"Bëhu gati me mua për një takim, një intervistë pune, ose një festë", janë këto frazat që dëgjojmë shpesh nga blogeret që na shfaqin pjesë të vogla të përditshmërisë së tyre dhe çuditërisht, njerëzit kanë interes për video të tilla.

“Get Ready With Me" është trendi që ka kapur pothuajse të gjitha vajzat aktive në në TikTok. "Për krijuesit, ky është një mjet për të rrëfyer histori", thotë Earnest Pettie, ekspert i tendencave në YouTube.

Si nisi?

Në fillim, njerëzit thjesht bënin grim para kamerës. Menjëherë pas kësaj, videot evoluuan në atë që shihen sot, ku krijuesit e përmbajtjes flasin me ndjekësit e tyre për çdo gjë që kanë në mendje. Një nga influencueset më të njohura në këtë fushë është 22-vjeçarja Alix Earle, e cila ndan me ndjekësit çdo gjë, që nga "sfida" me puçrrat, çrregullimet e të ngrënit, sulmet e panikut apo netët e qeta me miqtë. Ajo ka rreth 6 milionë ndjekës në TikTok. Alisha Rei, një modele e cila jeton në Toronto dhe thotë se dëshiron të krijojë përmbajtje virale në rrjetet sociale për ta ndihmuar në karrierë, sipas saj ky trend "thith" shumë audienca. Allie Pribula, një TikTokere 25-vjeçare e cila dikur ishte mësuese e shkollës fillore në periferi të Filadelfias, thotë se që kur filloi të bënte video GRWM, disa kompani e kontaktuan për t’i ofruar dhurata. Sigurisht, ky vetëpublikim ka rreziqet e veta. Gjykohen shumë gjëra njëherësh, pamja, zëri, opinioni e në fund stili i jetesës. Sa më i sinqertë të jetë dikush para kamerës, aq më shumë njerëz do e ndjekin dhe po aq shumë do e kritikojnë. Pra funksionon kështu: ti jep nga vetja dhe të tjerët të përgjigjen.

Marrëdhënia me ndjekësit shkon përtej asaj videos 3 minutëshe. "Get Ready With Me" bëhet si një kënd ku njerëz të ndryshëm ngacmojnë duke u fshehur pas një tastiere. Ekspertët thonë se të qenit vetvetja edhe në momentin që filmon veten, thyen stereotipet e përsosmërisë, duke filluar që nga mungesa e një filtri dhe duke qenë totalisht spontane. Është vënë re se në video të tilla, qasja e ndjekësve është më pozitive. Përtej shpërblimeve financiare, njerëzit duan të kenë dhe feedback të mirë.

Fitimet

Mundësia për bizneset për të përfituar nga këto video është e jashtëzakonshme. Pas përmbajtjes së "përgatitjes" fshihen mesazhe të tjera, më komerciale. Në vitin 2023, hashtagu #GRWM ka marrë mbi 165 miliardë shikime në TikTok. Një nga personat e parë që realizoi një video të tillë ishte Shaaanxo në vitin 2010, ndërsa tani që trendi ka arritur kulmin, Alix Earle dhe Katie Fang janë personazhet më të njohura. Të famshmit shpesh promovojnë markat e tyre. Në prill, modelja Sofia Richie Grainge iu bashkua TikTok dhe postoi një seri videosh "Get Ready With Me" për t'iu ofruar fansave një pamje të brendshme të dasmës së saj. Banka e investimeve tha në një raport në fillim të këtij viti se "ekonomia kreative" vlen sot 250 miliardë dollarë dhe mund të dyfishohet deri në vitin 2027.

A është ky trendi ku njerëzit ndihen komod?

Janë video që si qëllim nuk kanë "destinacionin" por "rrugëtimin". Videot "GRWM" janë argëtuese. Njerëzit mbajnë edhe shënime kur vjen puna te makiazhi apo flokët. Hasim shpesh dhe blogere që na tregojnë produkte që duhet t'i përdorim, ose ato që nuk i rekomandojnë aspak. Kjo është dhe arsyeja që sponsorat nuk ngurrojnë aspak për video të tilla. Një faktor tjetër që e bën kaq të pëlqyeshëm trendin është fakti se duket sikur njerëzit kanë akses në intimitetin e dikujt.