Vivian Canajn ndoshta e keni parë, por nuk e dini sa e bukur, përtej asaj që duket, është. Ajo ka përfunduar studimet për Drejtësi dhe vazhdon të kryejë në UET, studimet master për të Drejtë Tregtare, ndërsa vazhdon të merret me modeling. Aktualisht është modele e Valentino-s në Azi. Ka punuar edhe për Chopard në Gjermani. Atje ka dalë modelja e vitit në 2014-ën. Në të njëjtin vit, ka përfaqësuar Shqipërinë në Miss International në Bangkok, ndërsa një vit më parë, në 2013-ën, kur dhe fitoi Top Model of the World Albania, përfaqësoi Shqipërinë në Miss Europe.
Me emrin e “Gruas së bukur”, me sharmin e një modeleje, me elegancën e një apostrofi, Vivan do e kishte të lehtë të bënte këdo për vete. Megjithatë, kjo vajzë ëndrrash, është fejuar dhe do të martohet me dashurinë e saj të parë, ish-konsullin dhe aktualisht biznesmenin që e ka njohur në një ditë të zakonshme kur nuk ishte modelja e njohur, por vajza e hijshme dhe e zgjuar me të cilën dhe ai ka vendosur të kalojë jetën. Nuk është përrallë...
Vivian na tregon për këto dy vite, më të bukurat e jetës së saj, për fillimet e historisë dhe çfarë e bën të kuptojë që kjo është dashuri e vërtetë…
Dashuria e parë të kujtohet?
Sigurisht që më kujtohet, pasi e shoh çdo ditë.
Puthja e parë zbulim apo zhgënjim?
Zbulim.
Në dashuri, ia vlen të ngulësh këmbë?
Personalisht mendoj se kur ka dashuri të vërtetë në mënyrë reciproke, sigurisht që nuk duhet të ketë krenari të tepruar. Në raste të caktuara, për të realizuar një qëllim të caktuar në marrëdhënie ia vlen të ngulësh këmbë.
Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa resht?
Dashuria është një ndjenjë sublime, e papërshkrueshme, e cila vjen zakonisht atëherë kur s’e pret, për këtë arsye efektin e saj do ta përktheja me tre shot-sa.
Strategjia e joshjes. Cila është e jotja?
Secila femër ka një strategji të sajën për të bërë për vete një mashkull. Personalisht mendoj që çelësi i joshjes është të qenurit vetvetja, pa u sforcuar. Unë si natyrë jam mjaft e përkëdhelur dhe në shumicën e rasteve përkëdheljet apo sjelljet lozonjare dhe sensuale janë një armë e imja për të joshur dhe për të bërë për vete partnerin tim.
Shqisa më e rëndësishme në dashuri.
Në rastin tim është shikimi.
Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
Unë dhe partneri im jemi takuar në mënyrë fare të rastësishme nga disa miq të përbashkët. Unë atë ditë sapo kisha dalë nga një provim i rëndësishëm dhe isha e veshur si për në universitet, me xhinse, një bluzë të zezë të thjeshtë, një pardesy Burberry ngjyrë mustardë, një palë çizme të zeza të sheshta dhe e palyer fare (aqua e sapone).
Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
Kjo është shenja e parë e dashurisë te një femër. Mua ky fenomen më ka ndodhur në fillimet e lidhjes, kur ndërrohesha disa herë dhe bëja "sfilatë" para mamasë time.
Dashuri me shikim të parë edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
Dashuria jonë ka qenë nga ato dashuri me shikim të parë, por sigurisht që nuk mund të vendosësh që me impaktin e parë për ecurinë apo finalizimin e marrëdhënies. Edhe pse ndjenjat reciproke nuk mungonin, mua m'u desh një periudhë disa mujore për të vendosur, pasi sigurisht doja që ta njihja më mirë partnerin dhe të mos gaboja, pasi nuk kam qenë asnjëherë, për aventura për jetën time.
Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
Seksi është një nga faktorët kryesore në një marrëdhënie, kështu që sigurisht që e pasuron.
Serial loverat i shmang apo të joshin?
Serial lover-at përherë jam munduar t'i shmang, duke preferuar përherë siguri në jetën time.
Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
Në marrëdhënien tonë, çmenduritë që në fillim nuk kanë munguar dhe kanë qenë të shumta, megjithëse mund të them që më shumë çmenduri ka bërë partneri për mua.
Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
Nuk besoj se ka një recetë fikse për këtë gjë, por mund të them që unë dhe partneri im jemi shumë të ngjashëm me njeri-tjetrin dhe kjo gjë na ka rezultuar pozitive.
Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëtin drejtim?
Gjëja më e rëndësishme në një çift është që të shihen gjithmonë në sy me njeri-tjetrin. Në momentin që partnerin nuk e sheh dot në sy do të thotë që diçka nuk funksionon.
Sakrifica apo lule dashurie?
Lule dashurie, nuk ngopem kurrë me to.
Bëjmë një bilanc të historisë suaj.
Unë dhe partneri im jemi njohur para 2 vitesh dhe mund të them që këto 2 vite janë më të bukurat e jetës sime. Të dy jemi shumë të ngjashëm. Ai është personi që më mbështet në çdo hap që hedh dhe që më dhuron në çdo moment dashuri pa kushte. Ne kemi pothuajse një vit e gjysmë që jemi fejuar dhe në fund të shtatorit kemi vendosur që ta finalizojmë dashurinë tonë në martesë.
Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
Përderisa ne duam të kalojmë jetën me njëri-tjetrin, kemi bërë shumë plane për të ardhmen tonë dhe shijojmë çdo moment që kalojmë së bashku, padyshim që është dashuri e vërtetë.
Një dashuri e jotja e madhe e përmbledhur në një vend, ushqim, muzikë?
Dashuria ime është e bukur si një vend ekzotik, e shijshme si pizza-t dhe pastat (ushqimet e mia të preferuara) dhe melodioze si një simfoni e Bethoven-it.
Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
Dashuroj shumë, pa menduar asgjë, duke shijuar çdo moment maksimalisht, përderisa personi që kam në krah më dhuron të gjithë dashurinë dhe lumturinë e botës.