modele dhe aktore, Maria Nazzionale këngëtare e shumë të tjerë.
